Nga Mero Baze
Jozefina Topallit i ka dhembur mungesa e një seance plenare të enjten që shkoi. Edhe pse Ilir Meta ia ka marrë dorën humorit dhe u tall me të, duke theksuar se nuk e mblodhi Kuvendin se nuk ishte Berisha, në protestën e Topallit ka diçka që i dhemb, pikërisht për këtë shkak. E enjtja e shkuar ishte një ditë kur ajo mund të shfaqej e vetme në Kuvend, larg hijes së Berishës dhe udhëzimeve të Bashës për “qentë e gjahut” të tij. Për këtë shkak, ajo e donte deomos të enjten që shkoi Kuvendin, jo aq shumë për të thënë ndonjë gjë të mençur, por për të treguar se ajo mund të mbajë gjallë shtëpinë, kur mungojnë burrat.
Në historinë e dhimbshme të përpjekjes së saj për të mbijetuar brenda PD-së pas humbjes së 23 Qershroit, ajo ka pasur disa lëkundje të personalitetit të saj, që duket se i kanë dobësuar raportet e saj me të gjitha palët.
E pozicionuar dikur si kundërshtare e hapur e Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike, në të vërtetë ajo ishte një kundërshtare me leje të Berishës për t’i dhënë ngjyra grupeve brenda PD-së.
Ishte aq joserioze në këtë pikë, sa kur erdhi puna tek gara informale Basha-Olldashi, “luftëtarja” anti-Bashë, jo vetëm që u bë një servile e bezdisshme e tij, por dhe një agjitatore e zjarrtë kundër Olldashit. Arsyeja ishte se kishte kuptuar kë donte Berisha.
Pas hyrjes formale të Lulzim Bashës në zyrën e kryetarit, ajo tentoi të ripozicionohej me të, duke i ofruar dhe dy- tre nejrëz të saj brenda PD-së, po ashtu radikalë me leje.
Por siç e ka falur Zoti Lulzim Bashën të pamëshirshëm për të qenë mosmirënjohës, ai thjesht nuk ia diti për nder. Dhe kishte të drejtë, pasi nëse do të quhej nder heshtja dhe servilizmi i saj, ishte një nder që vinte nga Berisha dhe jo nga ajo.
Kështu, edhe pse u përdor barbarisht prej tij kundër Olldashit, Basha e kishte më të lehtë të pinte kafe me Olldashin dhe t’i fliste për bezdinë që i shaktonte servilizmi i Topallit dhe Strazimirit, se sa t’i thoshte asaj faleminderit.
Më pas, prezenca e saj në Kuvend rrezatonte tensionin që ajo ka nga mospranimi në rrethin e kryetarit të ri. I rri ngjitur Berishës, e mbron atë në çdo gjest, është gati të rrihet dhe me burrat e parlamentit po e prekën atë, por sërish nuk ia di kush për nder.
Përpiqet të flasë për rregulloren dhe i kujton gjithë Kuvendit sa keq e drejtonte ajo atë institucion. Përpiqet të flasë për pushime nga puna dhe u kujton gjtihë shqiptarëve se nga 60 vetë në administratën e Kuvendit, 61 ishin nga Shkodra. Përpiqet të flasë për gratë dhe të gjithëve u kujtohen betejat e saj të pafundme kundër grave në karrierë në PD.
Kërkon të marrë një rol si politikane e vjetër, dhe e vetmja gjë që i del nga goja është se PD është Berisha e jo Basha, me shpresë se po ishte Berisha, ka vend dhe për të.
Për këtë arsye, ajo e donte shumë të entjen që shkoi një seancë parlamenti pa Berishën në krah dhe pa Bashën online, që të dëshmonte se ishte dikush. Nuk iu dha shansi. Dhe sot tentoi përsëri me interpelancën me Edi Ramën, e cila ngjante më shumë si një përpjekje për të vendosur “rendin” e rëndësisë në Partinë Demokratike se sa për të folur rreth situatës së rendit në Shqipëri. Duke zgjedhur një temë të ndjeshme për qytetarët, nuk do të thotë se duhet të ndjehesh doemos e rëndësishme.
Në rastin konkret, debati për rendin në Shqipëri është i domosdoshëm, por ajo që u shfaq në interpelancën e Topallit me kryeministrin Rama në Kuvend, ngjante më shumë si një betejë pa leje e Topallit, se sa një betejë e opozitës për rendin. Ajo kërkon t’i tregojë Bashës se si duhet bërë opozita. Në fakt Basha e di si bëhet opozita, por e ka probem ta bëjë me njerëz që nuk janë të tijtë.
Opozita është frenuar ta çojë në Kuvend çështjen e krimit, pasi ministri i fundit i Brendshëm, përveçse nuk është në rrethin e afërt të Lulzim Bashës, është dhe budalla dhe e bën qesharake betejën. Ata mijëra ton hashash që po kapen rrugëve të Shqipërisë, dhe ata lumenj droge që po vërshojnë drejt Italisë dhe Greqisë, janë të korrurat e qeverisë Berisha dhe përgjegjësi personale e ministrit të fundit të rendit, i cili duket se vitin e fundit të pushtetit qenka marrë vetëm me mbjellje hashashi.
Për këtë arsye, marrja e iniciativës për ta bërë këtë debat nga Jozefina Topalli, jo vetëm që ngjan shumë i stisur, por është më shumë një kundërvënie e grupit të saj ndaj shmangies që Basha i bën këtij debati për shkak të mungesës së njerëzve të tij.
E keqfurnizuar me shifra dhe duke cilësuar deklaratat e Berishës informacion, Topalli, në të vërtetë e humbi shansin për ta kthyer në debat situatën e rendit dhe e shpërdoron atë për interesa të vogla politike brenda PD.
Ajo duket qartë që është në stres jo aq shumë nga situata e rendit, por nga fakti që askush nuk po e merr seriozisht në PD. Në të vërtetë nuk është e vetmja që e ka këtë problem, por si më mendjelehta, është e vetmja që nuk e fsheh dot. Ruli, Imami, Bregu etj, e kanë të njëjtin fat, por dinë ta mbajnë veten. Bile Ruli nuk mërzitet as kur e zëvendësojnë me Tabakun. Kurse kjo nuk e mban dot inatin, që i “bezdis” të gjithë, me prezencën e saj, qoftë dhe si dado e Berishës. Ngjan më shumë me një shtëpiake të dëshpëruar nga mungesa e vëmendjes.