Nga Eduard Zaloshnja, 2 Shkurt 2012
Në një shënim të mëparshëm, njoftuam se Ambasadori Arvizu ka dhënë për Sonila Meçon e televizionit ABC News një intervistë, në të cilën gjen rast për herë të n-të të marrë në mbrojtje hetimin e pavarur të ngjarjes së 21 janarit — dhe kryeprokuroren. Si kryelajm të intervistës, veçuam thënien e theksuar dy herë të Ambasadorit Arvizu se nëse shkohet në kërcënime dhe kanosje të kryeprokurores, tejkalohet kufiri, dhe kjo përbën problem për SHBA-të.
Kjo bombë e ambasadorit amerikan vjen pas deklaratës së fortë të Bob Hand-it në Zërin e Amerikës se, të ngresh akuza për grusht shteti apo të kërcënosh se do të ndjekësh ligjërisht zyrtarët pasi të jenë larguar nga posti, nuk bën tjetër veçse krijon më tepër mosbesim në aftësinë si Kryeministër për të drejtuar Shqipërinë ( http://www.respublica.al/artikuj/2012/1/26/sa-peshe-kane-fjalet-e-bob-hand-it-rreth-aftesise-se-berishes-per-te-drejtuar ).
Të marra së bashku, deklaratat e mësipërme tregojnë se kemi të bëjmë me një thyerje të madhe mes Berishës e SHBA-ve.
Ndërkohë, në intervistën e ambasadorit Arvizu kishte edhe një lajm tjetër, jo fare të palidhur me kryelajmin e mësipërm. Kur u pyet për Lulzim Bashën, ai tha që mendonte se është e drejtë të thuhet se është një yll në ngjitje. “Është 30 e ca vjeç dhe është kryetar i Bashkisë së Tiranës. Mendoj se është e rëndësishme të ketë gjak të ri, freski, në politikën shqitare,”- tha ai për Bashën. Më tej, Ambasadori Arvizu theksoi se politikanët mbi 60 vjeç duhet ta kuptojnë se është mirë t’u japin mundësi politikanëve të rinj ta provojnë veten.
Përkthimi nga diplomatikisht në shqip: Berisha, hapja krahun Bashës!
*respublica.al







