Nga Kimete Berisha, 16 Gusht 2013
Hashim Thaçi po luan me shamia për të fituar votat e elektoratit në zgjedhjet e nëntorit sivjet.
Kush ka provuar të luaj me besimin e njerëzve, në fund e ka humbur edhe besimin në vetvete.
Se, bartëset e shamive në Kosovë janë minoritet, ndërsa votuesit e Hashim Thaçit janë kryeshtruar dhe kundërshtar të përzierjes së fesë në politikë.
Sikur votuesit të kërkonin Zotin nëpër shkolla të shtetit e jo në shpirt e në qiell, Partia e Drejtësisë sot do të ishte partia e parë në Kosovë.
Jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, partitë politike që kanë elemente fetare në përbërjen e emrave të tyre apo në programin e tyre politik, si partitë demokristiane asnjëherë nuk janë bërë parti tē mëdha, dhe mezi i kanë siguruar votat për një deputet.
Komisioni për liritë fetare është dashur të quhej ‘komisioni për lirinë e fesë islame’, sepse në atë komision ka vetëm përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Komisioni apriori është pro bartjes së shamisë në shkolla, përfshirë Petrit Selimin, që është përfaqësues formal i qeverisë në atë Komision.
Qysh bën që në atë komision nuk dëgjohet zë gruaje. Pse në Komision nuk është asnjë anëtare femër!
Pse në komision nuk është asnjë përfaqësues i kishës katolike, ortodokse dhe protestante?
Ky komision patriarkal, njëgjinor dhe njëfetar, që përjashton femrën nga debati për çështje fetare shkel të drejtat e femrës dhe vendos në emër të saj, si dhe shkel të drejtat e feve tjera.
Debati për liritë fetare ka zbritur në debat për shaminë, dhe Amir Ahmeti (nga Partia e Drejtësisë), kryesues i Komisionit, po shpreson që puna e shamive të kryhet urgjent deri më 1 shtator kur fillon viti i ri shkollor.
Debati për liritë fetare sapo është hapur, dhe është hapur keq, ndërsa për t’i shpëtuar manipulimit politik me fenë dhe me besimin, ky debat duhet të mbyllet pasi që të përfundojnë zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.
Sali Berishës nuk i ndihmoi Zoti, inaugurimi i xhamisë së re midis Tirane, as vendimi për rritjen e rrogave, as fakti që vajza e tij e fal namazin dhe është martuar në xhami. Ai në fund, i humbi 1 milionë votues, shumica prej të cilëve besimtar të Zotit.
Hashim Thaçi po bën me hile, e ka krijuar formalisht komisionin për liritë fetare, në mënyrë që edhe të përfitojë politikisht nga rasti fetar, edhe njëjohësisht të mos i mbetet faji.
Është fajtor, sepse nuk zgjodhi komision që gjykon pa emocione dhe pa interes.
Por, Zotin nuk e mashtron.
P.S. Komisioni këshilldhënës për liritë fetare përbëhet nga Amir Ahmeti (Partia e Drejtësisë), Sabri Bajgora (kryeimam), zv. ministri i Jashtëm Petrit Selimi dhe Habit Hajredini nga zyra e kryeministrit Thaçi.