Rudina Seseri
Për të dytën herë gjatë këtyre 20 vjetëve, ekonomia shqiptare është në krizë të plotë, që jo vetëm ka përkeqësuar treguesit makroekonomikë, por edhe ka goditur rëndë ekonominë e familjeve dhe nivelin e jetesës së secilit. Në vitin 1997 u zeruan të gjitha sakrificat e reformave të dhimbshme të ndërmarra deri atëherë dhe u shpërdorua gjaku dhe djersa e mijëra emigrantëve, që me sakrifica të mëdha punonin jashtë dhe ndihmonin familjet e tyre në Shqipëri. Tani po zerohen fondet publike dhe po shpërdorohet gjithçka që shqiptarët kanë mundur të ndërtojnë e zhvillojnë vetë për të garantuar jetesën e tyre.
Shqipëria është vërtet një vend i vogël dhe me pasuri të kufizuara, por asaj nuk i kanë munguar mundësitë për t’u transformuar me kohë në një ekonomi të përparuar. Me kusht që të menaxhohej mirë, nga njerëz të aftë, që kanë hequr dorë nga e kaluara e tyre komuniste dhe që njohin dhe respektojnë pa mëdyshje parimet dhe rregullat e ekonomisë së tregut.
Fatkeqësisht menaxhimi i sotëm i ekonomisë vazhdon të bëhet me mendësitë e ekonomisë së centralizuar dhe të kujton as më shumë e as më pak drejtimin e ekonomive bujqësore primitive. Nuk mund të fshihet dot nga kujtesa rasti i turpshëm i piramidave, që e ka njollosur keq vendin dhe që vazhdon t’u tregohet studentëve kudo në botë si shembull tipik keqmenaxhimi e keqqeverisjeje. Nuk mund të anashkalohet dot as fakti se në çdo vend perëndimor do të kishin dalë para ligjit jo vetëm drejtuesit e të gjitha niveleve të përlyer në piramida, por edhe qeveritarët që i lejuan, toleruan dhe nxitën, që të mos guxonin të shkelnin në zyrat e administratës publike e jo më të drejtonin përsëri ekonominë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Ndryshe nga sa diktojnë rregullat dhe parimet e ekonomisë së tregut, sot paratë e shtetit dhe të shqiptarëve po shpenzohen në mënyrë arrogante, pa asnjë eficiencë dhe në dobi të interesave politike dhe personale të qeveritarëve, të cilët, njëlloj si dje, gënjejnë popullin e tyre se Shqipëria është fanar ndriçues për të gjitha vendet e tjera.
Sindromi i gjigandizmit është një sindrom i pastër populist diktatorial. Hoxha urdhëroi prodhimin e autobusëve, traktorëve, armëve, bunkerëve dhe e la vendin pa bukë. Çaushesku urdhëroi ndërtimin e një pallati presidencial më të madh se pallati i Versajës, duke bërë rrush e kumbulla pasuritë e vendit të tij.
Po qeveritaret tanë sot çfarë bëjnë? Në ditën e fillimit të punimeve të rrugës së kombit, pasi kishin përfunduar projektet, tenderat, kontraktimet, ata urdhërojnë që rruga të bëhet jo me dy, por me katër korsi. Pa asnjë studim. Pa asnjë ide për koston. Pa asnjë kriter ekonomik. Me një kontratë pa çmim-tavan. Dhe, deri tani, vendi më i varfër i Europës ka luksin të paguajë 15 milionë euro për kilometër me para të marra borxh. Por ç’rëndësi ka lloji i kontratës. Në mes të Tiranës, me para të marra borxh, po ngrihet një spital për të cilin deri tani është paguar të paktën dyfishi i vlerës së projektit fillestar dhe deri në përfundim kostoja finale pritet të jetë sa trefishi i vlerës së parashikuar.
