Një urdhër i menjëhershëm

0
87

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 12.02.2010

(vijon nga numri i kaluar)

Pse nuk filloi autostrada e projektuar dhe e financuar?

Në shkrimin e djeshëm treguam se, ndërsa autostrada me koncesion Tiranë-Elbasan ishte bërë gati me projekt zbatimi dhe me financim të siguruar, kryeministri Berisha, që gjatë gjithë kohës e kishte mbështetur e nxitur këtë projekt, papritur, ndryshoi mendje.

Po ndryshoi fare ama: i vuri vizë gjithë një pune voluminoze, ku ishin angazhuar për dy vite me radhë inxhinierë shqiptarë dhe italianë, ekspertë të gjeologjisë, mjedisit, financave, bankës e shumë të tjerë…

Një shpjegim i shkruar për italianët e kompanisë “Serenissima” dhe grupin e Ngjeqarit ka qenë minimalja që mund të bënte qeveria. Por nuk ka pasur e nuk ka një shpjegim të shkruar, të cilit mund t’i referohem unë sot për të treguar arsyet pse qeveria e anuloi ketë projekt.

Ka pasur një takim të shkurtër të kryeministrit në muajin gusht të vitit të kaluar me përfaqësuesit e lartë të shoqërisë italiane, që erdhën në Tiranë me bindjen se do të merrnin lajmin e mirë.

Në këtë takim, Berisha që i kishte pritur edhe katër herë të tjera më parë për t’i nxitur të përfundonin sa më shpejt projektin e autostradës Durrës – Tiranë – Elbasan, u njoftoi mysafirëve të tij se qeveria kishte vendosur të ndërtonte me paratë e veta një rrugë tjetër për në Elbasan, por ata mund të angazhoheshin në koncesione dhe projekte të tjera! Ishte një shuplakë në fytyrë për ata njerëz dhe për inxhinierin Xhevahir Ngjeqari që ishte rropatur për të siguruar jo pak, por plot 42 vula apo leje për atë projekt kompleks.

Nuk mbaronte këtu. Ndihmësit e Berishës ishin kujdesur ta kompletonin ironinë duke shpërndarë në mbrëmje një njoftim shtypi ku lihej të kuptohej se italianët kishin ardhur me avionin e tyre privat për t’i uruar kryeministrit fitoren e dyfishtë, me rezultat dhe me standarde, në zgjedhjet e 28 qershorit!

Sërish kthehemi te pyetja: Pse u hodh mënjanë një dosje nga më të kompletuarat, mos thënë më e kompletuara, nga pikëpamja juridike, administrative, teknike dhe ekonomike. Mua nuk më lejohet të fantazoj për një projekt kaq madhor e serioz.

Por kam një ide, sepse që prej vitit 2003 kam mbështetur projektin “Ngjeqari” dhe mandej gjithë produktin e Studios që po punon për gjeo-strategjinë dhe projektet e mëdha mbështetëse.
Qeveria mund të jetë penduar për përfshirjen në projekt të segmentit Durrës – Tiranë.

E ka konsideruar vendosjen e pagesës në ketë segment një zgjidhje me kosto elektorale apo rënduese për qytetarët. Qeverise mund të pendohet, por ajo duhet të marrë përsipër barrën e përgjegjësisë për pasojat që kanë prodhuar aktet e saj. Ky është luajaliteti.

Sidoqoftë, grupi italiano-shqiptar, siç e theksuam në shkrimin e djeshëm, nuk e kishte në planet e veta segmentin Durrës – Tiranë. Pra, le ta hiqte qeveria ketë segment dhe të vazhdonte me Tiranë – Elbasan. Fakti që nuk është vazhduar me Tiranë – Elbasan e zhvlerëson justifikimin e mësipërm.

Dikush në qeveri është ankuar për koston paraprake, duke harruar se kostoja reale del nga gara. Një argument tjetër ka qenë “paralelizmi” midis koncesionit Thumanë – Rrogozhinë dhe Tiranë – Elbasan.

