Një vit me zhvillime të rëndësishme politike, por ku fjalën e thanë shqiptarët dhe jo politikanët

0
35

Nga Enton Palushi

“Sali Berisha nuk ka qenë asnjë ditë shumicë, por ka përfituar falë ndarjes sonë. Ndaj do ishte krejt e panatyrshme dhe e pafalshme që sot ne, PS, të mos bëjmë gjithçka për të rihapur rrugën e bashkimit që siguron votën e shqiptarëve më 23 qershor, duke i kthyer shumicës së popullit të drejtën e qeverisjes”.

Kështu do të deklaronte Edi Rama në një prej konferencave për shtyp më të vështira të karrierës së tij politike.

Po bëhej gati për të ftuar Lëvizjen Socialiste për bashkëpunim në një koalicion zgjedhor.

Zërat se Ilir Meta do të largohej nga koalicioni me Partinë Demokratike u përforcuan më shumë kur ai vizitoi një mbrëmje selinë e kryeministrisë, ku e priste Sali Berisha.

Më përpara disa socialistë europianë kishin kërkuar bashkëpunim mes PS dhe LSI, megjithatë dukej diçka ende e largët.

Por më 1 prill, u kurorëzua ai që më vonë do ishte koalicioni fitues i zgjedhjeve të 23 qershorit, Aleanca për Shqipërinë Europiane.

Edi Rama kishte çimentuar fitoren e zgjedhjeve, do shpreheshin analistët, megjithatë morali i kësaj fitoreje ishte vënë në dyshim.

U desh disa muaj megjithatë që Edi Rama dhe Ilir Meta të shfaqen sërish së bashku përpara opinionit publik.

E bënë këtë gjë dy ditë përpara zgjedhjeve, kur deklaruan se do të mbrojnë votat.

Meta, më entuziast, deklaroi se do marrin deri në 80 mandate.

“Shpreh bindjen se Aleanca për Shqipërinë Evropiane do fitojë 80 mandate, është e qarte se kjo është aleanca më e madhe që nga viti 1992 dhe aleanca do të vijë duke u zgjeruar pas 23 qershorit, pasi fryma e saj është fryma e bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes”, tha Meta.

Por as optimizmi i Ilir Metës nuk e parashikonte atë që do të ndodhte më 23 qershor.

Dita e zgjedhjeve nisi e qetë, por vetëm pas pak orësh u shënua një incident i rëndë në qytetin e Laçit. Një përkrahës i opozitës u qëllua për vdekje, ndërkohë që një kandidat i Partisë Demokratike mbeti i plagosur.

Por incidenti nuk e eklipsoi ditën e votimeve, që u mbyll me qetësi.

Disa orë më vonë, rezultati ishte thuajse i qartë. Nuk kishte asnjë dyshim se mazhoranca kishte humbur thellë. Tanimë askush nuk e ndalte vullnetin e popullit.

Edi Rama kishte deklaruar më parë se do të fitonin thellë, aq sa për të përmbysur edhe marzhin e manipulimeve të Partisë Demokratike.

Askush nuk mund të thotë me saktësi se deri në ç’masë pati manipulime nga pushteti në këto zgjedhje, por me daljen në opozitë, demokratët nisën të akuzojnë se zgjedhjet ishin vjedhur dhe blerë nga pushteti i mafies.

Sali Berisha dhe njerëzit e tij u zhdukën nga ekrani dhe ia lanë vendin Edi Ramës dhe socialistëve, që filluan të festojnë me entuziazëm në rrugë.

Në fjalimin e parë si kryeministër, dy ditë pas zgjedhjeve, Edi Rama nuk harroi që të falënderonte edhe kundërshtarin e tij.

“Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh edhe më shumë në demokraci të pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu.

Unë sonte dua ta falënderoj për çdo gjë të mirë për të cilën historia do e vlerësojë me një objektivitet më të madh se unë dhe i uroj të gjithë të mirat në jetën private në vazhdim.

Dhe tani që zgjedhjet përfunduan, dua ta bëj shumë të qartë se vullneti im është që t’u shërbej me përkushtim të gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që votuan për fituesin,” tha Rama.

Nuk zgjati shumë dhe demokratët pranuan humbjen.

Sali Berisha u shfaq në një konferencë për shtyp me lot në sy duke deklaruar se jepte dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

Më 26 qershor, Sali Berisha me gjysëm zëri i uroi mbarësi kundërshtarit të tij.

“Miqtë e mi, në këtë fushatë ju keni punuar fort, me sakrifica dhe përkushtim të madh. Sikundër unë jam përpjekur me mish e shpirt të bëj më të mirën për fitoren tonë. Por kjo nuk ndodhi. Ne i humbëm këto zgjedhje dhe besomëni mua, se për këtë humbje e tërë përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi mua, Sali Berishën.