Qeveritarët deklarojnë se Shqipëria do të bëhet superfuqi energjetike, superfuqi çimentoje, superfuqi turizmi, superfuqi ulliri, pa asgjë të studiuar e të shkruar, pa asnjë llogaritje, pa dëgjuar asnjë mendim nga ekspertët. Ndërkohë që dy fabrika çimentoje në Krujë e Fushë-Krujë dhe një në Shkodër, një TEC me qymyr në Durrës, një TEC dhe një port nafte në Vlorë, janë të mjaftueshëm që në Shqipëri të mos shkelë këmbë turisti. Si mund të kthehet turizmi në një mjet jetese për banorët e varfër të Krujës, kur turistit i duhet ta dallojë qytetin historik midis tymit kancerogjen të gomave që digjen për gëlqeren dhe i fabrikave përreth? Si mund të fillojnë të përfitojnë vlonjatët nga qindra milionë euro të investuara prej tyre në turizëm, kur gjithçka në gjirin e Vlorës, përfshirë dhe Pyllin e Sodës, po kthehet me barbarizëm në një zonë industriale me ndotje të jashtëzakonshme?
Sindromi i gjigantizmit nuk mbaron këtu. Para pak ditësh, në mes të duartrokitjeve të shfrenuara, u shpall si një lajm i gëzuar fillimi i ndërtimit të Boshtit të Jugut. Jo i Korridorit të Jugut, por i Boshtit të Jugut. Nuk bëhen studime fizibiliteti, nuk bëhen analiza ekonomike. Nëpunësve të frikësuar u kërkohet që qorrazi të duartrokasin me argumentin antiko-luftarak se fuqia e Romës qëndronte te rrugët e saj!
Kështu, shqiptarët e papunë e të varfëruar, që shpenzojnë dy herë më shumë për ushqime, energji elektrike, shëndetësi, arsim, duhet të gëzohen me pseudo perspektivën se do të lëvizin në tunele, sepse tunelet janë shpëtimi i tyre (jo bunkerët, si dikur). Por, na thuhet, ka një problem fare të vockël, tunelet janë të kushtueshme se malet tona janë të shkërrmoqshëm, çmimet janë të kripura dhe kjo do të jetë vepra më e kushtueshme e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Është e parezistueshme pyetja se në cilën lloj ekonomie flitet kështu për investimet, sikur të ishte fjala për harxhime rutinë të tipit fruta e perime.
Ndryshe nga Shqipëria, në çdo vend perëndimor i kushtohet rëndësi e madhe studimit, analizës dhe vlerësimit, ku, si dhe me sa eficiencë do të shpenzohen paratë. Aq më tepër kur këto para merren borxh dhe shlyerja e tyre do të vazhdojë edhe për të paktën dy breza të tjerë.
Qeveritarët deklarojnë se Shqipëria do të ketë brenda katër vitesh rrjetin rrugor më modern në Ballkan dhe nga më modernet në Europë. Ndërkohë që tashmë dihet se me 3.5 km për 1000 banorë, Shqipëria ka rreth 2 herë më pak rrugë se Kroacia, Maqedonia dhe Serbia, 3 herë më pak se Mali i Zi, 5 herë më pak se Hungaria dhe 11 herë më pak se Estonia. Për të arritur të paktën nivelin e sotëm të Maqedonisë, Shqipërisë i duhet, përveçse të rikonstruktojë rrugët ekzistuese, të ndërtojë edhe rreth 9000 km rrugë të tjera, që kushtojnë miliarda euro.
Këto gjigandizma serviren kur ekonomia shqiptare është në gjendje të mjerueshme, kur shqiptarët përballen me një moszhvillim industrial, me një bujqësi primitive dhe të neglizhuar plotësisht nga politikat publike, me biznese të frenuara dhe gati të falimentuara, me eksporte të papërfillshme, me keqmenaxhim dhe shpërdorim të fondeve publike, kur qytetarët janë të papunë dhe fshatarët të abandonuar plotësisht nga shteti, janë pa të ardhura, pa ujë, pa rrugë, pa shërbim shëndetësor dhe pa shkolla.
