Një vështrim prapa

0
22


Nga: BESNIK MUSTAFAJ, 26 Nentor 2010

20 vjet do të duhej të ishin një periudhë e papërfillshme në jetën e gjatë të një kombi….

Por, në jetën e Shqipërisë, 20 vjetët e fundit shënojnë kapërcimin e vendit nga izolimi i plotë, në paraqitjen e tij si protagonist aktiv në rajon e më gjerë. Është dashur, pra, të kalohet nga njëri pol në tjetrin, gjë që e bën këtë rrugë shumë më të gjatë nga ç’premton thjesht shtrirja e saj në hapësirën kohore prej dy dekadash. Duke u përqendruar vetëm te politika e jashtme, përfitoj nga ky rast për të theksuar sa i vështirë ka qenë ky rrugëtim në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Meqenëse edhe përvoja ime politike në këto njëzet vjet është tërësisht në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, do ta kem më të lehtë të sjell ndonjë shembull, i cili me përmbajtjen e vet, i bën të tepërta komentet.

1
Rrëzimi i diktaturës, ardhja e lirisë, shënoi rrëzimin e murit të brendshëm, me të cilin Shqipëria e kishte rrethuar veten për t’u ndarë me të tjerët. Ne nuk e kishim përfytyruar dhe nuk mund ta përfytyronim nga brenda se për të dalë vërtet nga izolimi dhe për të zënë një vend të respektuar në skenën ndërkombëtare, do të na duhej të rrëzonim edhe një mur tjetër, një mur i jashtëm ky, i padukshëm në vështrim të parë, që do të thotë se ishte posaçërisht i vështirë për t’u shembur. Ne nuk ishim përgatitur fare për t’u ndeshur me të. Ne u shfaqëm në skenën e madhe të botës së lirë mirëfilli si të panjohur. Për këtë mur e kam fjalën.

Si mund të ndërtonte bota e demokracisë dhe e mirëqenies marrëdhënie të vërteta partneriteti me një varfanjak, i cili për më keq ishte edhe i panjohur? Diku në pranverë të vitit 1993, kur isha ambasador në Paris tashmë, rasti e solli të jem ulur gjatë një dreke pranë me një deputet francez. Pak javë më vonë, ky deputet i nderuar më telefonoi për të më ftuar në një aktivitet në zonën e tij elektorale. Do të ishte një darkë-debat rreth Shqipërisë. Shkova me kënaqësi. Në një restorant të madh ishin mbledhur rreth njëqind veta: gjithë elita lokale, zonja dhe zotërinj të shkolluar mirë, të veshur bukur, siç e donte rasti i mbrëmjes me një ambasador.

Paraqitjen time e bëri deputeti, i cili edhe në emër të të gjithë të ftuarve, shprehu “lumturinë e thellë për praninë e përfaqësuesit të lartë të një vendi mik, por fatkeq, të cilin historia ia kishte fshehur botës së lirë për gjysmë shekulli në malet e Kaukazit”. Mendova se ishte një lapsus dhe nuk e korrigjova për të mos e vënë në siklet para zgjedhësve të vet. Për pasojë, u detyrova gjatë mbrëmjes t’u përgjigjem shumë e shumë pyetjeve, që kishin të bënin me Nagorni Karabakun, me Abkazinë, Osetinë, etj.

Qysh nga ajo mbrëmje e për disa vjet në vazhdim, në qindra ligjërata që kam mbajtur në Francë në salla të mëdha e të vogla, madje edhe në universitete, në Paris e në provincë, jam kujdesur t’u kujtoj të pranishmëve se Shqipëria është një vend i vogël europian, në breg të Adriatikut, përballë Italisë dhe në veri të Greqisë. Këtë kujtesë e kam mbajtur parasysh edhe në intervistat në radio e televizione. Tani duket si për të qeshur, por është edhe psikologjikisht e lodhshme për një ambasador ta fillojë fjalën e tij me një informacion gjeografik kaq bazik rreth vendit që përfaqëson. Por, ishte e domosdoshme. Asnjë vend tjetër ish-komunist nuk ka qenë i detyruar ta fillojë rrugën e vet të integrimit euro-atlantik në një kuotë kaq të ulët.

