NJË TELEVIZION NUK ËSHTË NJË AGJENCI LAJMESH

0
37

Mustafa Nano

Mustafa Nano

Zululand
Duhet pranuar, se informacioni gazetaresk absolutisht i paanshëm është objektivisht i pamundur. Sidomos, ai televiziv. Ne gazetarët nuk mund të jemi makina të ftohta; përkundrazi, jemi njerëz prej mishi e gjaku, me emocionet e me bindjet tona, e në këtë kuptim prishja e balancës informative është e kuptueshme. Dhe lajmet mund të bëhen partizane, jo vetëm duke mos i qëndruar besnik asaj që ka ndodhur, por edhe duke parapëlqyer një lajm në vend të një tjetri; edhe duke theksuar në mënyrë të veçantë fragmente të lajmit, gjë që mund të bëhet dhe nga vetë folësi; edhe duke zgjedhur për transmetim pamje filmike gjoja të pafajshme; edhe nëpërmjet hilesh të tjera të pafundme gazetareske.

Por unë nuk e kam fjalën për marifete të tilla të mezidallueshme, të cilat ndoshta ia lejojnë vetes dhe gazetarët e BBC-së (ata të CNN-it e Fox News-it, po se po). Këtej nga anët tona, edhe teleshikuesi më pak i sofistikuar nuk e ka fare të zorshme ta shquajë faktin, që ndonjë televizion është nën komandën e filanit e që ndonjë televizion tjetër është nën hyqmin e fistekut. Madje, ka televizione që bëjnë gjithë kohën propagandë bajate në favor të partisë në pushtet. Shembull? Po mbetem vetëm te televizioni publik, që është një rast për manualet e gazetarisë, nëpërmjet të cilit mund të tregohet se si nuk duhen bërë lajmet.

Tjetër? Për gazetarët e televizioneve tona, mjafton që një politikan të bëjë një xhiro diku, apo që një zëdhënës partie të japë një deklaratë, dhe kjo vetvetiu na qenka një informacion. Kjo fyen inteligjencën e (u jep bezdi) të gjithëve, gjë që ndodh sa të duash edhe kur edicioneve informative të televizioneve tona u jepet një ngarkesë e përzishme, mortore, ndjellakeqe, aq sa në përfundim të tyre, teleshikuesit nuk kanë pse ta kenë për gjë t’i drejtohen sho-shoqit me frazën “të rroni vetë!”.

Ka më? Sigurisht, ka shumë, por do veçoja më në fund dukurinë e fragmentarizimit të skajshëm të korpusit informativ të ditës. Në edicionet televizive nuk mund të kemi një njëpasnjëshmëri lajmesh politike, të cilat nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, pasi kështu i ka hije të sillet veç një agjencie telegrafike. Nuk ka kuptim që të japësh kryeministrin e një vendi teksa flet për një çështje të caktuar, e menjëherë pas tij të japësh udhëheqësin e opozitës që flet për një çështje krejt tjetër, a thua se të dy jetojnë në botë të ndryshme. Lajmet kryesore politike në çdo vend të botës janë dy, e shumta tre.

Ndonjëherë dhe një i vetëm. Dhe një televizion e ka për detyrë të fokusohet veç te lajmet kryesore, të cilat duhet të kopsiten mirë e mirë me pamje filmike, me raportime nga vendi i ngjarjes, me ilustrime arkivore, me komente të ftohta, e me qëndrimet e të gjitha palëve. Vetëm kështu teleshikuesi merr vesh se ç’ka ndodhur realisht.