Një vajzë e thjeshtë rrafi me shpulla Fevzon

0
100

Nga Hervin Çuli, Regjisor, 28 Janar 2012

Kur je fëmijë, si gjithë të tjerët provon shijen natyrale të përleshjes me bashkëmoshatarët. Në përgjithësi fituesi thotë: “e mbyta me grushta filanin”. Humbësi, me shenjat e rrahjes në trup a në fytyre, kur u ankohet prindërve apo dikujt tjetër thotë: “me gjuajti me grushta filani”. Veç këtij rasti klasik, ku ka një përballje me dy sfidues, ka dhe një forme tjetër përleshje që humbësi në asnjë mënyrë nuk do ta përmende, e përgjithësisht përpiqet ta harrojë.

Ai nuk flet sepse shenjat janë të brendshme, janë shenja poshtëruese qe nxisin lot, qe te skuqin nga turpi dhe pafuqia për tu hakmarrë. Ky rast rrëfehet zakonisht nga fituesi pa sfidant me këto fjale: “I futa nja dy shpulla filanit se e grrici shume”. Nuk e di pse me erdhi në mendje fëmijëria të enjten në darkë, pasi ndoqa një interviste në televizionin KLAN.

Këtë të enjte në darke vëmendja e publikut ishte përqendruar tek emisioni “Opinion” ku për herë të pare pyetjeve të gazetarit të famshëm Blendi Fevziu do t’i përgjigjej e shumëpërfolura Ina Rama, Prokurore e Përgjithshme e shtetit shqiptar. Kurioziteti ishte shume i madh për të pare se si do përballej kjo vajzë e re, shumë e përfolur, me akuzat qe Bajlozi Berishë kish bërë për çdo ditë kundër saj. Edhe pse nuk ka njeri (përfshirë dhe përkrahësit e tij) që s’ka kuptuar se Berisha destabilizon nëpërmjet spekulimit, me teorinë ‘shpif, shpif se diçka do ngelet’, “mbrojtja” e Prokurores së Shtetit ishte me shume rëndësi për opinionin publik.

Zonja Ina Rama prej një viti ishte etiketuar nga kampi demokrat si “puçiste”, “lavire bulevardi, “bashkëpunëtore e Edi Ramës”, “asgjësuese provash”, “tendencioze ndaj opozitës”, “e kapur nga krimi” e shumë e shumë gjëra të tjera. Asnjëherë Prokuroria nuk kishte qene NJE ZE në këto kohë të turbullta, edhe pse ishte përfolur pafundësisht nga Kryeministri si një institucion totalisht i përfshirë në të ashtuquajturin “Puç” kundër tij.

Ndaj përgjigjet e Ina Ramës, për herë të parë përpara kamerave, me një gazetar te deklaruar hapur si mbrojtës fanatik i pushtetit, zgjonin një vëmendje të madhe. Sfida publike për Ina Ramën, e pa mësuar me kontaktin e drejtpërdrejtë me njerëzit, me cinizmin e analistëve, me presionin e politikës, në pamje të parë dukej shume delikate. Një fakt tjetër qe ia vështirësonte prezantimin publik Prokurores përbënte dhe fakti se intervista do të bëhej nga Blendi Fevziu ne televizionin Klan, një televizion qartësisht ne vathen e qeverise.

Atë dite ne këtë televizion, tek emisioni “Takimi i Pasdites”, Blendi sapo i kish rrëfyer Rudina Magjistarit nga një kënd i shtëpisë së tij, se sa shume lexonte dhe se çfarë shijesh kishte në letërsi. Madje një shprehje e Fevzos që s’më shqitet nga mendja ishte: “…unë nuk i rilexoj librat, me përjashtim të Ismail Kadarese për të kuptuar ne kohë raportin tim me te shkruarin…”. Po atë ditë në po të njëjtin televizion (dhe pse me stampën ABC), me kapi syri nje kronike qe përshkruante një skene nga Gjirokastra, ku po digjej libri ‘Enver Hoxha’ i Fevziut nga komunistët fanatike.

Sesi i kishte kapur kamera në flagrancë autorët e këtij krimi makabër, zjarrvënësit e një vepre me vlera të mëdha për kombin, vetëm Fevziu e di! Nejse, të dy shembujt i mora për të thënë se përballe kujt Vigani do rrëfehej Ina e shkrete. Por, pasi dëgjova me shumë vëmendje intervistën kuptova se edhe një vajze e thjeshte, normale, e mençur, duke vepruar profesionalisht dhe duke u shprehur vetëm me fakte dhe logjike racionale përballë gazetarit të famshëm qeveritar, mund të rrëzojë një perandori të tërë. Vura re se pa e pasur fare në mendje, zonja Silvia Konti (Berisha e ka thënë), e rrahu me shpulla për dy orë Fevzon e shkretë.

Madje, shuplakat qe Ina i përdori me shume thjeshtësi dhe delikatese, herë-herë duke u tallur me elegance, në thelb ishin përgjigjet e saj në mbrojtje të Shtetit të së Drejtes, përballë presionit të pafund të Saliut. Nuk e di nëse Fevziu ra ne kurthin që i ngriti vetvetes nga ligësia per te mbrojtur qorrazi pushtetin apo nga budallallëku! Mendimi im personal është se janë të dyja bashke. Një gjë nuk do t’i harrohet kurrë këtij sharlatani të gazetarisë: Prokurorja Ina Rama e rrafi me shpulla pikërisht aty, në televizionin e tij KLAN.