2
Ne dolëm nga izolimi i plotë vërtet krejt të panjohur për të tjerët. Por, kjo nuk ishte për ne pengesa e vetme për të marrë një rol aktiv në zhvillimet ndërkombëtare në rajon apo më gjerë. Regjimi diktatorial kishte punuar me një makineri shumë të fuqishme për t’u krijuar shqiptarëve iluzionin se vendi i tyre është qendra e botës, gjë që shoqërohet, siç dihet, me një delir të madh kolektiv. Ky delir përbën një nga kolonat më të sigurta, mbi të cilën mbështetet regjimi diktatorial. Me shembjen e diktaturës shfryhet edhe balona i këtij deliri. Vendin e delirit e zë një mungesë e thellë e besimit në vete, do të thosha një nënvleftësim kolektiv i vetes.

Parë vetëm në aspektin e nevojave që ka politika e jashtme për t’u mbështetur dhe inkurajuar nga opinioni i brendshëm publik, do pranuar edhe me qetësinë që jep retrospektiva se nënvleftësimi që kishin shqiptarët për veten në raport me të tjerët gjatë shumë viteve të para të tranzicionit, ishte një presion real dhe me pasoja të dëmshme mbi politikën e jashtme. Nën presionin e një opinioni të demoralizuar, diplomacia detyrimisht që do të shtyhej drejt një sjelljeje konvulsive, në mos pasive dhe inferiore.

Bie fjala: Shqipëria bëri demarshet formale për t’u anëtarësuar në Konferencën Islamike, në fundin e vjeshtës 1991. Qeveria demokrate, që erdhi në pushtet pak muaj më pas, përcaktoi si një nga objektivat e veta që të aktivizohej sadopak edhe brenda kësaj organizate. Kjo gjë shkaktoi një trazim të madh në Tiranë. U zhvillua një debat i gjatë publik, në të cilin u përfshinë elitat politike dhe intelektuale. Duke i besuar sot si të sinqerta, ato qindra shkrime, intervista, deklarata të asaj periudhe, kanë një cilësi thelbësore të përbashkët: elitat shqiptare, qofshin ato intelektuale apo politike, nuk kishin besim se diplomacia shqiptare do të ishte në gjendje të fliste në tryezën e madhe të Konferencës Islamike me zërin e vet.

Në të vërtetë, mosbesimin që elitat shqiptare kishin në veten e vet, e transferonin në këtë rast tek zbatuesit e politikës së jashtme të shtetit. Dhe fakt është se qeveria e asaj kohe, për më shumë se katër vjet, nuk arriti të merrte as guximin për ta sjellë në Parlament aktin e anëtarësimit të Shqipërisë në Konferencën Islamike, në mënyrë që ky akt diplomatik me kuptim për hapjen e Shqipërisë pa paragjykime edhe të ratifikohej, siç e kërkon Kushtetuta e vendit.

Unë vetë asokohe, në një takim me Presidentin Miteran, gjeta mundësinë t’ia drejtoja atë pyetje që shtrohej gjerësisht në Tiranë e ndaj të cilës edhe unë vetë kisha sigurisht ndjeshmërinë time. A do të përbënte anëtarësimi në Konferencën Islamike, pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian? Presidenti Miteran kërkoi të dinte vetëm se me çfarë kushtesh kishim hyrë ne në këtë organizatë. Dhe kur unë i shpjegova se kushti i pakapërcyeshëm ishte respektimi i Kushtetutës tonë, ku sanksionohet se shteti shqiptar është laik dhe nuk ka asnjë fe zyrtare, ai mu përgjigj fare thjesht.

