Një vend nën sundimin e harbutëve

0
40

Mentor Kikia, 19.07.2011

Pak ditë më parë isha i detyruar t’i paguaja 30 mijë lekë(të vjetra) rryshfet, një nëpunësi të shtetit, për të marrë një shërbim që më takonte. Bëhet fjalë për kontrollin teknik të makinës. Nëpunësi i refuzonte të tërë, duke thënë se makina kishte probleme, ndërsa një palaço burrë, që duhej të ishte sekseri i nëpunësit, vërdallisej sa para mbrapa, duke thënë se ai nuk të mbaron punë po nuk i dhe 30 mijë lekë.

Edhe pse makina ishte në rregull, koha më shtrëngoi të mbaroj punë dhe pagova paratë në dorë edhe pse po haja veten më dhëmbë nga inati. Kështu bënë edhe ata që unë pashë aty. Të gjithë shanim e të gjithë paguam për të mbaruar punë. E tregova këtë episod, si për të nxjerrë një të keqe që më hante nga brenda, por të tjerët ma zbutën tonin tragjik, duke treguar episode të tjera ku ishin paguar shuma edhe më të mëdha.

Në çdo sektor publik, zhvatja është bërë normë, është bërë edukatë dhe kulturë pune. Pa asnjë mëshirë, pa asnjë etikë dhe mbi të gjitha pa pikën e frikës, nëpunësit e korruptuar i kanë shndërruar vendet e tyre të punës në zyra taksash të zeza ku qytetarët duhet të paguajnë për të marrë shërbimin që u takon. Nëpunësi i kontrollit teknik të makinave nuk u kujdes fare të fshihej, ai nuk i merrte paratë nën dorë apo direkt në xhep gjysmë fshehurazi. Jo jo, i numëronte, sikur të ishte në treg duke shitur mundin e djersës e punës së tij.

Po ku e gjejnë vallë kurajën këta njerëz të mos kenë frikë, ku e gjejnë forcën të sillen kështu me punën e postin e shtetit?
Përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë komplekse dhe fataliste në tërë vërtetësinë saj.
E di që dikush nga ju mund të thotë tani, se përse ti nuk e denoncove këtë rast në gazetë apo televizion, sepse ti je gazetar? Përse nuk e denoncove në organet e drejtësisë, për ta bërë shembull atë njeri të korruptuar, përse nuk e denoncove tek eprorët e tij, pasi, kur ju gazetarët, që jeni njerëz publikë dhe ua kanë frikën, detyroheni të paguani ryshfet, po njerëzit e thjeshtë? I mendova të gjitha këto, por u dorëzova kur rendita të vërtet e frikshme të realitetit të cilin e përjetojmë çdo ditë dhe që po i skllavërohemi në mënyrë kolektive në pamundësinë dhe pafuqinë tonë për ta kundërshtuar.

Realiteti i parë fatal: Media është sot një dritare e rëndësishme ku bëhet denoncimi i korrupsionit dhe abuzimit. Denoncohen kompani që abuzojnë me klientët, denoncohen gjykatës që sillen me ligjin sikur ta kishin pronë të tyre, ministra që vjedhin ditën për diell si taksidarë ordinerë, denoncohen spitalet ku nuk ka as shiringa e madje sapun për të larë duart. Por çfarë ndodh pas kësaj? Asgjë, në mënyrë të trishtueshme nuk ndodh asgjë.

