Nga Mero Baze
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mendon se ka gjetur një justifikim për raportin negativ të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke fajësuar ekzistencën e opozitës në Shqipëri. Në komentet e tij pas publikimit të disa detajeve nga ky raport, Berisha fajësoi me qetësi opozitën që pengon votimin e disa ligjeve dhe që nuk i bindet vizionit politik të kryeministrit për korrupsionin, shtetin ligjor, krimin e organizuar dhe marrëdhëniet me institucionet e tjera të shtetit.
Lehtësia me të cilën Berisha e shqipton këtë justifikim para kopesë së deleve të tij në mbledhje të qeverisë apo grup parlamentar, ka një shpjegim, pasi aty është e ndaluar të mendosh. Problemi është se si përkthehet në Bruksel ky justifikim.
Gjëja e parë që i shkon në mendje një zyrtari të lartë në Komisionin Evropian në Bruksel kur dëgjon justifikimin e Sali Berishës, është përfytyrimi i bezdisë që ka ky politikan për opozitën. Me vetëdijen e një njeriu të pushtetshëm që e përfytyron opozitën thjesht si shërbëtore pa kushte të qeverisë, Berisha kërkon t’i mbushë mendjen tempullit të demokracisë evropiane, se atij i ka rënë në pjesë një opozitë kokëfortë që nuk e “dëgjon” atë.
Në koshiencën e tij politike, ai nuk ka asnjë përgjegjësi për mosdëgjueshmërinë e opozitës dhe e konsideron anti-perëndimor faktin që opozita nuk është luajale me të. Në kulturën e tij politike, ai e konsideron dialogun me opozitën si një meshë ku Berisha duhet të lexojë psalmet dhe opozita në sallë duhet të thotë “amin”. Në veprimin e tij politik ai kurrë nuk mendon se që të bashkëpunojë me opozitën duhet ta shikojë vetveten si pjesë e kërkesave dhe debateve që opozita ngre për të mirën e vendit këto dy vjet.
Për këto arsye ai rrezaton pa shumë takt një kulturë anti-perëndimore, jo vetëm në ato që bën dhe nuk bën për ta çuar Shqipërinë në Evropë, por dhe në ato që thotë për të justifikuar këtë dështim. Investimi i tij për ta paraqitur opozitën si problem për të dhe Shqipërinë, është një rast i pashembullt edhe për republikat e Kaukazit, ku liderët e opozitës zihen në kazan me ujë të nxehtë. Opozita shqiptare është një forcë pro-perëndimore e gjithëpranuar nga Perëndimi, dhe problemi i krizës politike në vend është pikërisht problem që buron nga kultura politike e Sali Berishës për opozitën si një bezdi kombëtare.
Problemi i dytë i rëndë që lind nga justifikimi i Berishës është tuneli pa dritë në të cilën futet Shqipëria. Komisioni Evropian mendon se duke mos plotësuar asnjë nga 12 rekomandimet e tij, qeveria shqiptare është dëshmuar si qeveri anti-evropiane dhe kjo nënkupton që nëse shqiptarët janë vërtet të interesuar për perëndimin, duhet t’i kërkojnë llogari qeverisë. Kjo logjikë normale dhe demokratike e Perëndimit në të vërtetë konvertohet në një makinë propagandistike anti-perëndimore në Tiranë. Vullneti i qeverisë së Sali Berishës për të mos pasur më punë me Perëndimin pas liberalizmit të vizave, tani po përpiqet ta përkthejë këtë dështim sikur vjen nga opozita.
Pra edhe në këtë rast Berisha mendon se mund ta zhdukë opozitën në Shqipëri duke qëlluar me dorën e Perëndimit mbi të. Kjo qasje e frikshme e tij ndaj integrimit evropian të Shqipërisë, është e kuptueshme për ne që e njohim, por është absurde për tu deshifruar nga ata evropianë që e kanë marrë seriozisht aspiratën tonë për t’iu bashkuar Evropës. Me këtë justifikim ata nuk shikojnë asnjë shpresë për reflektim dhe nuk dinë nëse ndëshkimi ndihmon aspiratën perëndimore të Shqipërisë, apo zhduk dhe ishujt e fundit perëndimorë në këtë vend.
