Një skaner i madh po afrohet

0
43

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 07.02.2010

Rezoluta e Këshillit të Europës ka krijuar një realitet të ri në lidhje me krizën. Çfarë është ky realitet i ri? Është pikësëpari zgjerimi i numrit dhe i natyrës së aktorëve të përfshirë në zgjidhjen e saj. Në valle ka hyrë si asnjëherë tjetër Këshilli i Europës. Është thirrur në kauzë Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi. Në vijimësi, duket qartë se do të kemi një përfshirje të shtuar të Bashkimit Europian. SHBA, partneri ynë kryesor strategjik, është aktiv e do të jetë akoma më aktiv, në vartësi të zhvillimeve. Fjala e SHBA-së ka peshë të veçantë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve.

Të gjitha këto tregojnë se problematika e krizës, sikurse zgjidhja e saj, nuk është më thjesht një çështje e debatit rutinë midis qeverisë dhe opozitës, ashtu siç e kemi parë deri dje. Shansi që kriza të njihej, të përballohej dhe të zgjidhej pa praninë e një pale të tretë humbi në përpjekjen e gjatë të qeverisë për të shërbyer manovra në vend të zgjidhjeve. Sërish qeveria dhe opozita inkurajohen të ulen dhe të gjejnë gjuhën. Ato janë sërish faktorët kryesorë të daljes nga tuneli i krizës. Por, tashmë në një kontekst krejt tjetër.

Në fakt kemi mbërritur në një pikë ku liderit politik të Shqipërisë nuk luajnë më për njëri-tjetrin apo për ndjekësit e tyre besnikë, por për një plate shumë më të madhe e më të lartë që është Perëndimi. Ata po shikohen, po monitorohen dhe po gjykohen si asnjëherë tjetër. Në kuptimin figurativ të fjalës, ata nuk mund të luajnë në “dialekt”, pa marrë përsipër koston e gjykimit negativ të ndërkombëtarëve. Vetë ndërkombëtarët e kanë parë me vend të futen brenda shqipes për të kuptuar më mirë mekanizmin e konfliktulitetit që karakterizon politikën e këtij vendi.

E gjithë kjo është mirë. Me tekstin dhe kontekstin e saj, rezoluta e KE-së vjen si një dije politike e veçantë, por është ndërkaq edhe një dokument që teston formimin, orientimin, seriozitetin dhe integritetin e krerëve politikë shqiptare. Në kohëra të qeta shumë gjëra uniformohen. Mediokrit dhe të llastuarit duken tipa trendi. Demagogët në një anë dhe servilët në këmbët e tyre janë vetë skena e politikës. Hajdutët adhurojnë “stabilitetin” për të bërë në qetësi paratë e ëndërruara. Krizat vijnë për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje kalbëzimi. Ka gjithmonë pra një moment kur zhvillimi politik i nxjerr të gjithë politikanët në det të hapur. Një gjë e tillë ka ndodhur disa herë më parë përgjatë viteve të tranzicionit. Mendoj se e njëjta gjë po ndodh edhe tani me rezolutën e KE-së dhe me zbarkimin e ri të perëndimorëve në tokën e Shqipërisë. Një skaner i madh po afrohet. Një provim i madh po na vjen rrotull.

