Nga Agim Vinca, 25 gusht 2012
Gati dhjetë vjet më parë, në fillim të vitit 2003, në mbledhjen e një komisioni të Kuvendit të Maqedonisë, dy deputetë shqiptarë, anëtarë të atij komisioni, paskëshin kundërshtuar propozimin që 100-vjetori i organizatës politike maqedonase “Gemixhii” (Gjemixhinjtë) të përfshihej në kalendarin e festave shtetërore, me arsyetimin se ajo kishte qenë “organizatë terroriste”. Kjo gjë e paskësh hidhëruar fort shkrimtarin dhe publicistin maqedonas Jovan Pavllovski (me origjinë nga Tetova), i cili paskësh shkruar edhe një libër për pjesëtarët e kësaj organizate, të njohur ndryshe si “atentatorët e Selanikut”.
Në një kolumne të tij të botuar në të përditshmen “Utrinski vesnik” më 20 janar 2003, duke iu kundërvënë qëndrimit të deputetëve shqiptarë ndaj “Gjemixhinjve” të tij, Pavllovski thoshte se ata nuk bënin tjetër veçse “transmetonin qëndrimin e formësuar qartë nacional të partisë së tyre ndaj Maqedonisë dhe maqedonasve (të trashëguar me testament nga doktrina e Arbën Xhaferit dhe e Agim Vincës)”. Për skeptikët eventualë po e japim citatin edhe në origjinal: “tie go prenesuvaat samo utvrdeniot nacionalen stav (so testament nasleden od uçenjeto na Arben Xhaferi i na Agim Vinca) na nivnata partija sprema Makedonija i Makendoncite”.
Në shtypin maqedonas janë shqiptuar gjithfarë mendimesh për intelektualët dhe veprimtarët shqiptarë, por rrallë herë është parë e dëgjuar një mendim kaq pikant si ky i zotit Pavllovski, i cili, pa i bërë tërr syri, na shpallte, zotin Arbër Xhaferi dhe mua, njerëz që paskëshin krijuar një platformë politike, një doktrinë, madje, së cilës do të duhej t’i përmbaheshin të gjithë shqiptarët në Maqedoni: parti, shoqata e individë, sidomos po qe se janë pjesë e institucioneve shtetërore të këtij shteti grotesk.
Me fjalë të tjera, ne, Arbën Xhaferi dhe unë, sipas zotit Pavllovski, qenkëshim një tandem i rrezikshëm, që, qysh për së gjalli, paskësh hartuar “Testamentin”, sipas të cilit Maqedonia ose duhet të ndahet mes maqedonasve dhe shqiptarëve ose, në rastin më fatlum, të shndërrohet në një “bashkësi shoqëroro-politike, pak maqedonase, pak shqiptare, me emrin Republika e Maqedonisë”.
Dhe e gjithë kjo, sipas zotit Pavllovski, autor i shumë librave e fejtoneve për shqiptarët, ishte fryt i “partisë sonë”, me gjasë PDSH-së, së cilës, gjithnjë sipas tij, i takonim të gjithë: jo vetëm zoti Xhaferi, që ishte kryetar i saj, por edhe unë që as kisha qenë dhe as kisha për t’u bërë ndonjëherë anëtar i kësaj a i ndonjërës nga partitë e tjera shqiptare në Maqedoni, por edhe “dishepujt tanë”, deputetët që kishin kundërshtuar kremtimin e ditëlindjes së “Gjemixhinjve”, të cilët vinin, njëri nga radhët e BDI-së në pushtet, kurse tjetri nga PDSH-ja tashmë në opozitë!
Ditën që u varros Arbën Xhaferi në Tetovë, mua dhe një mikut tim nga Prishtina, na u afrua një grup intelektualësh vendës dhe, pasi na shprehën ngushëllime, sipas zakonit, njëri nga ata m’u drejtua me fjalët: “Ju jeni i vetmi që mund ta zëvendësoni atë!”.
Në çast m’u kujtua kolumna e para nëntë vjetëve e Pavllovskit dhe derisa kortezhi po u afrohej varrezave të kasabasë, që Arbni me shokë ëndërronin ta bënin qytet modern, vendosa ta bëj publik këtë fakt, që flet mjaft për rëndësinë e Arbën Xhaferit si politikan, por edhe për udhëtimin tonë të përbashkët në vitet që lamë pas.