Më tha se ishte mirëfilli në interesin e Europës, që sa më shumë vende si yni të kishin zë në gjirin e kësaj organizate, si një mundësi për t’u shprehur aty nga brenda jo vetëm filozofia europiane, por edhe vullneti i Europës për të bashkëpunuar me vendet myslimane, në emër të paqes e të prosperitetit të përbashkët. “Kjo do të jetë një vlerë e shtuar për ju kur të vini në Bashkimin Europian, e të bëheni pjesë e politikës së jashtme të përbashkët europiane”, më tha Presidenti Miteran.

Edhe shumë nga miqtë e mi, burra e gra të ditur, çuditeshin kur ua tregoja këtë bisedë dhe thellë-thellë dyshonin që Presidenti Miteran, domethënë Presidenti i Francës, të besonte seriozisht që Shqipëria mund të luante një rol sado të vogël ndërkombëtar.

3
Me të drejtë, për më shumë se 15 vjet, cilësia e kontributit të Shqipërisë si lojtar konstruktiv në rajon është përcaktuar kryesisht nga qëndrimi i saj ndaj zhvillimeve në Kosovë. Statusi i veteranit që kam sot përkitazi me politikën dhe diplomacinë, më lejon ta shtroj pa doreza pyetjen: Për çfarë meritash janë lavdëruar nga komuniteti ndërkombëtar qeveritë shqiptare të periudhës 1991-1999, kur ka qenë fjala për Kosovën? Nuk po jap një përgjigje analitike, por po tregoj përsëri një episod nga përvoja ime.

Ishin fillimet e luftës në Bosnjë. Asokohe erdhi për vizitë në Paris, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Boutros-Boutros Gali. Unë pata nderin të jem në një darkë relativisht të ngushtë me të. Nuk ishim më shumë se 50 të ftuar. Mu dha edhe mua fjala. Pesë minutat që unë kisha në dispozicion i përdora për t’i paraqitur gjendjen në Kosovë.

Me sa duket, përshkrimi im dramatik nuk i pëlqeu sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Dhe sidomos nuk i pëlqeu prognoza ime për qëndrimin e Shqipërisë, në qoftë se ky konflikt na vinte në kufi, siç edhe erdhi. Përveç argumenteve historikë dhe etnikë, përmenda edhe argumentin gjeografik: vazhdimësinë e territoreve të banuara nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Në vend të një shkëmbimi pikëpamjesh, siç e donte nderi i mjedisit ku gjendeshim, unë mora nga zoti Boutros-Boutros Gali një kërcënim të pastër.

Në qoftë se edhe një qytetar i vetëm shqiptar kapërcen kufirin për t’u përzier në ngjarjet që ndodhin apo mund të ndodhin në Kosovë, ne do e ndëshkojmë Shqipërinë si vend agresor. Kaq më tha sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. “Çfarë duhet të bëjmë ne për ta ndihmuar zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë në Kosovë?”, e pyeta unë për herë të fundit. “Ju duhet të rrini urtë dhe t’i inkurajoni edhe shqiptarët e Kosovës të rrinë urtë”, mu përgjigj ai.

Kurrë nuk e kam harruar shijen e keqe të kësaj “këshille”. Megjithatë, fakt është se politika shqiptare në ato nëntë vjet, e majtë apo e djathtë, u kujdes shumë të tregohej sa më e urtë. Ne u bëmë kështu konstruktivë në rajon, thjesht me mosveprimin tonë. Edhe kjo mënyrë për të fituar respekt në komunitetin ndërkombëtar me mosveprimin ishte një mësim, që ne nuk do të kishim mundur kurrë ta imagjinonim në kushtet e izolimit.

4
Ndër shumë e shumë aspekte që ndihmojnë të kuptohet sot se sa e vështirë ka qenë për Shqipërinë rruga për të marrë një rol aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare, po veçoj edhe një të fundit.

