Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Mijëra qytetarë të Vlorës që kanë investuar në industrinë turistike si dhe gjithë ata investitorë seriozë që kanë besuar tek e ardhmja turistike e kësaj zone, do të duhet të anulojnë projektet e tyre duke rrezikuar investimet e bëra, nëse qeveria shqiptare u shkon deri në fund projekteve të saj për të zhdukur dhe oazin e fundit të gjelbërimit në qytet, Pyllin e Sodës dhe ta kthejë zonën në një park industrial në funksion të një porti të ri që do të ketë objektin kryesor eksport-importin e naftës dhe gazit. Problemi që mbart debate rreth orientimit të zhvillimit të qytetit të Vlorës, është në të vërtetë një debat kombëtar dhe jo lokal.
Kriza e identitetit që po pëson Vlora në të ardhmen e zhvillimit të saj është një krizë që po prek të gjithë Shqipërinë. Kjo krizë është shkaktuar nga deformimi i raportit mes orientimit të zhvillimit turistik të vendit dhe zhvillimit të industrisë së agroturizmit, zhvillimit industrial të bregdetit dhe kthimit të tij në territor koncesiar për kompani të huaja që duan të ndërtojnë parqe industriale, fabrika çimentosh, rafineri nafte, etj. Këto dy prirje zhvillimi janë krejt të kundërta me njëra-tjetrën. Për 18 vite, mijëra qytetarë shqiptarë dhe investitorë të mëdhenj e të mesëm, kanë besuar orientimin e zhvillimit turistik të Shqipërisë dhe kanë investuar në bregdet, sidomos në Vlorë për ndërtimin e një industrie turistike, me hotele, plazhe fshatra turistike, etj.
Më tej e ka pasur radhën zhvillimi i bujqësisë lokale, rritja e prodhimit vendas, furnizimi me prodhime bio i zonave turistike, etj. Fare papritur 2-3 vitet e fundit, qeveria e kryeministrit Berisha ka ndryshuar pa mandate orientimin e zhvillimit të vendit, duke i dhënë prioritet koncesioneve për klientë të kryeministrit, apo miqësi personale e familjare të tij. Këto koncesione po jepen për ndërtime parqesh industriale, rafineri nafte, rafineri gazi, centralesh me qymyr, centralesh me naftë, fabrika çimentosh, etj. Secila prej këtyre koncesioneve, është një shans më pak për turizmin në bregdetin shqiptar.
Projekti i fundit i qeverisë për të prerë Pyllin e Sodës dhe për ta falur atë për biznesmenë, klientë të kryeministrit Berisha, i jep në të vërtetë fund shpresave për zhvillimin turistik të Vlorës. Pas kësaj nuk është e sigurt nëse Vlora do të bëhet një fuqi industriale në rajon, por është e sigurt se ai nuk do të jetë më një qytet turistik. Kjo do të bëjë që miliona e miliarda lekë investime në këtë qytet për turizmin, të kthehen në një piramidë financiare, duke dështuar kështu për herë të dytë përpjekjen e këtyre qytetarëve për të pasur të sigurta investimet e tyre.
Vlora është e njohur në Shqipëri dhe jashtë saj, për fatin tragjik të vitit 1997, kur qytetarët investuan më shumë se kudo tjetër paratë e tyre në skemat piramidale, duke humbur pas pak kohësh perspektivën e investimit të tyre të gabuar dhe duke u zhytur në zemërim dhe anarki, që i kushtoi shtrenjtë qytetit. Kjo shkaktoi dhe rënien nga pushteti të ish-presidentit Berisha.
Për herë të dytë pas 12 vitesh, qytetarët e Vlorës gjenden para rrezikut të një piramide të re, atë të investimit të gabuar në turizëm, investime që janë të destinuara të dështojnë, nëse Berisha bën realitet projektin e tij për të shkatërruar rreth 500 hektarë të Pyllit të Sodës dhe për ta kthyer Vlorën në një territor të falur me 1 euro, për të groposur miliarda euro të investuara nga qytetarët e Vlorës në turizëm. Kjo është piramida më e madhe financiare që po stimulon qeveria Berisha me projektet e saj për Vlorën, shumë herë më e madhe dhe më e rrezikshme se piramidat financiare të vitit 1997, që zhgënjyen banorët e këtij qyteti, ringjallja e të cilit është vënë përsëri në dyshim.