Kemi qenë bashkë me Arbën Xhaferin në kohën kur filluan proceset demokratike (pluraliste) në ish-Jugosllavi, e bashkë me to edhe procesi i shpërbërjes së saj dhe jemi përpjekur të kontribuojmë me mundësitë tona, si intelektualë shqiptarë, në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe, pse jo, edhe në zgjidhjen e çështjes shqiptare në përgjithësi.
Në vitin 1990, duke pasur parasysh gjendjen shumë të vështirë të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe rrethanat e reja që po krijoheshin, formuam Forumin e Intelektualëve Shqiptarë nga Maqedonia me seli në Prishtinë, kryetar i të cilit u zgjodha unë (me propozimin e tij), kurse Arbri vetë, bashkë me pesë-gjashtë të tjerë, anëtar kryesie. Hartuam programin, mbajtëm kuvendin zgjedhor, zhvilluam disa aktivitete kulturore dhe bëmë edhe disa përçapje me karakter politik (një promemorie Gligorovit, Apelin për bojkotimin e Referendumit të 8 shtatorit etj.). Pak mbase, por gjithçka mbi baza vullnetare, pa mbështetje materiale (e as morale) nga askush.
Nuk mund ta harroj sidomos udhëtimin që bëmë bashkë nga Prishtina në Zagreb në dhjetor të vitit 1990, madje në prag të Vitit të Ri, për të marrë pjesë në një tribunë të organizuar nga studentët shqiptarë që studionin në Universitetin e Zagrebit. Në atë tribunë merrte pjesë, ndër të tjerë, edhe intelektuali i njohur kroat Branko Horvat, i cili, në librin e tij Çështja e Kosovës (Kosovsko pitanje), të botuar pak vjet më parë (1988), i pari në Jugosllavinë e atëhershme pat dalë me tezën se kërkesa “Kosova Republikë” nuk ishte kurrfarë kërkese armiqësore.
Rrugën nga Prishtina në Shkup e bëmë me “kikirezin” e Arbrit, të cilin e parkuam në aeroport dhe aty morëm aeroplanin për Zagreb. (Për ata që nuk e dinë, “kikirezët”, një makinë e vogël e tipit “Fiat”, prodhim polak, ishin veturat më të thjeshta dhe më të lira në atë kohë; vetura për fukarenj). Nuk e di pse më është fiksuar në kujtesë “kikirezi” i të ndjerit dhe nuk më shqitet dot. Ndoshta ngaqë Arbri më vonë, si të gjithë ata që hynë në politikë, do të vozitej me vetura të shtrenjta e luksoze, i shoqëruar nga shoferë e truproja dhe do të krijonte edhe një kapital jo të vogël për kushtet tona.
Se ç’kishte diçka simbolike në atë udhëtim dimëror me pak mjegull e shumë dritë të dy njerëzve ëndërrimtarë, që ishin nisur drejt një ëndrre të madhe me atë veturën e vocërr “kikirez” plot njëzet e dy vjet më parë!
Në tribunën që u mbajt për çështjen shqiptare në Maqedoni, në prill të vitit 1991, në Gostivar, po ashtu ishim bashkë, por unë në rolin e elaboruesit pretencioz të kauzës shqiptare në Maqedoni me opcionet për zgjidhjen e saj: barazi e plotë, federalizim ose bashkim me Shqipërinë, kurse ai në atë të gazetarit të heshtur, që vëzhgon gjithçka me kujdes dhe pret çastin e volitshëm për të dalë në skenë me kapacitet të plotë. (Pat raportuar gjerësisht nga ajo tribunë në të përjavshmen “Koha” të Veton Surroit, tek punonte në atë kohë).
Kthimi i tij në Tetovë dhe “kyçja” në politikë ndodhi tre vjet më vonë dhe pikërisht në vitin 1994, kur Arbri u vu në krye të PPDSH-së, një fraksion i PPD-së së famshme, të asfiksuar nga politika e mefshtë e destruktive e kuadrove inkompetente ose të infiltruara nga Shkupi zyrtar, nga e cila më vonë lindi Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), që do të identifikohet me emrin e Arbën Xhaferit dhe të bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë e pasardhësit të tij në parti, Menduh Thaçit.