Të bënte përshtypje gjatë intervistës nje përmbysje e çuditshme e pozicioneve. Në fillim Fevzo me një siguri për tu patur zili merrte ne pyetje Prokuroren, ndërsa ne fund Ina Rama merrte ne pyetje Doktorin, që përfaqësohej nga Blend Ziu. Po ku dinte i shkreti Fevzo të mbronte gjith ç’kish fantazuar Saliu, përballë një profesionisteje të ndershme. Ndaj Prokurorja iu përgjigj qartë të gjitha pyetjeve të gazetarit të famshëm, ndërsa ky i fundit u hutua keqas e nuk nxirrte dot fjale nga goja. Aq rëndë u ndje Fevzo gjatë fundit të emisionit sa tamam si ai fëmija tërë inat, i mpirë në portret nga logjika e hekurt e zonjës, pothuajse me lot ne sy, filloi të bëhej arrogant.

Me siguri ne mendje i kalonte fjala e dhënë në zyrën e kryeministrit, duke u fryrë si këndes përpara të gjithëve se tani që ajo i erdhi në emision ja tregonte ai qejfin. Fatkeqësisht për gazetarin e famshëm, Prokurorja rrezoi me fakte gjithë gënjeshtrat e fabrikuara nga Saliu dhe të riprodhuara shume keq me pyetje nga Fevziu. Ina Rama nuk la vend për dyshim që nga fillimi deri në fund të emisionit. Ajo frenoi ç’do përpjekje diabolike të Fevzos për ta futur në kurth. E degjeneroi Fevzon deri në atë pikë, sa të vetmet pyetje që artikuloi në pjesën e dyte të emisionit ishin ose thashetheme gatuar tavolinave të Klanit ose sms që i dërgoheshin pareshtur për ta mbrojtur prej shuplakave të njëpasnjëshme.

Do te ngelet gjate në mendje përgjigja brilante e Prokurores përkundër pyetjes skandaloze të gazetarit të famshëm: “është e vërtetë se disa prokurore nen varësinë tuaj kanë thënë se tani do t’i bëjmë zbor Kryeministrit?”, ajo i përgjigjet: “… në punë, por edhe në jetë, unë nuk merrem me ai tha keshtu, ky tha ashtu, por jam mësuar të konfrontohem me faktet dhe ngjarjen”. Kjo shuplake që e skuqi Fevzon duhet të turpërojë të gjithë politiken e mbrapshtë shqiptare, që e ndërton gjithçka mbi trillet dhe mekanizmin e përbaltjes, për të krijuar përshtypjen si thote Saviano se te gjithë janë njelloj, të gjithë janë në llum, dhe zgjidhje nuk ka.

E kur duhet te funksionoje mekanizmi i baltës Doktori si usta ka Fevzon dhe televizionin e turpshëm Klan, që nuk përtojnë të grricen me të vërtetën. Ndaj gazetari i famshëm nuk shpëtoi dot prej gricjes fatale, beri një pyetje që në Itali gazetaret ia bënin rëndom Xhovani Falkones: “…a keni frike nga kërcënimet e Kryeministrit (a ke frike nga Mafia-Falkones)…?”. Ina Rama shumë natyrshëm përgjigjet: “…në jetën time llogarite i bëj vetëm me ligjin, e për aq kohë sa nuk e kam shkelur atë, rrjedhimisht nuk kam pse të kem frikë”. Kjo gafë e Fevzos qe nxjerr zbuluar Doktorin vështirë të kalohet pa ndonjë stuhi shuplakash nga ky i fundit, edhe pse në thelb ishte e vetmja pyetje qe i referohej të vërtetës.

Mendoj se kjo interviste historike, së bashku me disa komente personale, i drejtohet atyre që duan të kuptojnë se qorrsokaku ku na ka futur Sali Berisha me gjithë Fevzot e tij është rruga e rrënimit shpirtëror dhe material të këtij vendi. E vetmja alternative për ATA është spekulimi dhe presioni i përditshëm, vetëm e vetëm për të mos humbur pushtetin. Ky njeri me emrin Sali Berisha, nuk është i rrezikshëm thjeshte individualisht, por shumë me tepër.

Kultura qe po na imponon AI me gjithë Fevzirat që e rrethojnë është kriminale. Sali Berisha na thotë të gjithëve se edhe po vrave edhe po vodhe edhe po mashtrove është një gjë normale, mjafton të besh pjese ne vathen e pushtetit, ama po guxove të thuash të vërtetën e po guxove të ndërtosh Standarde të Shtetit te së Drejtës duke u kruajtur me NE, atëherë do ta pësosh.

Por Doktori, Fevziu dhe lakenjtë qe e rrethojnë, harrojnë se dita e gjykimit është pranë për mëkatarët. Gjykimit nga drejtësia mund t’i shpëtosh si burracak qe fshihesh pas pushtetit, por gjykimit moral kurrë. Ai të ndjek nga pas si hije e nuk e shmang dot. Këtë mund të ta demonstroje dhe një vajzë e thjeshte, e mençur dhe profesioniste, duke të rrahur keqas me shpulla, pasi je grricur pa fund me të vërtetën, pikërisht në kullën tende me emrin KLAN.