Nuk mund të bëhen të dyja. Ose njëra, ose tjetra. Pa i hyrë fare krahasimit të rëndësisë dhe vlerave të këtyre segmenteve, “paralelizmit” në fjalë i jep përgjigje të qartë ky fakt: Thumanë – Rrogozhinë është dhënë tre herë me koncesion dhe nuk po hedh kush asnjë kacidhe, sepse nuk del hesapi.

Elbasan – Tiranë i gjeti paratë, por nuk e lejua të fillojë. Pra, “paralelizmin” e kanë zgjidhur vetë privatët, të pagabueshmit, ata që studiojnë flukset e pritshme të automjeteve dhe hedhin paratë e tyre. A nuk do të ishte zgjidhja me e thjeshtë të fillonte kush e ka financimin?

Mendoj se rivalitetet e pakuptimta (dhe të tepërta për një Shqipëri që nuk ka kohë për të humbur), janë shkaku kryesor i qëndrimit që është mbajtur ndaj autostradës Tiranë – Elbasan.

Do të ishte e paimagjinueshme për mua të mendoja se një projekt kaq i rëndësishëm është sakrifikuar edhe për shkak të ndryshimit të raporteve të mia politike me qeverinë gjatë fushatës dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk besoj se arsyeja ka rënë kaq poshtë. Do të ishte një sakrificë shumë e madhe, e papërligjur përballë disa synimeve madhore që i kemi të përbashkëta kurdoherë, pavarësisht pozicioneve politike.

A do të ndërtohet rruga me tunele?

Rruga që dëshiron qeveria është ajo me tunele që kalon nga Qafë-Krraba.
Kryeministri premtoi para tre ditësh, gjatë përurimit të një shkolle, se ndërtimi i saj do të fillojë brenda këtij viti. Kryeministri shmangu përdorimin e të dhënave dhe afateve konkrete.

Disa media afër qeverisë, në përpjekje për t’i bërë jehonë lajmin që dha kryeministri, publikuan të dhëna kontradiktore për gjatësinë dhe për koston. Madje, në referim të një zyrtari të LSI-së në Ministrinë e Transportit, një gazetë publikoi edhe “bishtat” e parë që “mund të vonojnë” fillimin e punimeve.

Janë shpronësimet në një anë dhe leja që duhet të japë bashkia e Tiranës për pjesën që shtrihet në territorin e bashkisë në anën tjetër. Për të fituar kohën e humbur, do të ishte e këshillueshme që projekti t’i dorëzohet sa më shpejt të jetë e mundur bashkisë së Tiranës dhe lista e banorëve që do të shpronësohen të bëhet gati për publikim.

Ka pak gjasa që kjo të ndodhë shpejt, për arsyen e thjeshtë se projekti i zbatimit të kësaj rrugë mund të jetë akoma në përpunim e sipër, përndryshe mediat afër qeverisë do të dinin me njëfarë saktësie gjatësinë dhe koston.

Projekti, gjithsesi nuk mund të jetë një problem i madh, për arsyen se studimi i një rrugë me tunele nga Qafë-Krraba ka ekzistuar që në kohën kur është ndërtuar ish-kombinati metalurgjik “Çeliku i partisë”. Problem është financimi.

Kemi një Rubik-Rrëshen, pjesë e autostradës së Kombit, të pa ndërtuar. Kemi tunelet e Kalimashit, që me shembjet dhe dëmtimet janë shndërruar në një vrimë të zezë për buxhetin. Kemi rrugën e Arbrit që kërkon pjesën. Kemi, sipas shoqatës së ndërtuesve, mbi shtatëdhjetë milionë euro punime të kryera nga privatët, por të papaguara nga qeveria.

Një e treta e kredisë 300 milionë euro që pritet të merret me eurobono do të përdoret për të paguar principalin dhe interesat e kredive që janë marrë vitin e kaluar për Rrëshen-Kalimash.

