Nga Enton Palushi
Sa herë në vend shpërthen debati për zbardhjen e të kaluarës komuniste, më kujtohet një histori e fëmijërisë, që nis pikërisht në momentin kur vendi po merrte rrugën e tranzicionit.
Ishte dimër, ftohtë. Mbi tokë kishte një pëllëmbë borë. Në shkollë kishte shpërthyer një gëzim i pamasë. Gjithandej dëgjoje të përsëritej e njëjta shprehje. Duheshin tre persona që shprehja të dilte sa më mirë. I pari bërtiste: “Komunistët nuk dorëzohen”, i dyti vijonte duke thënë “rrrrrrtt”, e i treti e përfundonte duke thënë “rring-rring”. Aq shumë ishim marrosur pas kësaj shprehje, sa nuk linim vend pa e thënë. Në klasën tonë, ai që printe sa herë thuhej shprehja e mësipërme, ishte djali i dikujt që njihej si një ndër njerëzit më të përkushtuar ndaj regjimit.
Me kalimin e kohës, shprehja nisi të bëhej edhe për përdorim vetjak. Tashmë nuk ishte e nevojshme që të ishin tre vetë sa herë thuhej, por ajo ishte thjeshtëzuar dhe të gjithë mund të thonin “rrrrrt-rring-rring”. Entuziazmi bëhej edhe më i madh kur shprehja thuhej në prani të personit që mbante të drejtën e autorit.
Shumë shpejt u zbardh dhe e vërteta e shprehjes. Një mbrëmje dimri, pasi kishin nisur lëvizjet e mëdha dhe pluralizmi kishte mbërritur, komunistët e zonës ishin mbledhur në një shtëpi dhe kishin diskutuar për të ardhmen. Në fund të takimit, njëri prej tyre ishte ngritur e kishte bërtitur “komunistët nuk dorëzohen”, dhe komunisti ynë i entuziazmuar ia kishte pritur i emocionuar “rrrttt-rring-rring”, duke bërë dhe një lëvizje me dorë, pak a shumë si përshëndetjet naziste, por që sipas burimit në takim, nënkuptonte ekzekutimin e kundërshtarëve.
Fillimisht personi që mbante të drejtën e autorit për shprehjen nuk është se ndihej i bezdisur kur ia thonin në sy, i madh e i vogël. Por me kalimin e kohës, ajo iu kthye në stres.
***
Në atë kohe ishin krijuar disa fole komunikimi agresive, siç ishin bilardot. Këto të fundit ishin simbol i periudhës që po lindte. Të mbushura plot e përplot, e të zhytura në kumar, ishin tregues i papunësisë dhe varfërisë ekstreme.
Pikërisht aty lindi një tjetër shprehje, që për shumë do ishte krejt esenca e sistemit të ri. Një biznesmen, nga ato të rinjtë, që të gjithë i vinin nga pas nofkën “tuli” kur e thërrisnin, shpiku shprehjen “n’e hangsh”. Përkthimi më i përafërt që i bëhej ishte se kush është i zoti, fiton, përfiton, vjedh, përvetëson. Mirëpo gjithçka përmblidhej në foljen “ha”. Kjo për shkak se ushqimi ishte një problem i madh që kishim me regjimin e kaluar. Mund të fitoje në bixhoz, në emigracion, në një tender, por gjithçka do shkonte aty, do kthehej në ushqim. Si ai mishi i zi që kishte mbërritur nga jashtë (thonin se ishte ndihmë, por ai shitej me lekë), dhe që na linte gojëhapur. Ishte aq i fortë sa mund të pritej në forma nga më të ndryshme.
Mund të blije për shembull një kub mish, një romb, a një trapez. Dikush që mbahej si person i informuar tha se ishte mish antilope. Mirëpo ai mish i bekuar, që nisi të shtonte celulitin ndër njerëz, u quajt më vonë edhe fajtor për diçka tjetër. Sa herë dikush kishte ankthe, makthe, apo strese, probleme pak të njohura më parë, kërkonte një arsye më fizike për të mbërritur tek fajtori. E në këtë rast ai mish i çuditshëm quhej fajtor për ato që në gjuhën e përgjithshme nisën të quheshin “fiksime”, dhe që nuk ishin të ngjashme me çmendjen, që pësonin njerëzit kur kishin ndonjë traumë, apo kur torturoheshin.
“N’e hangsh” vazhdonte të korrte sukses. Ndryshe nga komunisti, biznesmeni i ri nuk e kishte problem që kjo shprehje të thuhej, madje kërkonte që sa herë përmendej, të thuhej “n’e hangsh ka thënë filani…”.
Komunisti i “rring- rring” po kalonte një krizë të vërtetë. Madje thonin se kishte sulmuar me një këmesë (një vegël që përdoret për të prerë pemë relativisht të reja) disa persona që ia kishin përmendur shprehjen. Më pas u izolua totalisht dhe pleqtë thonin se ai po shkonte drejt asaj faze që njihej si “plasja”.
Nga ana tjetër vazhdonte një betejë e fortë për të mos e lënë thjesht lokale shprehjen. Një lumturi e madhe ishte kur u mor vesh që njëri kishte dëgjuar në një urban në Tiranë të thuhej shprehja “rrrt-rrring-rring”. Ai kishte kontrolluar mirë nëse personi në fjalë ishte nga zona jonë, por nuk ishte ashtu. Kulmi arriti kur një i ri, që kishte përfunduar për të bërë një shërbim pak të çuditshëm ushtarak në Vlorë, tha se e kishte dëgjuar dhe atje shprehjen.
Në nisje të një periudhe të vështirë për shqiptarët, komunisti i izoluar u shua. U tha se vdiq nga vreri, por shumë pak pendesë pati nga të gjithë pjesëmarrësit në atë histeri vrastare. Më vonë e gjithë ngarkesa u shkarkua tek kalamajtë, të cilët u bënë fajtorë për vdekjen e tij. Në të vërtetë ai dukej më shumë si viktimë e parë e lirisë së shprehjes.
Bashkë me të u shua krejtësisht edhe fjalia e tij.
Shprehja “n’e hangsh” vazhdon të jetojë.







