Njerëz dhe ngjarje

0
49

E dashura e djemve të Gadafit. Një reportazh për psikiatrinë në New York dhe fillet e gazetarisë hulumtuese. Përvjetori i “gastarbajterëve” turq në Gjermani dhe gjaknxehtësia e kryeministrit Erdogan – pikëpamje dhe lajme përtej Kosovës…

Nga Enver Robelli, 9 Nëntor 2011

1. Divani libian

Një lloj Lolite. Gati e ngjashme me figurën më të njohur letrare të shkrimtarit Vladimir Nabokov. Kështu duket Vanessa Hessler. Është modele. I ka 24 pranvera. Bukën e gojës e fiton – me bukuri. Ndoshta është e tepërt të thuhet se nuk e siguron ekzistencën me debate filozofike. Hessler, me nënë italiane dhe baba amerikan, këto ditë sërish ka qenë e pranishme në media. Jo duke bërë reklamë për ndonjë produkt, por për shkak të disa mendimeve të saj. Së pari duhet sqaruar diçka: kjo vajzë ka qenë e dashura e dy djemve të Muamar al-Gadafit. Nuk bëhet fjalë për një “Ménage à trois”, siç thonë francezët. Hessler njëherë është rrokullisur në shtratin e të birit numër tre të Gadafit (al-Sadiut) dhe herën tjetër ka përfunduar në divanin e djalit numër katër të Gadafit (Mutasimit).

Çfarë emri! Ky i fundit, pra Mutasimi, u vra nga kryengritësit e Libisë në qytetin Sirte bashkë me të atin. Në një foto pak ditë para vrasjes, Mutasimi shihet me një shishe ujë në njërën dorë, në tjetrën mban një cigare. Me të dëgjuar lajmin për vrasjen e diktatorit dhe të birit të tij, Hessler tha se ishte “shumë e pikëlluar”. Kaq do të mjaftonte, por ajo nuk e frenoi veten. Tha se anëtarët e familjes Gadafi janë njerëz krejt normalë! Kështu mund t’i jenë dukur ata zonjushës Hessler, por jo edhe të burgosurve në burgun libian Abu-Salim, 1200 prej të cilëve u vranë në vitin 1996. Manekinia e re e fiton bukën me dukje, kjo e shpjegon tamam edhe deklaratën e saj qesharake politike.

2. Çmendina në ishull

E bukur ishte edhe Nellie Bly. Dhe e mençur. Në vitin 1887 ajo luajti rolin e një të çmendure në mënyrë aq bindëse saqë ia doli të futet, si paciente, në “Mad-House” të New York-ut, pra në çmendinën e metropolit amerikan. Bly, 23-vjeçare, qëndroi aty dhjetë ditë. Kur doli, shkroi një reportazh – “Ten Days in a Mad-House” (“Dhjetë ditë në çmendinë”). Ky tekst, i botuar tani për herë të parë në gjermanisht në formë, është dëshmi për fillet e gazetarisë hulumtuese. Bly e përshkruan çmendinën “Blackwell’s Island” si një vend keqtrajtimi të qindra grave amerikane, disa prej të cilave autoritetet i kishin shpallur arbitrarisht si të çmendura.

Autorja tregon se si grave u servohej ushqim tmerrësisht i keq, se si detyroheshin të kalonin ditën pa asnjë angazhim dhe se si duhej t’i nënshtroheshin vullnetit të personelit kryesisht të pakualifikuar. Botimi i reportazhit tronditës të Nellie Bly atëbotë pati jehonë të jashtëzakonshme në Amerikë. Njerëzit ishin të tronditur me situatën në “Blackwell’s Island”. Qyteti i New Yorkut menjëherë vendosi që buxheti i çmendinës të rritet për një milion dollarë. Pas aksionit të Nellie Bly gazetat amerikane filluan të angazhojnë gazetare, të cilat hulumtonin fshehurazi dhe zbulonin skandalet e shoqërisë amerikane. Aventurën e saj hulumtuese Nellie Bly e kishte nisur me mbështetjen e botuesit Joseph Pulitzer. Reportazhi i Bly u botua në gazetën “New York World” të Pulitzerit.

3. “Merhaba Almanya”

Këto ditë u mbushën 50 vjet prej se qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë nënshkroi një marrëveshje për rekrutimin e punëtorëve turq. Atëbotë gjermanët kishin nevojë të madhe për fuqi muskujsh – ekonomia zhvillohej furishëm, në fabrikat e Ford-it, Opel-it, Mercedes-it mungonin punëtorë. Dhe punëtorët erdhën nga Turqia. Për të shënuar këtë përvjetor në Gjermani janë organizuar me dhjetëra aktivitete.