Takimin e parë në cilësinë e ministrit të Jashtëm, unë e organizova me homologun tim serb. Ishte mesi i shtatorit 2005 dhe ne do të takoheshim në Nju Jork, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Kuptohet se temë kryesore do të ishte Kosova. Ambasadori Kai Aide nuk e kishte dorëzuar ende raportin e vet, ku do të shprehej nëse ishin pjekur apo jo kushtet për çeljen e bisedimeve për statusin final të Kosovës. Gjithsesi, disa sinjale pozitive kishin arritur jo vetëm deri te mjediset diplomatike, por edhe te mediat.

Shkurtimisht, unë i propozova homologut tim serb që as Tirana dhe as Beogradi të mos përziheshin në ato bisedime të pritshme. Bisedimet, ashtu si vendimi për të ardhmen e Kosovës, u takonin tërësisht vetëm aktorëve të drejtpërdrejtë të kësaj historie, e që ishin shumica shqiptare dhe pakica serbe e Kosovës, si dhe komuniteti ndërkombëtar si monitorues i domosdoshëm.

Arsyetimi im ishte se qeveria shqiptare dhe qeveria serbe do e trajtonin detyrimisht problemin me përkujdesjen për t’u pëlqyer më shumë nga opinioni publik në Tiranë e në Beograd, sesa për të kërkuar me ndershmëri një zgjidhje të drejtë, të përshtatshme e të qëndrueshme për të ardhmen e Kosovës. Parë në logjikën e ftohtë të së drejtës ndërkombëtare, çështja e Kosovës ishte një zhvillim në politikën e jashtme për Shqipërinë. De facto, ky ishte po ashtu një problem jashtë juridiksionit shtetëror të Serbisë, qysh nga vera e vitit 1999.

Kolegu im serb, sigurisht që nuk e pranoi simetrinë që ndërtova unë dhe nuk do të hyj në hollësira. Ajo që meriton të përmendet në kontekstin e kësaj analize, është njoftimi i shtypit që shpërndau zyra e kolegut serb pas takimit. Aty reflektohej një tension, i cili realisht nuk kishte ekzistuar gjatë bisedës tonë. Ministri i Jashtëm serb mirëfilli kishte pasur merakun të pëlqehej në opinionin e vet publik. Unë nga ana ime u detyrova në vazhdim të përballem me opinionin publik këtu kur, në respekt të bindjeve të mia se diplomacia e vërtetë ka për detyrë të synojë maksimumin e të mundshmes, fola për pavarësinë e kushtëzuar si formula më e arritshme për statusin e pritshëm të Kosovës.

E solla këtë shembull vetëm për të treguar se pikërisht në çështjen e Kosovës, ku Shqipërisë i jepej kryesisht mundësia të bëhej faktor rajonal, politika e jashtme ishte më shumë se në çdo fushë tjetër peng i emocionit të opinionit të brendshëm publik. Nevojitej një kthjelltësi dhe kurajo e madhe nga politikëbërësit për ta kapërcyer reagimin e fortë emocional të këtij opinioni, i cili, edhe pse ka shpjegimet e veta në logjikën historike, nuk ka përputhje pozitive me nevojat logjike të aktualitetit.

Është një emocion i çastit, kuptohet, dhe si emocion i çastit përmban natyrshëm dritëshkurtësi, por kjo nuk e zbut furinë goditëse të dallgës së tij. Hartuesit dhe drejtuesit e politikës së jashtme kishin nevojë për një largpamësi të vërtetë dhe bindje të rrënjosura në drejtësinë e vendimeve të veta, përndryshe do të thyheshin nën furinë e asaj dallge.

Ndër gjërat që kam ruajtur me një kureshtje të veçantë në arkivin tim personal, janë gjuajtjet me mbushje të plotë që më erdhën gjatë asaj periudhe nga të gjitha anët. Patriotë të shumtë zemërdjegur në Tiranë, në Prishtinë e në diasporë, në Parlament, në konferenca shtypi, në debate televizive, në forume interneti, gjithandej e zgjidhën gjuhën. Por fundi doli i mirë, siç dihet, dhe kjo ka rëndësi në fjalë të mbrame.