Askush nuk reagon, asnjë institucion nuk ndërhyn, asnjë organ nuk lëviz qimen për të vënë rregull në këtë xhungël të frikshme, ku të gjithë vjedhin këdo që kanë në vete. Askush nuk ndëshkohet. Denoncuam në Top Channel tërë ditën e ditës shkatërrimin e lumit Erzen në Tiranë, nga një kompani ndërtimi. Ajo po shkelte dy ligje: 1- Po shfrytëzonte një lumë i cili është ndaluar me vendim qeverie të shfrytëzohet për shkak të shkallës së lartë të dëmtimit që ka pësuar nga shfrytëzimi pa kriter. 2- Po e përdor materialin e tij për ndërtimin e autostradës së re Tiranë-Elbasan, kur teknikisht është i ndalur përdorimi i zhavorrit të lumit për ndërtim rrugësh. Nuk ndërhyri asnjë organ shtetëror e qeveritar. As prefektura, as ministria e Transporteve, as ajo e Mjedisit, as Prokuroria… Kompania edhe sot vazhdon të bëjë të njëjtën gjë.

Qeveria e Berishës, përdori dy taktika me median. Ca i bleu e ca i zhvlerësoi. Ato që u blenë nuk denoncojnë, ato që denoncojnë nuk i konsideron. Dhe sot ne gazetarët mund të shkruajmë me germa të mëdha maskarallëqet më të mëdha dhe asnjë institucion nuk reagon. Mund të shfaqim imazhet më makabër të abuzimit me detyrën dhe askush nuk reagon. Media, pushteti i katërt, është sit institucioni pa asnjë pushtet, ose më saktë pushteti i saj nuk ka asnjë vlerë. E keqja këtu nuk ka më njësi matëse.

Realiteti i dytë fatal: Drejtësia është institucioni përgjegjës për të garantuar zbatimin e ligjit. Por qeveria dhe korrupsioni që e ka pushtuar këmbë e kokë e kanë zhvlerësuar edhe drejtësinë. Në vendin më të korruptuar të Evropës, sot nuk ka asnjë zyrtar të dënuar. Në Shqipëri ka dy lloje drejtësish, njëra që është për kastën e lartë, atë të politikanëve, pushtetarëve, zyrtarëve, njerëzve të pasur dhe tjera për njerëzit e thjeshtë. Në bazë të kësaj drejtësie, ca njerëz që vjedhin miliona Euro nuk dënohen, ata që shkatërrojnë vendin, që pasurohen në kurriz të pasurisë kombëtare, nuk dënohen.

Ata kanë ndërtuar shtetin e tyre, të cilin e përdorin si armë për tu shërbyer interesave të tyre. Nëse një qytetari i zënë pronën dhe ai kërkon ndihmën e shtetit, për të cilin paguan edhe taksa, shteti nuk gjendet. Por në Gjirin e Lalëzit, shteti vajti me makina, skafandra, shkopinj gome dhe pastroi nga ndërtimet, duke gjakosur edhe pronarët, një sipërfaqe të madhe tokë, disa hektarë, pasi aty do të ndërtohet një kompleks turistik pas të cilit janë njerëzit e kryeministrit. Në Kukës, shteti vajti me të njëjtën forcë dhe i hodhi në përrua një grup fshatarësh që protestonin për tokat që u zinte një hidrocentral, i cili është pronë e burrit të një deputeteje të mazhorancës.

Sot Shqipëria qeveriset nga një kastë njerëzish të cilët mund të ndryshojnë projektin e rrugës në mënyrë që ajo të kalojë aty ku ia duan interesat e tyre, mund të bëjnë edhe ligje posaçërisht për të mbështetur një interes të tyre, ata mund t’ia ndryshojnë edhe rrjedhën lumit që të shkojë tek tokat e tyre. Nëse njëri prej anëtareve të kastës do të investojë diku, kasta miraton ndërtimin e rrugës. Nëse njëri vendos të investojë në një mal, kasta miraton heqjen e taksave në mal. Këta janë gati të shndërrojnë në ligj edhe kapriçot e fëmijëve të tyre. Nga kryeplaku i fshatit, kryetari i komunës, kryetari i bashkisë e ai i qeverisë, vjedhja është shndërruar në ligj dhe kulturë pune në atë shkallë sa vështirë që dikush, nëse një ditë vërtet dikush do të ketë dëshirën e vullnetin të ndërtojë shtetin e të drejtës, të mund ta shkulë.