Nga do të dalin pra milionat për Tiranë-Elbasanin e qeverisë? Duke pritur qeverinë ta thotë, na mbetet të ngremë duart nga qielli dhe të themi lutjen e vjetër “ishallah”. Shpejt do ta marrim vesh a është dhënë për interesa politike të ditës “lajmi i madh” apo rruga ka gjasa të fillojë vërtetë brenda vitit.

Një urdhër i menjëhershëm

“Brenda vitit” është një nocion i hapur. Duke e mirëpritur rrugën që do të ndërtohet me paratë e buxhetit, janë të gjitha mundësitë që të ndërtohet edhe rruga fushore me koncesion. Ato mund të bashkëjetojnë.

Ç’të keqe ka të jenë të dyja. Rruga e qeverisë nuk e tremb rrugën e privatit. Përse atëherë të mos hapet menjëherë procedura për rrugën me koncesion! Përse të mos fillojë menjëherë ajo që është gati.

Kryeministrit duhet të rishikojë qëndrimin e tij në dritën e investimit që kanë bërë deri tani inxhinier Ngjeqari dhe italianët e kompanisë “Serenissima”; në dritën e nevojës që kanë ndërtuesit dhe tregtarët e lëndëve të ndërtimit për punë të pagueshme, në dritën e nevojës jetike që ka ekonomia për kantiere të reja, të gjalla; në dritën e përparësisë që duhet të marrin koncesionet në sektorin e infrastrukturës.

Nëse ka një urdhër të menjëhershëm, në kuptimin figurativ, por edhe konkret të fjalës, që duhet të lëshohet pa humbur kohë, është ai që do t’u hapte rrugën e gjerë ndërtimeve me koncesion.

Vetëm Studioja e ekspertëve që punojnë me nxitjen time, si një person i afishuar prej vitesh në çështjet e infrastrukturës dhe gjeo-strategjisë, ka gati pesë projekte të mëdha për rrugë dhe porte. Ndërtimi me koncesion është shpëtimi dhe lulëzimi i shpejtë i Shqipërisë. Ligji duhet të thjeshtohet edhe më. Aty ku jepen para, siç janë koncesionet në ndërtim rrugësh e portesh, ligjet s’kanë perse të jenë me njëqind bishta.

Me këtë rast, kryeministri Berisha duhet të kujtohet edhe për një njeri, për inxhinier Xhevahir Ngjeqarin, për ketë hipotekë dhe enciklopedi të gjallë të resurseve natyrore që perëndia i ka dhënë Shqipërisë . Të dhënat që nuk i gjen kurrë në zyrat luksoze, por sterile të ministrive, i gjen në botimet e Ngjeqarit, në studion e tij të thjeshtë.

Ai ka “zbuluar” me këmbë aksin fushor Tiranë – Elbasan; ka realizuar një projekt zbatimi me forcat e veta, në bazë të koncesionit, mbështetjes dhe sigurimeve që vetë Berisha i ka dhënë.

Ai ka “zbuluar” e studiuar i pari Korridorin Qendror Jugor dhe ka qenë nismëtari i Memorandumit për këtë korridor, që 27 prefektë, kryetarë bashkish e komunash kanë nënshkruar me 17 shkurt 2006. Në ëndërr i vinë Ngjeqarit këto projekte dhe ide? Apo autorit i është dashur ta bëjë natën ditë për t’u dhënë jetë.

Po të reflektonte pak minuta Berisha për pasurinë intelektuale të tjetrit, minimumi do të kujdesej për t’i kompensuar dëmet dhe shpenzimet. Sot është një grup nga ministria që po studion projektin e studiuar të korridorit qendror jugor.

Berisha, që ka marrë nga Ngjeqari idenë e boshtit të Jugut, duhet të vendoste në krye të këtij grupi pikërisht zbuluesin, nismëtarin. Krenaria u përket atyre që dinë të nderojnë dhe t’u përkulen vlerave, së vërtetës.