Kur u themelua Universiteti i Tetovës, pas iniciativës së ndërmarrë nga një grup intelektualësh, në ditën e shpalljes së vendimit për themelimin e tij si institucion, më 17 dhjetor 1994 (sërish një ditë e ftohtë e me ngricë, por e kthjellët e plot dritë), kemi qenë bashkë në marshimin që bëmë nga selia e PDSH-së, që atëherë ishte në Çarshinë e Epërme, e deri te ndërtesa e Kuvendit Komunal në qendër të qytetit, mes kordonit të policëve të armatosur gjer në dhëmbë. Në këtë kohë Arbën Xhaferi po merrte ngadalë tiparet e liderit politik të shqiptarëve në Maqedoni, prandaj edhe i takonte të ishte në krye të kolonës.
Vendimi për t’u kthyer në Tetovë dhe për t’u vënë në krye të një partie politike, u tregua i frytshëm për Arbën Xhaferin si person, për Partinë Demokratike Shqiptare si subjekt politik, por edhe për politikën shqiptare në Maqedoni në përgjithësi.
Te shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë, në njëfarë dore edhe në Shqipëri, pas vitit 1990, në politikë hynë ata që donin e jo ata që duhej të hynin. Arbën Xhaferi është ndër të rrallët që i përket kategorisë së dytë, të atyre që duhej të hynin në politikë. Sepse ai, ndryshe nga unë, ishte i prerë për politikë, për këtë zanat aspak të lehtë, që kërkon punë, durim e përkushtim, por edhe fleksibilitet e gatishmëri për kompromise. Nuk thuhet më kot se politika është “art i së mundshmes”.
Intelektual për nga formimi dhe njeri me bagazh kulturor, Arbën Xhaferi i solli një kualitet të ri politikës shqiptare në Maqedoni. Për herë të parë faktori politik shqiptar arriti t’i imponohet si partner serioz palës maqedonase. Kulmin e arriti ndoshta në vitin 1999, kur PDSH-ja, atëherë në koalicion me VMRO-në, arriti ta menaxhonte mirë krizën e Kosovës dhe të pozicionohej drejt në raport me luftën e UÇK-së dhe fushatën e bombardimeve të NATO-s. Ata që e kanë përjetuar atë kohë, e dinë fare mirë rolin që luajti lidershipi i PDSH-së edhe në formimin politik të kuadrove të UÇK-së dhe në kordinimin e punëve në relacionin Shkup-Tiranë-Prishtinë, por edhe me faktorin ndërkombëtar.
Dhe pastaj erdhi viti 2001, kur rrugët tona pak a shumë u ndanë. Nuk mund të ma falte duket përkrahjen e hapët luftës së gueriles shqiptare në Maqedoni me emrin Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK), e cila, edhe pse luftë atipike, për të drejta e jo për territor, e pat zhvendosur çështjen shqiptare nga pika e vdekur tek kishte ngelur vite me radhë, duke sjellë Marrëveshjen e Ohrit dhe ndryshimin e Kushtetutës. Tjetër punë që pas luftës “çlirimtarët” u treguan totalisht të paaftë për ta menaxhuar “lirinë” e fituar dhe në vend që ta lartësonin, siç pritej dhe siç do të ishte e natyrshme, e degraduan kauzën për të cilën e kishin filluar luftën.
Në verë të atij viti, kur luftimet ishin në kulmin e vet, në një takim të organizuar në Prishtinë, kam pasur një përplasje të fortë me ish-rektorin e UT-së, F. S., pikërisht për Arbër Xhaferin. Në praninë e një grupi intelektualësh e veprimtarësh nga Kosova dhe Maqedonia, ish-rektori populist, i shpalli “tradhtarë” Xhaferin dhe Thaçin dhe shqiptoi edhe shumë akuza të tjera në adresë të tyre (sidomos të të parit). Qeshë i vetmi në atë mbledhje që iu kundërvu sulmit ndaj njerëzve që nuk ishin të pranishëm aty, të cilët shpalleshin “tradhtarë” pa pasur mundësi ta mbronin veten dhe, për pasojë, mbledhja u prish.
Nga viti 2001 e këndej jam takuar rrallë, shumë rrallë, me Arbën Xhaferin, për të mos thënë fare dhe pothuajse asnjëherë vetëm. (Tani del se Arbri qenkësh takuar rregullisht me shumë njerëz dhe kjo është, natyrisht, çështje e zgjedhjes së tij, si e drejtë e patjetërsueshme e çdo njeriu në këtë botë).
