Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Vizita e zëvendëskryeministrit Ilir Meta në Beograd, nuk ishte as e para, as historike, dhe për më tepër as e suksesshme. Nuk ishte e para pasi zoti Meta ka qenë disa herë në Beograd kur ka qenë dhe kur nuk ka qenë në pushtet.
Nuk ishte historike për shqiptarët, pasi nuk prodhoi asnjë ngjarje, dhe asnjë zhvillim në përmirësimin e raporteve mes dy kombeve. Dy problemet, për të cilat Ilir Meta ka siguruar palën serbe, nuk janë as probleme të shqiptarëve, por realisht as probleme të serbëve. Hetimi i supozuar i trafikut të organeve të serbëve të kapur rob nga UÇK-ja gjatë luftës është një përrallë që i ka kaluar koha. Të drejtat e pakicës serbe në Shqipëri, nuk kanë qenë problem kurrë në raportet mes dy vendeve, dhe është hera e parë që shpiket si problem. Vetëm në këtë aspekt vizita e Ilir Metës mund të quhet historike.
Shqipëria praktikisht nuk ka një minoritet kompakt serb. Disa fshatra në veriperëndim të Shqipërisë janë një pakicë malazeze, dhe që nuk kanë asnjë problem me shoqërinë shqiptare. Shtetasit me origjinë serbe që jetojnë rëndom në Shqipëri, jo vetëm që nuk i persekuton kush, por shpesh i kemi në majat më të larta të pushtetit. Mjafton të kujtojmë se fëmijët e kryeministrit shqiptar kanë gjyshe serbe për të kuptuar se sa i kemi respektuar ata pak serbë ose serbe që jetojnë në Shqipëri. Ky problem i stisur prej Ilir Metës, është historik vetëm si gjest i papërgjegjshmërisë politike, por kurrsesi si bilanc historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kjo vizite nuk ishte as e suksesshme pasi ishte e ndërtuar mbi një baze jorealiste raportesh mes dy vendeve. Realisht biznesi serb në Shqipëri pas vitit 2005 ka një gjallëri të madhe. Serbët kanë pushtuar bizneset më të mëdha në vend që lidhen me qeverinë. Mjafton të kujtojmë se Shqipërisë i shesin energji elektrike dy tri kompani serbe, të cilat tashmë e kanë bërë monopol këtë treg dhe mes tyre shquhet serbo-boshnjaku Damir Fazlliç. Kompania “Delta”, një kompani e ish-zëvendëskryeministrit serb Mishkoviç, është po ashtu prezente në Shqipëri si pronar e supermarketit “Euromax”, dhe shqiptarët po blejnë çdo ditë mallra serbe si ushqim në shtëpitë e tyre. Kompania “Alpine” që ka marrë prej qeverisë rreth 100 milionë euro nga fondet publike për ndërtimin e rrugës Vlorë-Levan një aksi të rrugës Fratar-Tepelenë dhe mbikalimin në qendër të Tiranës, është e regjistruar në Tiranë në emër të një administratori serb.
Të gjitha këto janë biznese shumë preferenciale, pasi kanë të bëjnë me rrugët, energjinë dhe ushqimet. Berisha ua ka bërë nderin serbëve më shume se çdokujt tjetër në rajon. Mbetet që serbët të respektojnë ose t’i hapin rrugë biznesit shqiptar në Beograd. Nuk di që Ilir Meta të ketë arritur ndonjë sukses të tillë. Nëse ka, të na e tregojë. Nëse nuk e tregon dot, atëherë urojmë që paratë e fituara në rruge joligjore nga qeveritarët tanë të investohen në Serbi. Për këtë arsye përpjekja e Ilir Metës për të na shitur si historike, dhe të suksesshme një vizitë në Beograd, na duket e tepërt. Përpjekja e tij për te kompensuar defektet demokratike të Shqipërisë, me lëshime pa lidhje për politikat e Beogradit, nuk e shpëtojnë imazhin e qeverisë në Perëndim. Një qeveri qe sillet si ujk me shtetasit e vet, dhe si qengj me ujqërit rrotull saj, është thjesht një qeveri burracake.