Nga Stambolli u nis një tren me “gastarbajterë”, me punëtorë mysafirë, siç quheshin dikur, sepse mendohej se do të qëndronin dy-tri vite në Gjermani dhe do të ktheheshin. Pothuaj asnjëri nuk u kthye. Tani ata hipën në tren në Stamboll dhe në një udhëtim nostalgjik arritën në München. Si dikur, në tetor të vitit 1961. Atëherë ishin djem entuziastë për punë, sot janë pleq të kërrusur nga puna e rëndë në fabrikat dhe kantieret gjermane. 50 vjet: çfarë mbetet?

Si asnjë komunitet tjetër turqit kanë lënë gjurmë në shoqërinë gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Në ekipin kombëtar të futbollit shkëlqen Mesut Özili; në çdo lagje gjendet nga një dyqan turk me të gjithat zarzavatet e nevojshme; mbase nuk ka vendbanim në Gjermani pa një lokal që shet “Döner” – versioni anadollak i Hamburgerit, me rriska mishi e me perime. Thuhet se “Döneri” i parë në Gjermani ishte përgatitur në vitin 1972 në Berlin. Sot në Gjermani punojnë 16 mijë lokale (“Dönerbuden”) me 60 mijë punëtorë – dhe me një qarkullim vjetor prej 3,5 miliardë euro; gjenerata e parë e turqve nuk ka arritur të integrohet mirë në shoqërinë gjermane, e dyta pjesërisht, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve turq kanë rrëshqitur në varfëri dhe mjerim social: me këtë sfidë duhet të ballafaqohet Gjermania në deceniet e ardhshme.

Por, krahas këtyre zhvillimeve negative, ekzistojnë shembuj madhështorë të integrimit: Cem Özdemir nuk shet majdanoz (“maydanoz”), por është bashkëkryetar i Partisë së Gjelbër, e cila në shumë krahina të Gjermanisë është faktor i rëndësishëm politik dhe pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare mund të jetë pjesë e qeverisë federale. Një turk ministër i jashtëm i Gjermanisë? 50 vjet pas ardhjes masive të turqve në Gjermani kjo nuk duket e pamundshme!

4. Gjaknxehti Erdogan!

Ceremonia qendrore e shënimit të përvjetorit të ardhjes së “gastarbajterëve” turq në Gjermani u mbajt në Berlin. Pothuaj të gjithë politikanët e rëndësishëm të vendit ishin të pranishëm, duke filluar nga kancelarja Angela Merkel e tutje teposhtë në hierarki. Nga Ankaraja kishte ardhur kryeministri Reccep Tayyip Erdogan. Fjalimi i tij ishte i padenjë për ceremoninë. Duke qenë politikan gjaknxehtë, që shpesh e luan kartën patriotike apo nacionaliste (varësisht nga pikëshikimi) Erdogan në Berlin u paraqit si një mbledhës i shpirtrave të humbur të turqve të mërguar, të cilëve u kërkoi të orientohen nga vendi i prejardhjes, nga vatra.

Kjo qasje nuk do të ishte problematike sikur Erdogan njëkohësisht të angazhohej për integrimin e bashkëkombësve apo ish-bashkëkombësve të tij. Prej 2.5 milionë turqve të cilët banojnë në Gjermani, përafërsisht një e treta janë shtetas gjermanë. Erdogan atakoi autoritetet gjermane, të cilat kërkojnë që turqit të mësojnë gjuhën gjermane, madje ata turq e turke, që vijnë në Gjermani në kuadër të bashkimit familjar duhet të ndjekin një kurs dhe të nxënë dijen themelore të gjuhës së vendit nikoqir. Ky është parakusht ligjor. Në lidhje me këtë Erdogan tha: “Kush i shpallë njohuritë e gjuhës gjermane si parakushtin më të rëndësishëm, ai i shkel të drejtat e njeriut”.

Në lidhje me këtë akuzë absurde në gazetën “Süddeutsche Zeitung” u botua një karikaturë, kur shihej Erdogan duke shkelur një kurd dhe duke ia tërhequr vërejtjen Angela Merkelit se duhet të respektojë të drejtat e njeriut. Gazeta majtiste “tageszeitung” e Berlinit në një koment nënvizoi se Erdoganit i mungon kredibiliteti për të folur për të drejtat e njeriut. Për shembull askush nuk i beson një shoferi të Porsche-së kur flet për mbrojtje të ambientit, as kasapi nuk mund të jetë vegjetarian i mirë. Sipas një njoftimi të webfaqes www.journalist.de në fund të qershorit në Turqi gjendeshin në burg 68 gazetarë – ky numër është më i madh se në Kinë dhe në Iran, dy vende me traditë represive kundër medieve dhe zërave opozitarë.