Shpesh e shkuara na duket si ndonjë përbindësh që ka gllabëruar të parët tanë dhe e gjithë ndërgjegjia jonë preket me fatin e mbrapshtë të shekujve. Por kur shfletojmë librat e lashtësisë dhe gjejmë në të mendimin, emocionet dhe filozofinë e jetës, menjëherë ndryshojmë qëndrim dhe priremi që të tundohemi më shumë tek trashëgimia që na kanë lënë sesa tek ngjarjet e hidhura të historisë.
Ngjarjet edhe pse ndonjëherë mund të transformohen sipas dëshirës së regjizorëve nëpër filma, filozofia e mjeshtrave të lashtësisë na është transmetuar gati e njëjtë, e pandryshuar e magjishme dhe e thellë sa vetë dijet e kohës. Natyrisht ta sjellësh lashtësinë në film ka shumë lehtësira që kinematografitë e sotme e bëjnë pa siklet, por të sjellësh lashtësinë në fjalën e vet është një detyrim i të gjithë studiuesve, letrarëve, përkthyesve.
Lashtësia lindi gjenialët e parë të mendimit dhe ata të tillë do të mbeten, pasi nuk mund të vlerësosh të tashmen pa e hedhur thellë vështrimin tek lashtësia, pararendësja e jetës sonë. Po të prishësh nëj pallat luksoz që janë dashur vite dhe mund që ta ndërtosh, ke prishur të shkuarën, djersën e atyre që e ideuan dhe e ndërtuan, të piktorëve që e zbukuruan. Por më e keqja kë fshirë vetë historinë e jetës së saj, historinë e jetës sonë duke krijuar një boshllëk në pejsazhin e shoqërisë. Nuk ndodh e njëjta tek prish një modernitet që nuk arrin dot të bëhet lashtësi, vlerë, trashëgimi.
E këto mendime më zgjoi lajmi i botimit të një antologjie tjetër me poezi greke, por jo bashkëkohore, por klasike dhe që mban titullin Poetët grekë. Përfshihen në të poetë që nga Homeri e deri në shekullin e VI të erës sonë, të përkthyera dhe komentuara nga Guarracino, një prej ekspertëve të poezisë greke dhe latine në kolanën e librave klasikë me format xhepi. Një vepër e nevojshme edhe për qëllimet didaktike në licetë klasikë. E ndërsa bota na mahnit me këto botime, tek ne nuk po gjen paqë lufta e të kundërtave sipërfaqësore dhe e fundme në kulturë dhe më saktë në letërsi.
Të gjithë kundra të gjithëve, mjafton që të jemi në vijën e parë të sulmeve dhe të mohimit. Pas çdo mohimi detyrimisht vjen një pohim, por zoti na ruajtë nëse ky pohim nuk ka vlerën e atyre që i goditëm me gjithë forcën e urrjetjes dhe të shpresës se do të jemi ne mendimi i kohëve moderne, filozofia e e saj, kultura e saj. Sa pak modesti në gojën e atyre që duan me çdo kusht të bëhen Zeusa dhe të na flasin nga Olimpet e kalbura të mendjemadhësisë. Ne a i kemi dot këto vepra sot pas gjithë këtyre viteve demokraci dhe liberalizim të përkthimeve? Fjalët nuk janë vepra, por vetëm fjalë…, të cilat në fantazinë e disave mund të marrin formë në ëndrrat (përralla) që kërkojnë të na tregojnë.
Të apasionuarit e kulturës së lashtë greke do të gjejnë në këtë vepër një vendosje të çmuar historike dhe kulturore të poetëve më të mëdhenj antikë grekë, por edhe të më të vegjëlve dhe të panjohurve që vetë autori i mori nga antologjia e pashtershme Palatina. Nuk po flasim këtu për poetë të kurorëzuar nga bollëku i veprave të lëna dhe nga fama që rrjedh për nga lartësia e shkrimit dhe vërtetësia ekzistenciale e intuitave të tyre si Homeri, Esiodi, Sofokliu, Euripidi, Eskili, Pitagora, Platoni dhe Aristoteli. Bile është befasi të mësosh se tre baballarët e filozofisë kanë qënë edhe poetë, autorë epigramesh, himnesh dhe këngësh.
