Një shqiptar për gazetën e famshme “News of the World”

0
42

Miqtë e së martës të gazetës TemA

Gazetari i njohur i Top Channel, Muhamed Veliu, në një intervistë me Bledi Manen

Prej vitesh keni jetuar në Angli, jeni ndër të paktët shqiptarë njohës të mirë të medias ishullore. Si tu duk vendimi i manjatit Rupert Murdoch për mbylljen e më të madhit tabloid të së dielës “News of the World”?

Padyshim për manjatin e medias Ruperd Murdock ka qenë një vendimmarrje e vështirë, njëkohësisht e vetmja rrugë për të shpëtuar ish kryeredaktoren Rebeka Brook si dhe njëkohësisht për mos të “minuar” procedurat e blerjes së aksioneve të BSKYB. Është padyshim një humbje e madhe për median britanike pasi News of The Word ishte kthyer në një institucion. Veprimet e viteve të fundit nga ajo që po mësojmë janë tronditëse pasi në emër të sigurimit të scoopeve me çdo kusht janë kryer edhe veprime të jashtëligjshme siç ishte edhe interceptimi i mesazheve zanore të afro 4 mijë personave. Ky zhvillim në median britanike me të drejtë është cilësuar si një Watergate i ri. Personalisht ndjej keqardhje që ikona e medias britanike nuk do të vazhdojë të botohet. Gjatë 12 viteve qëndrim në Britaninë e Madhe për mua News of The World shërbeu jo vetëm si pjesë e argëtimit të së dielës, por edhe si një shkollë sidomos për pjesën e investigimeve që mbanin firmën e njërit prej reporterëve më të mirë në botë siç është Mazer Mahmood.

A e njihni personalisht Mazer Mahmood, dhe gjatë këtyre viteve qëndrimi në Londër si reporter i lirë a keni bashkëpunuar me gazetën e famshme News of the World?

Me zotin Mahmood apo Maz siç atë e thërrasin në ambientet mediatike në Angli, jam takuar për herë të parë në vitin 2006. Ishte privilegj për mua të takoja një gazetar të një kalibri të tillë. Me Maz kam bashkëpunuar në dy raste ku falë këtij bashkëpunimi unë kam qenë bashkautor i një investigimi ku kemi ngritur problemin përse emigrantët nga Polonia dhe vendet baltike punonin për një pagesë ditore qesharake dhe si ata shfrytëzoheshin në tregun e lirë të punës. Ndërsa investigimi tjetër kishte të bënte me një lloj droge që ishte legale dhe përdorej nga nxënësit e shkollës, disa prej të cilëve edhe vdiqën. Ne ekspozuam një person nga Letonia që sillte këtë lloj droge në Angli. Falë një mori shkrimesh dhe investigimesh për këtë çështje, qeveria britanike e klasifikoi këtë drogë në listën e atyre ilegale.

Shumë herë keni investiguar dhe botuar në disa nga gazetat utilitare britanike, madje keni shqetësuar së tepërmi edhe krimin e eksportuar shqiptar në Britani. Si do e komentonit këtë eksperiencë tuajën?

Unë kam bërë asgjë më pak apo më shumë se sa detyrën e një gazetari. Shkrimet e mija për krimin shqiptar në Angli kanë pasur vetëm një qëllim: Të treguarit e atyre që ende s’i kishin hyrë botës së krimit se aktivitete të tilla janë të ndëshkuara. Jam i vetëdijshëm se shkrimet e mija duke ngritur këto problematika nuk janë pëlqyer nga një pakicë e shqiptarëve të Anglisë, të lidhur me botën e krimit, por jam përgëzuar nga mijëra të tjerë që japin kontributin e tyre në shoqërinë britanike.

Nëse problemet që ka komuniteti shqiptar do të liheshin në harresë, atëherë kjo është shumë e rrezikshme pasi ato kthehen në një boomerang për këtë komunitet.