Fqinjin tonë jugor, Greqinë, po e shpëtojnë nga kriza e thellë bashkë-anëtaret e Eurozonës me një ndihmë prej 30 miliardë eurosh. Po Shqipërinë në krizë kush do ta shpëtojë? Me një deficit buxhetor zyrtarisht prej 6%, dy herë më të lartë se standardi europian, me një borxh prej 60% të Produktit të Brendshëm Bruto, ku çdo kredi e re merret për të financuar interesat dhe shërbimet e borxheve ekzistuese, me një sistem institucional statistikor fals, me shifra jo reale që nuk përputhen me ato të institucioneve ndërkombëtare të specializuara, kriza ekonomike në Shqipëri po rëndohet.
Por qeveria bën sikur nuk e vë re. Përkundrazi. Shpallet pa përgjegjësi se jemi i vetmi vend në Europë dhe në botë që me politika të zgjuara ekonomike e parandaluam krizën. Dhe tani shohim me keqardhje se si përpëliten nga kriza Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, bile edhe Kina. Ne, vendi më i varfër e më i prapambetur i Europës, kemi recetën e shpëtimit nga kriza: “..Isha në Davos. Dhe aty Kryeministri kinez, ekonomi që ç’është e vërteta qëndroi, paraqiti një plan shpëtimi nga kriza.
Dhe tha se Kina do të investojë në infrastrukturë në dy vite 16% të GDP-së. Po Shqipëria sa? Në dy vite 18% deri 20% të GDP-së në rrugë (duartrokitje frenetike)…”. Për ata që nuk e dinë të vërtetën mbi këtë gënjeshtër të madhe, kujtojmë se në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar të 10 marsit të këtij viti, thuhet se investimet publike totale (pra jo vetëm në infrastrukturën rrugore), në Shqipëri në vitin 2008 ishin 8.6% e PBB-së, në vitin 2009 ishin 8.3% dhe në tre vitet e ardhshme parashikohen të mos jenë më shumë se 5.5%.
Në të njëjtën kohë, politikat publike të qeverisë nuk përkojnë as me rregullat më elementare të menaxhimit të ekonomisë së tregut të lirë dhe si të tilla po dështojnë njëra pas tjetrës. Kujtoni zhurmën e madhe të nismës “Shqipëria një Euro”, që do të sillte miliarda euro investime, që jo vetëm nuk i solli, por çoi në shpërdorimin apo përvetësimin e disa pasurive të përbashkëta. Kujtoni nismën ligjore për riklasifikimin e biznesit të vogël, thjesht për të rritur të ardhurat e munguara të buxhetit të shtetit, që jo vetëm nuk i rriti, por çoi në falimentim shumicën e bizneseve të vogla, duke goditur rëndë ekonomitë familjare.
Kujtoni qindra kontrata klienteliste koncesionesh që nuk kanë dhënë rezultatet e shpallura me bujë. Kujtoni manovrimet profane me buxhetin e shtetit të vitit 2009, që ndryshoi zyrtarisht katër herë, apo me buxhetin e vitit 2010 që u ndryshua vetëm pak ditë pasi u miratua.
Shqipëria nuk ka nevojë të ëndërrojë të jetë superfuqi dhe as të shpërdorojë fondet për një ëndërr të tillë, sepse edhe pa u bërë superfuqi, i ka të gjitha mundësitë për një ekonomi të zhvilluar, me kusht që të menaxhohet mirë, nga njerëz të aftë, misionarë të ekonomisë së tregut, që nuk janë peng i së kaluarës së tyre. Qeveria e sotme ka dëshmuar qartë se është e paaftë ta përmbushë këtë mision. Ajo është fshehur brenda kutive dhe vazhdon të besojë se, njëlloj si dikur, do ta gënjejë popullin e vet se e gjithë bota po merr shembull prej saj. Duke harruar se këtë përrallë s’e beson më askush, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.