Kur kolumnisti maqedonas e bënte publik zbulimin e tij “epokal”, në thelb irreal, për tandemin: Xhaferi-Vinca dhe testamentin “tonë” partiako-nacional, në vitin 2003, por edhe në vitet në vazhdim, ne bënim secili punën tonë; ai në krye të partisë së tij në Tetovë, kurse unë në katedrën time të letërsisë në Prishtinë, por për shumëçka dhe sidomos për vlerat fundamentale të identitetit kombëtar shqiptar, çfarë janë: gjuha, kultura, tradita dhe historia kombëtare, në mënyrë të veçantë gjuha standarde shqipe dhe figura e Skënderbeut dhe e personaliteve të tjera të shquara të kombit si faktorë të përbashkësisë shqiptare dhe të orientimit evropian, vazhdonim të ishim në të njëjtat valë.
Pata provuar t’i rivija kontaktet me të, qoftë për hir të miqësisë së vjetër, qoftë për të biseduar për problemet që na preokuponin të dyve, por pa sukses.
Në vitin 2004, kur e botova librin Fije të pakëputura, në të cilin kisha edhe dy shkrime për Aleksandër Moisiun, njëri nga të cilët fliste për vizitën e aktorit të madh në Beograd në vitin 1932, ia dërgova një kopje me përkushtim, duke vënë, poshtë nënshkrimit, edhe numrin e telefonit dhe adresën elektronike. Për çudi, nuk mora kurrfarë konfirmimi a falënderimi nga ana e tij. As telefonatë, as “sms”, as email; asgjë. Më ka mbetur peng që s’arrita ta pyesja sa ishte gjallë si dhe pse ndodhi kjo gjë? Nuk përjashtohet mundësia që të mos i ketë rënë në dorë libri (nga përvoja e di se njerëzit tanë shumë herë nuk i kryejnë porositë), por unë mbeta paksa i fyer nga heshtja e tij.
Aq më shumë që, edhe kur pas një viti, ia dërgova, të fotokopjuar, polemikën me Zoran Ançevskin, ai s’u bë i gjallë. Më interesonte opinioni i tij lidhur me atë polemikë, që prekte probleme të rëndësishme të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, por përsëri kurrfarë haberi. As edhe një fjalë e vetme. “Ç’të tha?” – e pyeta njeriun, aktivist i PDSH-së, që ma ktheu zarfin pas një kohe. “Asgjë”, m’u përgjigj. “Po si ka mundësi! Pse s’e pyete: si t’u duk?” “Si ta pyesja? Ai është kryetar!” – qe përgjigjja e “postierit”, profesor universitar dhe unë s’e zgjata më. Nuk doja të bëhem cikërrimtar.
U tërhoq nga politika, më saktësisht nga posti i kryetarit të partisë, për shkak të sëmundjes, në vitin 2007, por vazhdoi të ishte tejet aktiv në emisionet debatuese në TV dhe në shtyp me shkrimet e tij analitike, që i botonte rregullisht në të përditshmet tona në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë.
Shkrimi ndoshta i fundit i kësaj natyre ishte intervista që i dha gazetës “Shqip” të Tiranës për probleme të aktualitetit tonë politik dhe kulturor pak kohë para se të ikte nga kjo botë. Kishte miq të shumtë në mesin e gazetarëve, profesion që e kishte ushtruar dikur edhe vetë dhe gëzonte mbështetje të fortë nga mediumet e fuqishme shqiptare, të shkruara e elektronike, në Tiranë dhe në Prishtinë. E, raporti me mediat, siç dihet tashmë fare mirë, ka rëndësi të madhe në krijimin e imazhit të njerëzve publikë në kohën tonë…
Pastaj ra në komë dhe s’u zgjua më, duke marrë me vete një mendje të ndritur, që i ka të rralla shoqet në botën shqiptare.
Ndërsa po i mbylli këta rreshta, të shkruar besoj pak më me gjakftohtësi se shkrimet e tjera që vërshuan shtypin shqiptar pas vdekjes së Arbën Xhaferit, nuk më hiqet mendsh vetura e vocërr “kikirez”, me të cilën u nisëm bashkë në pushtimin e lirisë sonë këtu e 22 vjet më parë. Ajo veturë është një metaforë e ndryshimeve të mëdha, por edhe e shpërdorimeve të mëdha, që u bënë në shoqërinë shqiptare në periudhën postkomuniste, të cilën, me lehtësi të padurueshme, e quajmë “kohë e tranzicionit”.