Një shportë me vezë për Henri Çilin!

0
19

Agron TUFA

Agron TUFA*, 10.05.2010

Mbrëmë, ndërsa (apo tek) ndiqja ndeshjen e futbollit Sevilja-Barcelona,s’kisha si ta ndjek edicionin e lajmeve të orës 20:00 në RTSH, që të shihja një protestë simbolike të opozitës kundër institucionit të medias publike, të cilin e gjuajtën me vezë. E pashë më vonë këtë folklor vulgar të opozitës me burra thinjoshë e gra në tatëpjetë të moshës, të cilët të zënë përdore hidheshin e kërcenin pupthi duke rrahur shuplakat, derisa u ulën kacipup në pozicionin e… pikë për pikë si një seri vizatimesh groteske të Rembrandit.

I vetmi efekt që ta nginte mishin kokërr nga banaliteti e neveria, ishte turma e prirë nga udhëheqësit e Partisë Socialiste me kryqtarët militantë, që tashmë thirren me radhë nga provincat e Shqipërisë. Një njeri me mendje të shëndetshme e me një higjienë mesatare shpirtërore, kështu do të kishte ndjerë, ashtu sikundër në një rast tjetër të ngjashëm kur një shoqatë-parti, e shpërfillur krejtësisht nga elektorati, pak muaj më parë, solli në hyrjen e TVSH-së një arkivol.

U habita shumë, në planin mendor dhe estetik, kur pashë shkrimin e mikut tim Henri Çili, i cili jo vetëm identifikohej me thelbin banal të kësaj proteste të socialistëve, por do të kishte dëshiruar të kishte vetë një vezë për ta hedhur, apo më saktë akoma, do të kishte dashur ndoshta të ishte vetë veza që hidhnin të pangushëlluarit. Si pra vallë një intelektual, që ka pirë ujë në gjurmët e kuajve të mendimit liberal, të njëjtësohet me direktivat e një udhëheqësi opozite që kërkon medoemos përmbysje, puç ose revolucion?

Në përgjithësi, z. Çili njihet si shigjetë e ndjeshme ampermetri, që anon pro, sipas situatës politike, herë me njërën palë të konfliktit, herë me tjetrën, ose me të dyja palët njëherësh, e po pati më shumë palë, është dakord me të gjitha. Politkorrektesë me të gjithë. Vetëm një gjë nuk mund ta ndeshësh tek Henri: mendimin apo pikëpamjen e tij individuale, të qëndrueshme e koherente. Me sa duket, themelet e formimit të pikëpamjeve të tij janë bimë pa rrënjë, të cilat i merr era dhe shumohen në ajër me spore.

Në shkrimin e vet më 9.05. 2010 tek “Panorama”, “Një vezë më shumë kundër TVSH-së”, Henri bën një surrogato autopsie për TVSH-në dhe jep disa mendime për periudhat më të emancipuara të këtij institucioni (për të cilat ndaj mendim krejt të kundërt), për lajmet tejet të pabalancuara, si dhe mënyrën si duhet vepruar me këtë media publike. Mendimi mbizotërues i Henrit (çka përbën të vetmen vlerë të shkrimit të tij) është alternativa, në duhet ta reformojmë TVSH-në apo ta privatizojmë për fare.

E para, desha ta sqaroj Henrin se TVSH, prej dy vitesh gjendet tashmë në prag të një transformimi rrënjësor teknologjik e konceptual, në prag të zëvendësimit tërësor të teknologjisë, që sjell të gjitha ndryshimet e tjera, me një legjislacion të njëjtë me të gjitha televizionet publike të BE, i hartuar në pjesën themelore nga specialistë po të BE.

E dyta, çka është më e rëndësishmja, TVSH nuk ka nevojë të privatizohet për të prodhuar një TV Klan, një Top Channel apo një Vizion Plus më shumë, sepse as privatizimet nuk i kanë zgjidhur punët e ndjeshme në nahijen tonë, siç bën mu apo mjau, privatizimi i arsimit të lartë (në këtë pikë jam krejt dakord me Edi Ramën).

E treta, gjendja e sotme e TVSH-së, edhe në lidhje me lajmet e pjesës politike, shpreh më besnikërisht gjendjen e demokracisë shqiptare, parlamentare, intelektuale e shoqërore, prej të cilave nuk abstragon dot. Sidomos Televizioni Publik.

E katërta, nëse gjuhet me vezë Televizioni Shqiptar, politika godet vetveten, pse pjellë e saj është. Në të gjitha aspektet, financiare, legjislative, përfaqësimore.

Në këto ditë të grevës së urisë, opozita kërkon ta ketë TVSH-në si zgjatim të rënkimit të saj, të vetëviktimizimit të saj, të paraqitjes vetëm në dritën heroike të romantikës së tyre revolucionare, pa dhënë asnjë efekt tjetër jashtë kësaj heroike romantike. Të mos harrojmë, vetëvrasja dënohet me ligje tokësore dhe hyjnore, si vetëvrasja personale, ashtu dhe vetëvrasja në grup. E, sigurisht, Henrin aspak nuk e shqetëson përzënia e gazetarëve të TVSH-së nga vendi i grevës, të cilët në një rend të barabartë me mediat e tjera kanë të drejtën kushtetuese për informim.

Henrin liberal aspak nuk e shqetëson kërcënimi i liderit të opozitës se “nuk do të mbaj përgjegjësi as unë, as Partia Socialiste për çfarë mund të ndodhë me gazetarët e TVSH”. Si ka mundësi që një grevë “paqësore” të mund të ushtrojë kaq hapur kërcënimin dhe shantazhin? Sigurish, Henri e ka në xhep përgjigjen, e cila në frymën e tij përkthehet: “Dakord jam edhe me ty”, por… Dhe kjo “por” nënkupton që TVSH-ja të tregojë të njëjtin zell, siç fjala vjen, “News 24”, që mandej të lëvdohet e të ngrihet në qiell nga opozita.

Unë desha t’ia bëj me dije Henrit, para se ai të ndërrojë mendje (siç bën përgjithësisht), se TVSH-ja po shfrytëzohet sot maksimalisht jo nga pozita, por nga opozita. Se opozita kërkon të përshkallëzojë alibinë e vetëviktimizimit në talk show-n e vet në shesh, duke rrëmbyer në mënyrë ordinere prej TVSH-së argumentet e veta të munguara ankestare. Asgjë tjetër jashtë kësaj maskarade nuk ka. Vetëm simulim me imazhin. Butafori.

Ndërsa diskursi mbi të ardhmen e TVSH-së nuk duhej të ishte përdorur në këtë mënyrë konjukturale, siç ndodh përherë me Henrin, në frymë politkorrekte me situatën. Por do të kalojë… e deri sa të kalojë, jepini Henrit një shportë vezësh dhe mos e pengoni të gjuajë TVSH-në. Gjithsesi, do të ishte më pak banale se përhedhja pupthi dhe kërcimi i Arta Dades, Namik Dokles, Pandeli Majkos e të tjerë burragra në vakt të moshës. Ndërkohë, unë i premtoj se nuk do ta ndjek gjuajtjen e tij me vezë mbi TVSH-në, se ndërkohë do të jem duke ndjekur një tjetër ndeshje futbolli.

*Kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH