Një vit me 21 ditë

0
31

Nga Mero Baze, 28 Dhjetor 2011

Sali Berisha ishte i dënuar të fliste dje për 21 Janarin. Në bilancin e tij vjetor, ai u përpoq të gjente një përkufizim për 21 Janarin si një datë, e cila nuk ndan në dy pjesë vetëm vitin 2011, por tashmë gjithë fatin politik, ligjor dhe ndoshta fizik të Sali Berishës, Lulëzim Bashës dhe pushtetit të tij.

Nuk vlejnë shumë ato që Sali Berisha tha për atë çfarë ndodhi, para apo pas 21 Janarit. Në gjithë variantet që ta shikosh, viti që po lëmë pas ishte një nga vitet më të shkurtër politik të historisë së demokracisë, pasi koha ngeli më 21 Janar. Ajo çfarë ka bërë qeverisja dhe pushteti pas 21 Janarit, janë një kalvar i gjatë për të mbuluar krimin e 21 Janarit dhe jo për të qeverisur shqiptarët.

Ashtu si historia e Gërdecit ndryshoi historinë politike të Berishës dhe e zhyti atë në spiralen e krimit dhe e bëri peng të mafies kombëtare dhe rajonale, vetëm për të shpëtuar të birin nga një krim i përgatitur me qetësi, ashtu dhe 21 Janari e ka futur atë në spiralen pa kthim të mbulimit të një krimi, që tashmë e ka kryer vetë. Nëse historia e Gërdecit i bëri peshqesh Shqipërisë gjithë matrapazët dhe trafikantët në qeverisje, kapjen e sistemit gjyqësor, shkatërrimin e institucioneve dhe raportet mes tyre, 21 Janari hodhi në erë gjithçka.

Pas 21 Janarit pushteti në Shqipëri nuk njohu më presidentin, kryeprokuroren, SHISH-in, medien e lirë dhe asnjë faktor tjetër politik apo civil në vend, që ishte i lirë nga krimi. Bilanci i asaj tragjedie nuk ishin vetëm katër të vrarët. Ata janë gjaku i pamarrë për Sali Berishën. 21 Janari pushkatoi institucionet e shtetit shqiptar, i humbi kuptimin drejtësisë, i humbi kuptimin presidentit dhe shërbimit sekret, i bëri qesharakë diplomatët e huaj dhe mbi të gjitha la vendin të qeveriset nga makthet e një njeriu që ka vrarë dhe që po vazhdon të gërmojë të nxjerrë baltë për të mbuluar krimin.

Kështu, nën makthin e njeriut që vrau me dëshmitarë, Sali Berisha diktoi gjithë zhvillimet pas 21 Janarit në funksion të mbulimit të krimit. Ai mori bashkautorin në vrasje, Lulëzim Basha dhe e ktheu nga vrasës në ofertë për qeverisje të Tiranës. Mobilizoi për këtë një makineri të tërë shtetërore. Ministria e Brendshme u kthye në shtab elektoral dhe të dhënat personale të shqiptarëve përfunduan në kompjuterët e njeriut që donte të lante gjakun me vota. Votues të identifikuar dhe anonimë, nga Shqipëria apo nga Kosova, transferime të brendshme votuesish dhe blerje me pare, banditë të nxjerrë nga burgu që hidhnin në erë zyra elektorale dhe miliona në shërbim të fushatës, nëpunës të tredhur të universiteteve private, që u vunë në shërbim si dikur në kohën e Rrapush Xhaferit dhe një medie e tërë mercenare, dhe prapë nuk ia doli. Kutia e fundit u numërua para miliona shqiptarëve dhe Projekti Berisha rezultoi humbës.

Bashkë me Tiranën humbën thuajse gjithë qytetet e Shqipërisë, zona më e ndriçuar e vendit. Sali Berisha nuk ishte i shqetësuar për to. I duhej me çdo çmim Tirana, jo aq për leje ndërtimi apo bizneset e Kunatit, që po shohim përditë, por për t’i dhënë një alibi të madhe vrasjeve të 21 Janarit, për t’i amnistuar ato në emër të popullit. Dhe meqë populli nuk e amnistoi. ai gjeti Tomën dhe Sashenkën dhe e mbylli këtë histori. Mandati i grabitur publikisht nuk iu njoh as nga raporti i ODIHR, as nga media dhe as nga diplomatët, të cilëve u doli pak pija me vonesë. Kjo duket se ia thelloi boshllëkun që ndjen brenda vetes për një krim që i ka mbetur zbuluar.