Presidentit Bamir Topi i ka rënë barra të tregojë se cili është institucioni i Presidentit që ka ndërtuar Shqipëria pas krizës së vitit 1997. Nuk është fjala për të manifestuar zoti Topi integritetin e tij si individ ,që fatmirësisht as i ka munguar, as do t’i mungojë . Fjala është për Presidentin si institucion. A i kemi dhënë këtij institucioni prerogativat e nevojshme për të udhëhequr zgjidhjen e konflikteve dhe krizave kur kjo bëhet e pamundur në aulat e tjera me të ulëta? Apo Presidenti duhet të shohë njëqind herë majtas e djathtas, pa të vendosë të hedhë ndonjë hap? E kemi dobësuar edhe me shumë Presidentin me ndryshimet kushtetuese të vitit të kaluar. Këto ditë nuk e riparojmë dot gabimin e bërë. Ka arsye të shpresohet se zoti Topi, në përmbushje të misionit që i është ngarkuar, do të kujdeset të plotësoje me përvojën dhe aftësitë e tij kufizimet ligjore të institucionit. Por ai nuk mund t’ia dalë vetëm. Për vetë natyrën e sfidës që ka përpara Shqipëria, nga kryeministri Berisha dhe shefi i opozitës Rama kërkohet që në agjendën e takimit të tyre të pritshëm të zërë një vend të veçantë edhe përgjegjësia për institucionin e Presidentit të Republikës.

Kryeministri Berisha u përpoq, legjitimisht, të ndryshonte rezolutën. Nuk ia doli. Tani ai përballet me “një mall” që nuk e do, por që standardi demokratik i Europës i kërkon ta respektojë njëlloj si ta kishte dashur. Këtu është “udhëkryqi” i kreut të ekzekutivit. Ai duhet të kujtohet se kriza e vitit 1997 pati një kosto të shtuar kryesisht për shkak të vonesës në dhënien e zgjidhjes. Në krizë, koha vlen sa vetë zgjidhja. Qasja më e keqe në raste të tilla është të mos duash ta pranosh arsyet e vërteta të krizës, të mos duash të pranosh arsyet e palës kundërshtare, “të zemërohesh me gjithë botën”, të shkosh deri atje sa të mendosh e të provosh të ndryshosh deri aleancat me të cilat ke ardhur deri aty ku je. Qasja më e mirë është të përqafosh mundësisht sot principet e kompromisit që do të të duhet t’i pranosh, fjala vjen, pas një muaji. Nuk është thjesht kursim kohe. Është shumë më shumë.

Shefi i opozitës, Edi Rama, sheh se ajo që deri dje ka qenë kërkesa e vetme e ndërkombëtarëve drejtuar PS-së për t’u kthyer në Kuvend, në rezolutë është bërë pjesë e një pakete unike veprimesh e zgjidhjesh që duhet të negociohen në tryezë. Deputetët e PS-së fituan një bast dhe i dhanë vendit një mundësi. Në këtë pikë Rama është në rrjedhë të rezolutës, pra është komod. Por, përgjatë Shkurtit të gjatë të negociatave, ai duhet të ruhet nga avantazhi që ka, në kuptimin që të mos e shpërdorojë as me fjalë, as me veprime të pamatura.

Rezoluta është një gur i veçantë prove edhe për mjedisin mediatik që përcjell apo rrethon politikën. Realiteti i ri që ka krijuar ky dokument, i ka nxjerrë në një dritë tjetër, për të mos thënë i ka djegur shumë prej lajmeve të mëparshme . Në rendin e ditës sot është dialogu, gjetja e një zgjidhjeje në tryezën e presidentit. E gjithë kjo nën trysninë e menduar të vizitës së një delegacioni të lartë nga Strasburgu në datën 22 shkurt në Tiranë- gjë e pangjarë deri me sot. Në këtë kontekst disa pyetje apo tema, si për shembull, tema zhurmëmadhe e djegies së mandateve të deputetëve të tanishëm socialistë, janë tema si për pardje. Natyrisht, çdo media dhe çdo gazetar është i lirë ta shohë situatën e krizës si të mundet dhe si t’i pëlqejë. Dikush mund ta bëjë këtë si një arratisje nga realiteti, dikush sepse aq mend ka. Megjithëse i varfër, jemi një vend i lirë. Por është pikërisht liria, ajo që e mbush me kuptim pyetjen e vjetër “ku ishe ti Adman”, kur është fjala për t’i dhënë një dorë një zhvillimi që nuk është i zakonshëm. Si ky i shkurtit 2009.