Së fundmi vizioni i Berishës për një vend pa opozitë në rrugën drejt Evropës ka lidhje me probleme konkrete që atij ja shkakton pikërisht vizioni perëndimor i opozitës. Kriza shqiptare dy vjeçare është një krizë e prodhuar nga mungesa e standardeve perëndimore për zgjedhjet, në të cilat Berisha fut duart. Për dy vite rresht ai kundërshtoi parimin e opozitës që çdo votë duhet të shikohet dhe të lexohet duke nxjerrë arsye ligjore si pengesë, kurse sot trumbeton parimin që çdo vote duhet të lexohet duke shkelur mbi bazën ligjore që rregullon një proces zgjedhor. Sali Berisha ka po ashtu problem me vizionin perëndimor të shoqërisë për korrupsionin.
Nëse në Perëndim djali i një kryeministri do merrej me demontim armësh dhe tregtinë e tyre, nëse vajza e kryeministrit do të kërkonte 3 për qind të vlerës së investimit për çdo firmë të babit të saj, nëse gruaje e kryeministrit do të shndërrohej në një seksere të botës mafioze për larje paresh në fondacione bamirëse, atëherë ai kryeministër nuk do të mbushte dot 24 orë. Sali Berisha ka problem me këtë vizion perëndimor për pushtetin e tij dhe çuditet se si media dhe opozita mund t’ia përmendin këtë histori të ndyrë mafioze që ka kapur shtetin në Shqipëri. Pra, ai ka problem real me vizionin perëndimor të shqiptarëve për qeverisjen dhe e quan këtë si fatkeqësi.
Ai po ashtu ka problem me vizionin perëndimor të shqiptarëve për lirinë ekonomike dhe biznesin në vend, pasi opozita kërkon që prokurimet publike të mos përfundojnë tek tre-katër biznesmenë të familjes, që janë bërë kupola mafioze e vendit, por të kenë shanse të gjithë të konkurrojnë dhe të zhvillojnë bizneset e tyre pa qenë nevoja të njohin vajzën, djalin, gruan apo nipërit e mbesat e tyre në pushtet. Por mbi të gjitha Berisha ka problem me vizionin e opozitës shqiptare dhe të shoqërisë shqiptare për shtetin ligjor. Ai nuk e kupton dot se si mund të arrestohet Lulëzim Basha pse është akuzuar për 200 milionë euro abuzime dhe që ka në shpinë katër të vrarë më 21 janar. Ai nuk e kupton dot si mund t’i arrestohet i biri apo Fatmir Mediu për 26 të vrarë në Gërdec.
Ai nuk e kupton dot se si mund t’i arrestohet Ilir Meta për atë shfaqje skandaloze para shqiptarëve duke folur për miliona euro përfitime nga pushteti. Ai e quan këtë si një fatkeqësi që opozita po ja prodhon Shqipërisë dhe po e lë atë jashtë Evropës. Është pikërisht kjo baza reale e konfliktit që Berisha ka me Perëndimin. Ai nuk bën dot zgjedhje të lira, nuk bën dot ekonomi të lirë tregu, nuk lufton dot korrupsionin dhe nuk e lë dot të lirë sistemin gjyqësor të ndëshkojë krimin dhe korrupsionin.
Ky vizion i tij është në opozitë reale me Perëndimin dhe opozitën shqiptare. Për të rruga drejt Evropës kalon nga pushteti i tij personal dhe jo nga pranimi i opozitës. Mjafton kaq që të kuptojmë të gjithë se me këtë njeri Evropa do të largohet përditë e më shumë nga shqiptarët. Mjafton kaq për të kuptuar se ai nuk është aspak i shqetësuar pse Evropa po na la jashtë dyerve të saj. Ai është i dënuar të jetë ose në pushtet, ose në Evropë. Nuk mund t’i bëja të dyja njëkohësisht.