Pasi mendoi se suksesi i dhunës politike mund të eliminonte kundërshtarin, ai mobilizoi një tufë lakenjsh të tij brenda opozitës me shpresë se në vend të ODIHR, grabitja e mandatit do të certifikohej nga Kastriot Islami apo Arben Malaj. Nuk u funksionoi as kjo, edhe pse disa emra të opozitës në mënyrë të turpshme flasin njësoj si Berisha, kur i referohen 8 Majit pa e përmendur grabitjen e mandatit.

Ndërkohë kriza ekonomike botërore dhe ajo shqiptare, të binjakëzuara prej kohësh, po bënin kërdinë. Sali Berisha në vend të merrej me një qasje realiste ndaj situatës dhe të kërkonte një zgjidhje racionale për të lehtësuar barrën e kësaj krize, filloi të bëjë dhe Don Kishotin. Filloi të flasë për një ekonomi që i ka rezistuar krizës, ndërkohë që në vend po bie zija, dhe mbi të gjitha flet për rritje ekonomike dhe investime, ndërkohë që ai ka mbytur buxhetin në borxhe dhe nëse nuk shet digat dhe hekurishtet dhe ç’ka mbetur ende nga koha e Enver Hoxhës, nuk ka as çfarë të ndajë për rroga. Shumë vetë nuk e kuptojnë pse ngazëllehet kaq shumë ky njeri me krizën. Ka vetëm një arsye. 21 Janari. Me logjikën e tij të mbrapshtë ai mendon se duke folur për suksese, duke folur për arritje dhe mirëqenie, duke folur për fitore në zgjedhje, dhe mbi të gjitha për sukses ndërkombëtar, ka arsye t’i harrohet 21 Janari.

Por ne jemi të pafuqishëm për këtë gjë. Ky vit që po mbyllet ka pasur normale vetëm 21 ditë. Ato para se të ndodhte krimi. Gjithçka që ndodhi më pas e ka diktuar ai. Ai ka diktuar vjedhjen e mandatit të Tiranës, kurorëzimin e bashkautorit në vrasje për kryetar bashkie, entuziazmin qesharak për krizën ekonomike, panikun nga pakti me dhjetë pika i ofruar nga opozita vetëm pse ajo në një pikë të mallkuar përmbante 21 Janarin, dhe në fund vendosmërinë e tij të flasë për një president të Partisë Demokratike, si e vetmja garanci që ai ka për të pastruar gjakun që ka derdhur më 21 janar.

Ky është bilanci më i lodhshëm dhe më deprimues që një ditë e vetme e një viti i dikton një lideri në pushtet. Ky vit ka qenë i gjithi një periudhë kohore që nuk punoi për shqiptarët, por për të shpëtuar Sali Berishën nga krimi që ka bërë. Nuk e shpëtoi dot. Ka ngelur ende varr i hapur. Janë 8 fëmijë jetimë që shikojnë çdo ditë Sali Berishën në televizor dhe të rriturit u tregojnë se këta i kanë lënë pa prindër. Janë institucionet e dhunuara nga Berisha, që kanë dokumentuar krimin. Është vetë Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, që përveçse kanë vrarë, kanë konsumuar dhe krimin e zhdukjes me vetëdije të provave, duke fshirë serverin e kryeministrisë ku janë të regjistruara pamjet filmike dhe urdhrat në radiot e Gardës që kanë përcjellë sulmin vrastar mbi qytetarët.

Ka vetëm një rrethanë lehtësuese për Sali Berishën. Ta lërë drejtësinë të pastrojë këtë histori kriminale duke iu dorëzuar asaj. Do të jetë më mirë për të në këtë moshë me këto pak probleme shëndetësore që ka. Në moshë më të thyer është dhe më keq. Dhe në vdektë nga Zoti pa u dënuar, do të jetë më keq për ata që lë pas. Askush nuk ia fal atë gjak, as atij, as Lulëzim Bashës. Rreziku i vetëm është se duke mos e pranuar këtë realitet, ata do të bëjnë krime të tjera për të mbuluar këtë krim. Është e vetmja fushë ku ata do kenë arritje të reja çdo vit që vjen, nëse i lejojmë në pushtet!