Vlen të përmendet vëmendja tek autorët më pak të njohur apo të panjohur të cilët Guarracino u ka kthyer meritën se kanë shkruar epigrame me mprehtësi të dukshme dhe lirika me emocione të mëdha. Safoja është detyrimisht mes tyre, edhe pse me pak poezi që mbijetuan nga shkatërrimet e kohës, por edhe Arkiloku, Alkmani, Alkeu, Anakreonti, Pindari që janë analizuar nga studiuesit, por më pak të njohur dhe më shumë do ia vlente që të lexoje zbulime që autori i sjell në dritë si Nosidi, Leonida, Melagroni, Simiani, i cili ka një veçanti sepse kur shkruante vargjet riprodhonte figurën e objektit për të cilin flet si Krahët, Sëpata, Veza, duke e paraprirë me 2300 vjet tendencën e viteve ‘900 të poezisë vizive. Epigrami nuk është një shpikje e dy shekujve të fundit me Karl Krausin dhe Alberto Kaziragin e viteve të fundit, siç thuhet, por është formë poetike e praktikuar me vendosmëri në antikitetin grek si nga poetë të karmeve të mëdha, këngëve dhe poemave, por edhe nga filozofë dhe shkencëtarë.
Studiuesi Guarracino tek antologjia Palatina mori një grup epigramistësh me forcë të madhe shprehëse dhe me koncepte universale që ende sot janë të vlefshëm dhe që mund të drejtojnë bashkëjetesën civile. Kjo do të thotë se në fund të fundit kush shkruan nuk shpik më asgjë dhe shpesh pa e ditur nuk bën gjë tjetër veç rishkrimit të ideve dhe koncepteve, maksima që janë përpunuar nga pararendësit. Kjo nuk e anulon vlerën e krijimtarisë, kur shkrimi nuk është plagjiaturë dhe imitim prej skllavi. Të imitosh modelet e lashtësisë apo dhe tradicionalë në letërsi dhe për më tepër në poezi, do të thotë të jesh shumë pak krijues dhe origjinal dhe shumë kopjues.
Asklepiadi
A e do ti virgjërinë tënde? Por përse vallë? Kur
Do të jesh në Ade, vogëlushe, nuk do të gjesh atë që të do.
Kënaqësitë e Cipridit janë mes të gjallëve : tek Akeronti
Virgjëreshë e dashur, do të jemi kthyer në kocka dhe hi.Meleagri
Tashmë lulëzon violeta, lulëzon narcizi
Dhe lulëzojnë shpatoret në male.
Tashmë lulja e dashur më e bukur
Xenofili rozë i bindjes çeli.
Përse, lëndina, më kot në flokë ndriçoni?
Më shumë se çdo kurorë tjetër me erë ajo vlen.Platoni
Të hedh një mollë. Kape fluturimthi nëse do
Të më duash dhe më lejo që unë ta shijoj virgjërinë tënde.
Nëse mendimi yt është tjetër, prapë
Kape dhe mendo sesa e pakapshme është rinia.Nosidi
Më shumë se çdo gjë tjetër dashuria është e ëmbël dhe gjithçka
S’qëndron para saj : goja nxjerr edhe mjaltin.
Këtë e thotë Nosidi : kush perëndeshën e Qipros nuk e ka puthur
S’e merr parasysh cilat janë trëndafilat e saj.
Libri që ka një vizion të tërë të botës dhe të jetës sonë të dikurshme nuk mun dtë jetë një libër dosido, paçavure si shumë libra që na bie rasti t’i shohim sot, por ëshët një minierë urtësie, braktisje sentimentale, melankoli jete, gëzim dashurie, keqardhje për vdekjen e pashmangshme. Shumë epigrame janë edhe epitafe për varret : I huaj, po mbërrite në Mitilenën melodioze/të dehur nga lulja e Karitit, e Safos/ thuaj se të dashuruan Muzat dhe atdheu im/ ishte Lokri. Tash e di që jam Nosidi : ik.
Arjan Th. Kallço