Njeriu me kurajë në përballjen me shtetin!

0
47

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Ditët e fundit ka dal në libraritë e Tiranës libri i Kolonel Myslim Pasha, i cili përshkruan peripecitë e luftës së tij publike kundër qeverisë së kryeministrit Sali Berisha, rreth mënyrës se si qeveria shqiptare tentoi t’i dhuronte në shkëmbim të ndereve politike, rreth 300 kilometra sipërfaqe ujore Greqisë. Koloneli në rezervë, Myslim Pasha, në të vërtetë është shembulli i rrallë se një opinion publik mund të vihet në lëvizje nga një njeri i vetëm, mjafton që ai ti përkushtohet kauzës së tij.

Ai nuk është as paranojak, as drejtues i ndonjë projekti që pret përfitime. Është një specialist i hartografisë, i cili edhe pse është shkolluar në periudhën sovjetike të Shqipërisë, njeh mirë hartat dixhitale dhe jep mësim në Universitetin e Shkencave mbi hartografinë satelitore. Pra është një njeri me pasione për profesionin e tij, por dhe për shoqërinë dhe atdheun ku jeton. Nuk dua t’i hyj debatit sa të drejtë kishte dhe ka koloneli dhe sa të drejtë kishin dhe kanë zyrtarët anonimë të qeverisë, pasi në këtë debat jam i njëanshëm, pasi jam me kolonelin.

Grupi ynë negociator, që përbëhet nga njerëz thuajse të painteresuar për ta marrë këtë negociatë si problem kombëtar, nuk di të më thotë në asnjë rast, nëse në 7, 8, apo 10 çështje të diskutueshme që kishin këto negociata, në një prej këtyre çështjeve të jetë konsideruar mendimi i palës shqiptare. Kjo statistikë nuk ekziston. Pra, nuk kemi asnjë nuancë negociatash, por thjesht takime zyrtarësh shqiptarë nga ajo raca korrekte për dietat dhe udhëtimet dhe pa asnjë emocion përtej tetorëshit zyrtar. Ajo që mund të diskutohet është nëse ky grup negociator është sjellë si i paaftë me porosi të qeverisë apo thjesht ka dashur të mos i hapë asnjë problem vetes për të vrarë mendjen qoftë dhe një ditë.

Këtë le ta sqarojë debati publik. Problemi që unë dua të ngre është diferenca mes një qytetari të vetëangazhuar, si koloneli në rezervë, Myslim Pasha në një anë dhe shoqërisë civile shqiptare e zyrtarëve të shtetit në anën tjetër. E ashtuquajtura shoqëri civile, që merr fonde për çdo projekt dhe që gati është kthyer në një kastë biznesmenësh, nuk ka mundur kurrë në këto 20 vite të provokojë me punën e saj apo me aksionin e saj qoftë dhe një debat njëditor në Shqipëri.

Një njeri i vetëm, pa asnjë mbështetje, madje kam frikë se dhe nën presion, po fut shoqërinë shqiptare në një betejë që nesër do hyjë në analet e historisë (nëse nuk e shkruajnë këta që e shkruajnë tani historinë), si një turp i qeverisë aktuale dhe administratës që ka firmosur këto negociata. Diferenca mes kolonelit në rezervë, Myslim Pasha, dhe shoqërisë civile shqiptare është një hendek i thellë, dhe prova e gjallë që kemi se sa pak vlen një punë që bëhet vetëm për projekte dhe pará. Por, nga ana tjetër, ka dhe një diferencë mes kolonelit në rezervë, Myslim Pasha, dhe kolonelëve në detyrë që i kanë firmosur këtë negociata.

Siç thashë, unë nuk mund të jem arbitër mes tyre kush ka më shumë të drejtë, por zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kristaq Gërvenji, që ka firmosur këtë pakt si pjesë e grupit negociator, do ta ketë shumë të vështirë t’ua shpjegojë fëmijëve të tij se si ai ishte i drejtë në vendimin me partnerët grekë, pasi arriti të zmbrapsë qoftë dhe një pretendim të tyre. Kufijtë janë një emocion i fortë, një emocion që ka ndarë njerëzimin që kur është krijuar. Nëpunësit tanë, që kanë firmosur këtë marrëveshje, janë sjellë me kufijtë tanë si me axhendën e një seminari të mërzitshëm, ku mezi kanë pritur të mbarojë e ta firmosin dhe pastaj të dalin nëpër Athinë të bëjnë shopping.

Diferenca mes tyre dhe kolonelit në rezervë, Myslim Pasha, është në vetvete dhe diferenca mes njerëzve që kërkon shoqëria shqiptare dhe njerëzve që punëson pushteti. Ky pushtet lë rrugëve atë që punon për Shqipërinë dhe bën histori në këtë vend, dhe mban në zyrë ata që s’kanë asnjë emocion dhe kur firmosin faljen e së paku 300 kilometrave det për një shtet fqinj. Mirë që s’patën drojë dhe nuk iu drodh dora kur firmosën, po së paku tani kur Gjykata Kushteuese ua ka hedhur poshtë tenativën e tyre, nuk u lejohet të jenë kaq të qetë dhe të sigurt sikur s’kanë bërë asnjë krim.