Kështu që, duke marrë gjithë përgjegjësitë që vërtetë më takojnë, në një vendim të prerë, kam vendosur të jap dorëheqjen nga të gjitha funksionet e mia në forumet e Partisë Demokratike,  të jem thjeshtë njëri prej jush, anëtar i PD-së dhe deputet i saj, të punojë me përkushtim të madh së bashku me ju dhe lidershipin e ri, për të mbrojtur dhe promovuar si opozitë, vlerat dhe parimet themelore të programit tonë, për ta shndërruar atë përsëri në një program të shumicës së shqiptarëve. Ndaj dhe ju lutem të mos gaboni të merrni apo të konsideroni këtë fjalë si një fjalim lamtumire. I tillë ky nuk është. Madje nga unë, Partia Demokratike, anëtarët dhe mbështetësit e saj nuk do të dëgjojnë ndonjëherë fjalim lamtumire për faktin e thjeshtë, se ai do të ishte një fjalim të cilin unë s’do mund ta lexoja kurrë,” tha Sali Berisha në fjalën e tij.

Menjëherë në PD nisën zgjedhjet për kryetarin e ri.

Në garë hyri Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha.

Edhe pse Sali Berisha deklaroi se nuk do të përfshihej në këtë garë, anëtarësia e PD duket se e mori mesazhin për të preferuarin e tij.

Por gjërat nisën të ndryshojnë dhe gara u forcua. Kjo duket se bëri që në fund fshehtësia e votimit të prishej, pasi anëtarët merrnin fleta votimi me numër rendor, çka u identifikonte votën.

Olldashi u kërkoi ndjesë atyre demokratëve që nuk e gjetën emrin në listat e votimit dhe thumboi Berishën për çështjen e numrit rendor.

Pak më vonë, ai doli më hapur duke e quajtur procesin të deformuar. Zërit të tij iu bashkua edhe Astrit Patozi.

“Përzgjedhja e kryetarit të ri të PD-së u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar.

Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve.

Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD.

Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë – apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë,” tha Olldashi.

Pavarësisht këtyre zërave, Basha u bë kryetar i ri i PD-së dhe premtoi një opozitë ndryshe.

Nuk zgjati shumë dhe opozita ishte thuajse ajo e stilit të Sali Berishës.

Vetë Basha nisi që të përdorte fjalorin e Berishës, duke bërë disa herë thirrje për protesta.

E para protestë e Partisë Demokratike u bë pikërisht pas një transmetimi të emisionit “Fiks Fare”. Disa studentë merrnin para nga një zyrë e forumit rinor të PS për udhëtimin drejt Korçës për të votuar në zgjedhjet e pjesshme lokale.

Kaq mjaftoi dhe Basha e quajti këtë shkeljen më të rëndë të demokracisë dhe thirri qytetarët në një protestë.

I bindur se qytetarët nuk do dilnin në protestë pikërisht për çështjen e votës, ai bëri thirrje që qytetarët të protestojnë edhe për çështjen e armëve kimike siriane, që ishte përfolur se do demontoheshin në Shqipëri.

Por ai postim në Facebook i Lulzim Bashës, i nxitur nga një postim i mëparshëm i Sokol Olldashit për të protestuar, solli edhe zemërimin e Uashingtonit.

Ambasadori Aleksandër Arvizu deklaroi se ata nuk e dinë ende se kush e drejton Partinë Demokratike. Madje Arvizu shkoi më larg kur tha se Basha kishte shkelur vijën e kuqe, pasi kishte premtuar për SHBA se nuk do protestonte për këtë çështje.

Nisi kështu një tjetër zhvillim i rëndësishëm në jetën politike të vendit.

Mijëra qytetarë dolën në rrugë për të kundërshtuar ardhjen e armëve kimike siriane në Shqipëri.

Demokratët u bashkuan me këtë protestë, por qytetarët i refuzuan. Sali Berisha dhe Lulzim Basha u zbuan nga sheshi ku po protestonin qytetarët.

Vetë Edi Rama, në një nga fjalimet e tij më të rëndësishme, pranoi se Shqipëria nuk ishte gati për të marrë armët kimike siriane.

“Lërini në marrinë e tyre ata që duan ta bëjnë përsëri lëmsh mendjen e këtij populli duke nxitur një antiamerikanizëm që na turpëron si komb, si vend, si shoqëri, si shqiptarë e si qytetarë;

ata që duan t’ju helmojnë e çorodisin përditë me shpifje, gënjeshtra e mllefe gjithëfarë, siç kanë bërë me vite këtyre anëve;

ata që duan t’ju ngopin me lugën bosh të injorancës e të ligësisë së tyre të njohur ndaj këtij vendi,” tha Rama.

