Një shënim për grevën dhe lirinë

0
36

Mimoza Dervishi

Të martën, me disa kolegë gazetarë iu bashkuam një grupi të madh intelektualësh dhe aty rreth mesditës hymë në çadrën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Kisha hyrë dhe një javë më parë dhe krah profesionit që më detyron të shkoj atje dhe shoh e prek se çfarë bëhet, nuk mund të shmang shqetësimin njerëzor për 200 qytetarë që po rrojnë prej ditësh vetëm me ujë.

Nuk është greva e parë që me bie radha të hyj. Dikur në shkurt të 1997-s, kam kapërcyer pragun e Universitetit të Vlorës, ku disa studentë, në moshën time atë kohë, protestonin kundër regjimit piramidal të Berishës. Kur hyra, një student, në këmbim të lules që i dhashë, më dhuroi një faqe të gazetës “Koha Jonë”, që e mbante si hajmali në xhepin e brendshëm.

Më pas, fill pas zgjedhjeve të atij viti të vështirë, në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, një plak i urtë i së djathtës, Pjetër Arbnori, protestonte në mënyrën e tij. Arrita të hyj në atë kthinë të vogël ku ishte shtrirë, për ta intervistuar, dhe e mbaj mend dhe tani trupin e tij të drobitur mbështjellë me pizhame ngjyre bojëqielli. Më duket se më vinte ende era hi nga ai i gazetës së djegur “Koha Jonë”. Arbnori protestonte për lirinë e medias.

Në të dyja këto raste të ndodhura në një vit të zymtë shqiptar, me protagoniste në kahe të kundërta, kam ndier veç respekt dhe shqetësimin njerëzor se mos pësojnë gjë. Profesionalisht vetëm më kanë shërbyer këto eksperienca. Pas 13 vjetësh, as që e kisha menduar se do kapërceja pragun e një tjetër greve urie, ku janë jo pak, por 200 njerëz të mbështjellë me ngjyrat e flamurit kombëtar. Unë kam respekt për grevistët e bulevardit, dhe nuk mendoj çfarë luksesh po më mungojnë, pse ata pengojnë trafikun, por më zihet buka në fyt, sepse atyre u mungon buka. Unë e kuptoj shqetësimin e atyre që nuk përdorin dot makinën lirshëm kur bulevardi është i zënë, por nuk mendoj që pse makina ime ecën më ngadalë, demokracia nuk funksionon.

Me apo pa trafik, demokracia këtu as nuk ecën, as nuk shtyhet, sepse zgjedhjet vidhen dhe s’ka më keq se të vjedhësh zgjedhjen e tjetrit. E di që ajo çadër po ngadalëson trafikun, por shpresoj se do shtyjë përpara demokracinë.
As më bën përshtypje fare që në televizionin “Klan”, emri im dhe i disa kolegëve të mi u përmendën një për një, si në ato fletërrufetë komuniste, pse kishim guxuar të çonim një tufë lule te grevistët. Dhe madje dua t’u tregoj fletërrëfyesve se unë kaloj përditë nga çadra, pa pyetur kënd, pa i dhëne llogari kujt. Ashtu si kur shkruaj, vë emrin tim dhe përdor gjithë lirinë time. Të cilën nuk e negocioj, aq më pak e shkëmbej.

Jetojmë në kohëra të çuditshme, ku media në përgjithësi është antiopozitare, dhe ku media qeveritare bën të persekutuarën, ku gazeta që i japin një nam të keq shtypit shqiptar, merren me dramat personale të grevistëve, ku nxënësit nxirren me dhunë të protestojnë kundër protestës dhe ku një grup artistësh, vënë firmat kundra grevës. M’u desh shumë ta gëlltisja këtë lajmin me intelektualë dhe artistë. Kujtoj që në një botë të emancipuar, artistët e lirë, rebelë nga natyra, zot dhe zotërues vetëm të talentit të tyre, janë të parët që rreshtohen kundra çdo mëkati qeveritar, janë nismëtarë të rrymave, i japin zë asaj që të tjerët edhe kanë vështirësi ta shprehin, kryesisht lirisë. Kundra-mitingasit dhe kundra -grevistët më janë dhimbsur dhe më janë dukur të pashkëputur nga mentaliteti komunist dhe rroga e shtetit, sot më duken dhe të paaftë. Sepse kur e quan veten artist, vetëm mediokriteti të detyron të vihesh në listat e pushtetit.

Sepse artistët nuk janë njerëz dokudo, nuk janë si ai punonjësi i thjeshtë i administratës, që në këtë Shqipëri të varfër e të papunë, s’ka ku mbytet po humbi punën pse nuk del në miting. