Një tempull paqeje për ikonën e shqiptarisë, Ibrahim Rugova

0
44

Si duken Kompleksi Memorial dhe sheshi Ibrahim Rugova

Kompleksi përcjell mesazhin e lashtësisë së luftës për pavarësi. Memoriali prezanton me dinjitet jo vetëm figurën e Dr. Ibrahim Rugovës, por edhe përmbylljen e shtegtimit shekullor për pavarësinë e Kosovës.

Pas mbi gjashtë vjetësh kur ndërroi jetë presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova më në fund janë zhbllokuar të gjitha procedurat për ndërtimin e Kompleksit Memorial dhe Sheshit “Ibrahim Rugova”.
Ishte “Bota sot” që në vazhdimësi ka shkruar për tendencën e qeverisë Thjaçi 1, që të rrëzonte projektin për ndërtimin e kompleksit memorial Ibrahim Rugova, nismë kjo e ndërmarrë nga qeveria Çeku.

Së fundi kanë nisur për së mbari procedurat për ndërtimin e sheshit “Ibrahim Rugova”, në qendër të kryeqytetit, ndërsa Memoriali në Velani aty ku prehet Presidenti historik. Që nga vdekja e tij u zvarrit apo u bllokua ndërtimi i një kompleksi monumental kushtuar jetës, veprës dhe punës së Presidentit. Varri i tij ka mbetur ashtu siç ishte që nga vdekja.

Ndërkohë, që ai vazhdon të jetë ndoshta vendi më i vizituar në Kosovë, pavarësisht thjeshtësisë, ndërkohë që vazhdon të jetë shumë i vizituar edhe kompleksi memorial në Prekaz për familjen Jashari.

Mijëra qytetarë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga e gjithë bota vazhdojnë të vizitojnë e përkulen para Varrit të presidentit Ibrahim Rugova, për të cilin kujdesi është në nivelin jo të dëshiruar.