Ishte një fitore edhe për Edi Ramën, që hyri në historinë e postkomunizmit si kryeministri që dëgjonte qytetarët.

Por a ishin zemëruar amerikanët nga qëndrimi që mbajti Shqipëria?

Mesazhet e mëvonshme të Uashingtonit ishin pozitive, por zërat nga politikanët se krisja ka ndodhur nuk munguan.

Sërish me sytë jashtë vendit, fundviti do ishte i ankthshëm për politikën dhe shqiptarët, në pritje të vendimit për statusin e vendit kandidat për në BE.

Atëherë kur ishte menduar se gjërat ishin thuajse të mbaruara dhe vendi do e merrte statusin në samitin e 18-20 dhjetorit, Hollanda u bë i pari vend që kundërshtoi dhënien.

Ata vunë veto në një qëndrim që nxiti zemërim në Shqipëri.

Hollandës iu bashkuan edhe vende të tjera, ndërsa u vu re qartë se euroskepticizmi po fitonte terren në BE.

Pas lajmit të vetos nga Hollanda, ishte thuajse e kotë të shpresohej për ndonjë ndryshim.

Shqipërisë iu dha shpresë për në qershor, por zërave kundër iu bashkuane dhe Britania e Madhe dhe Çekia.

Opozita, që mezi e kishte pritur këtë vendim, deklaroi se Edi Ramën nuk e beson as SHBA dhe as Europa.

Vetë Edi Rama tha se një vendim i tillë nuk do e zmbrapsë Shqipërinë në rrugën drejt BE.

“Ky vendim vetëm e rrit vendosmërinë tonë për reforma të thella shtet-ndërtuese dhe ndryshime rrënjësore e cilësore në çdo fushë, në mënyrë që gjithkush në Shqipëri, të prekë vijimësisht, rezultate të reja të mirëqeverisjes sonë në të mirë të vendit dhe të çdo qytetari.

E kemi thënë kaherë dhe dua ta përsëris edhe sot:

Për ne procesi i integrimit evropian nuk është udhëtim për diku jashtë Shqipërisë, po rrugëtim brenda nesh; për ta ndërtuar Shqipërinë Evropiane këtu, në rrugët, shkollat, shërbimet publike, ekonominë dhe rendin ligjor e sigurinë e atdheut tonë,” tha Rama.

Ekspertë, por edhe politikanë të BE-së vunë si gjithmonë theksin tek nevoja për luftë ndaj korrupsionit. Një eurodeputet madje tha se duhet arrestuar ndonjë kryeministër. Mediat spekuluan se bëhej fjalë për Sali Berishën.

Por ndërkohë disa gjëra nisën të ndryshojnë në këtë drejtim.

“Viktima” e parë ishte Shpëtim Gjika, kryebashkiak i Vlorës. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi një të dielë se kishte bërë gati dosjen ndaj tij.

Disa ditë më vonë, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli deklaroi se ka përgatitur dosjen për në prokurori për paraardhësin e saj, Arben Imami.

Ndërsa në mbyllje të vitit, prangat iu vunë kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.

Nga ana tjetër, qeveria nisi prishjen e ndërtimeve që nuk zbatojnë rregullat, duke e bërë simbol të prishjeve me tritol pallatin e vjehrrit të Lulzim Bashës.

Pallati e vjehrrit të Bashës e mbrojti më hapur Sali Berisha, që dukej se po ndjente se laku po ngushtohej.

Ndërkohë Lulzim Basha, larg parlamentit, vijoi të ishte i zbehtë edhe në fundin e vitit.

Vdekja e kundërshtarit të tij në zgjedhjet për kryetar, Sokol Olldashi, në një aksident rrugor, shtoi spekulimet se ai po përgatiste një lëvizje brenda PD-së. Një deputete pranë Olldashit, Mesila Doda, tha se atë e lanë vetëm.

Fundviti politik u mbyll me një seancë për buxhetin, ndërkohë që diskutimi në parim pa Sali Berishën të shpërfytyruar.

FMN i deklaroi se kishte manipuluar shifrat e ekonomisë, duke ia plasur në turi çështjen e skenarit grek.

Viti nis me një buxhet të hartuar me kujdesin e FMN-së, të cilën Sali Berisha e akuzon se ka gisht edhe tek piramidat e vitit 1996- 1997.

Edi Rama thotë se buxheti ka shmangur më të keqen, duke minimizuar deri në maksimum ndërhyrjet e dhimbshme.

Një media e huaj shkruan se Shqipëria do ketë rritje 2 përqind vitin që vjen, ndërkohë që perspektiva është e mirë.