Nga Mero Baze
Qeveria shqiptare nuk është e shqetësuar nga refuzimi kategorik që Bashkimi Evropian i bëri kërkesës formale elektorale të kryeministrit Sali Berisha për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian. Mungesa e shqetësimit nuk vërehet vetëm tek anashkalimi që Berisha i bëri dje komenteve të përfaqësuesit të BE, Pier Mirel, i cili i dorëzoi lajmin e keq kryeministrit para medies. Ai ishte vetëm një detaj. Mungesa e shqetësimit të qeverisë shqiptare vërehet tek arsyet që vetë Bashkimi Evropian rendit për këtë refuzim që i ka bërë qeverisë shqiptare.
Nëse u hedh një sy arsyeve që rendit Bashkimi Evropian, shikon se shumë prej tyre janë thjesht çështje e vullnetit politik dhe jo pamundësi administrative, apo çështje të klimës politike ndërkombëtare.
Kështu, vetëm nëse i referohesh progres-raportit, e kupton qartë se në paragrafin për krizën politike gjëja më e rëndë që konstatohet është se “qeveria nuk ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e krizës”. Pra, thjesht nuk ka dashur ta zgjidhë. Përtej krizës politike, të gjitha arsyet e tjera janë thjesht deformime të qëllimshme demokracisë. Kështu, pas krizës politike, progres-raporti ka kryqëzuar Jozefina Topallin si drejtuese e pandershme parlamenti, me një administratë të politizuar dhe qëndrime ekstreme që dëmtojnë parlamentarizmin. Nëse qeveria do të kishte vërtet vullnet për të plotësuar kushtet e përfitimit të statusit të vendit kandidat, më e pakta që duhet të bënte është të shkarkonte zonjën Topalli nga kjo detyrë, pasi nuk ka kohë të marrim sërish mot në vjeshtë këtë notë pakaluese për shkak të saj. Ta harrojmë se këtë mund ta bëjë qeveria.
Pas parlamentit, progres-raporti rendit si problem krimin dhe korrupsionin. Mjafton të themi se qysh kur Lulëzim Basha është bërë Ministër i Brendshëm krimi në Shqipëri ka lulëzuar më shumë se në çdo kohë tjetër pas vitit 1990, dhe është viti i parë pas vitit 1998 kur vriten politikanë në Shqipëri dhe shteti, jo vetëm që nuk reagon, po ngatërron me vetëdije pistat. Qysh pas vrasjes së Azem Hajdarit, kur së paku emrat e vrasësve u shqiptuan, por nuk arrestoheshin, ky është viti më i zi i përdorimit te krimit kundër politikës dhe i lulëzimit të krimit në rrugë, për shkak të lidhjeve kriminale që ka stimuluar Ministri i Brendshëm.
Që ne të korrigjohemi një vit më vonë duhet së paku të ndërrojmë nga Ministër Lulëzim Bashën. Ta harrojmë se këtë mund ta bëjë qeveria.
Një pikë tjetër e rënd pas krimit dhe korrupsionit ishte humbja e pavarësisë së drejtësisë. Progres-raporti kritikon ashpër hedhjen poshtë për arsye politike të dekreteve të presidentit Topi, dobësimin me ligj të rolit të kryeprokurores së vendit dhe kontrollin e pushtetit mbi Gjykatat. Që kjo vitin tjetër të jetë një notë kaluese, duhet që së paku kandidaturat e presidentit të mos refuzohen, presioni politik mbi prokurorinë të ndalet, dhe Berisha të ridorëzojë imunitetin e Fatmir Mediut dhe Lulëzim Bashës për t’i dhënë shpresë drejtësisë se politika ka hequr dorë nga “pandëshkueshmëria” e njerëzve ne pushtet. Ta harrojmë se këtë mund ta bëjë qeveria.
Më poshtë progres-raporti nënvizon problemet që janë krijuar me lirinë e medies në vend. Raporti shpreh shqetësim për gjobat selektive ndaj medies, klimën e auto-censurës që ka nxitur kontrolli i politikës përmes biznesmenëve dhe klima e keqe që rrethon lirinë e medies. Që vitin tjetër Shqipëria ta marrë këtë status, Sali Berisha duhet të urdhërojë prapë Agim Shehun t’i heqë sërish gjobat gazetës Tema, Korrieri dhe Shekulli, të thërrasë prapë në shtëpi Rezart Taçin dhe ta urdhërojë të tërhiqet nga investimi në media pasi ka nxire imazhin e Shqipërisë dhe në fund t’i heqë së paku një nga katër licencat që ka zaptuar Aleksandër Frangaj në transmetimet televizive, duke i hapur rrugë barazisë para ligjit dhe konkurrencës së lirë. Ai duhet po ashtu të urdhërojë Drejtorin e Postave të anulojë abonimet e dhunshëm për Gazetën 55 që u bën punonjësve të vet, dhe të anulojë tenderët publik në rrugë që marrin botues të medieve si Frangaj dhe Balliu nën emra të firmave fantazëm. Ta harrojmë që qeveria mund ta bëjë këtë.
Dhe qeveria nuk bën asgjë nga këto gjatë këtij viti që vjen, jo se nuk mund, por se nuk do. Qeveria mund ta realizojë transparencën e zgjedhjeve, mund ta shkarkoj një “Lenka Çuko” të dytë qesharake që ka në krye të Kuvendit, mund ta heqë nga lista e ministrave një njeri të super-akuzuar për lidhje me krimin dhe korrupsionin si Lulëzim Basha, mund të heqë dorë nga kontrolli mbi drejtësinë, mund të heqë dorë nga lufta e pandershme ndaj medies kritike. Por nëse i bën gjithë këto që thotë Bashkimi Evropian, kësaj qeveri i duhet të IKE! Dhe meqë nuk do të ikë, ajo po mbron dosjen e zezë që po na lë jashtë Bashkimit Evropian.
Pra, ky është rasti tipik kur qeveria nuk është fare e shqetësuar për progres- raportin, pasi ajo e “ka shkruar” vetë atë. Siç thotë zoti Berisha çdo vjeshtë sa herë që publikohet progres-raporti, “ai është program pune për qeverinë” dhe siç shihet qeveria po e bën nga viti në vit më keq punën e saj me vetëdije. Nuk është paranojë të themi se qeveria shqiptare nuk do që të integrohemi në Evropë. Është shumë logjike refuzimi i saj. Ajo duhet të zgjedhë mes pushtetit të saj dhe standardit të qytetarëve. Nëse ajo fut Shqipërinë në Evropë, i bie të ikë nga pushteti, nëse na mban larg saj, mund të na sundojë si një turmë primitive.
Fytyra e vrerosur e Sali Berishës ditën e djeshme, që bënte sikur nuk e dëgjonte çfarë i thoshte i dërguari i Bashkimit Evropian në krah të tij, është shembulli tipik i një kryeministri hileqar, që realisht nuk është i interesuar të zhvillojë vendin e tij sipas standardeve që i ofron Perëndimi, por i duhet si një bajrak i tij, ku të sundojë pushteti i familjes së tij mbi qytetarët, pa rregulla, pa ligje, me vetëgjyqësi. Nuk e do realisht futjen në Evropë, pasi ajo shtëpi e madhe luksoze, prish kullën e tij ku ka mbyllur shqiptarët. Ajo që për ne është ëndërr, për të është makth, pasi është fundi i pushtetit të tij, nga i cili ai s’ka fuqi të çlirohet vetë, pa e ndihmuar të gjithë, të çlirohet duke e hequr qoftë dhe zvarrë nga rruga që na ka zënë.