Në fillim të 2005 ne të dy i dhamë një leksion të mirë politikës shqiptare dhe avokatisë që ajo i bënte krimit këtu në Tiranë. Jemi të parët shqiptarë që hymë në historinë e gazetës legjendare “The Sun”, simotra e News of the World. Mbetet investigimi dhe prodhimi i pasaportave fallco angleze një nga kulmet e gazetarisë suaj undercover?

Padyshim që është një prej investigimeve më pikant, falë edhe ndihmës së personit që po më interviston. Ishte shumë shqetësuese për mua dhe shefin e reportazheve të The Sun, Oliver Harvery, kur na u tha se në Tiranë falsifikoheshin pasaporta britanike në një kohë që të tilla pasaporta mund të përdoreshin fare mirë nga njerëzit e terrorit, të cilët e kanë Britaninë e Madhe objekt sulmesh.

Falë këtij investigimi nga Tirana, gazetari Oliver Harvey u shpall reporter i vitit për median e shkruar atë vit. Gjatë qëndrimit tim në Londër si reporter investigativ, falë një bashkëpunimi me mediat e shkruara edhe ato elektronike, kam mundur të publikoj më shumë se 60 investigime për çështje të ndryshme. Një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua.

Më mirë gazetar i Top Channel në Londër apo gazetar i Top Channel në Tiranë?

Kthimi në Tiranë ishte një vendim i kahershëm, i cili u konkretizua para 4 muajve. Kur njoftova vendimin e kthimit në Facebook, shumë miq të mi komentuan duke shprehur habi, shumë të tjerë vlerësonin punën time si korrespondent i Top-Channel dhe pjesa tjetër shkruanin se do t’ju mungoja me raportimet e mia nga Londra.

Që të gjitha këto komente ishin prekëse për mua pasi raportimi nga Londra ishte pjesë pothuajse e përditshme e imja në Top-Channel.

Megjithatë jam përsëri pjesë e ekranit të madh të Top-Channel, i cili gjatë pesë viteve si korrespondent më konsolidoi si gazetar të mirëfilltë. Tashmë jam përpara një sfide tjetër dhe të rëndësishme në karrierën time që fatmirësisht ka të bëjë përsëri me Top-Channel. Detyra e reporterit politik është një sfidë e bukur, por edhe e vështirë, e cila ka nisur mbarë, por mbetet shumë për të bërë. Edhe në Tiranë unë dua të vazhdoj të punoj në këtë profesion që në vetvete është një mision duke u përpjekur të jem një reporter “agresiv” me lajme ekskluzive në një ambient mediatik ku konkurrenca është e pranishme çdo moment. Besoj se eksperienca e gjatë në Londër si gazetar do të më ndihmojë përfshi këtu dashamirësinë dhe ndihmën e përditshme që marr nga shefat e mi të departamentit të informacionit.

Të mungon liria dhe jeta e Londrës apo kufizimet dhe intrigat e Tiranës duhen përjetuar?

Më mungon deri diku. Nuk më interesojnë intrigat apo kulisat që ekzistojnë kudo, pasi i vetmi preokupim i imi është bërja e një gazetarie në shërbim të atyre që më ndjekin me etikë dhe profesionalizëm. Sa do të mund t’ia arrij? Kjo mbetet për tu parë pas disa vitesh.

Intensive nightlife in London, jetë nate intensive në Tiranë… ku ndjehesh më “i suksesshëm” me femrat dhe më i argëtuar?

Në fakt këto kohë kam qenë disi i limituar me jetën e natës pasi ngarkesa nga zhvillimet politike ka qenë goxha e madhe dhe koha e argëtimit nuk ka qenë në plan të parë. Megjithatë mbetem një frekuentues i jetës së natës në Tiranë me shoqërinë. Jeta e natës në Londër ka të veçantat e saj. Por edhe në Tiranë është bukur, pasi jam i rrethuar gjithmonë nga miq. Në Tiranë jam më i suksesshëm me femrat se më njohin nga ekrani, madje po u them se kam herë-herë ngarkesë të madhe, bën mirë që ti Bled të më ndihmosh disi.:-))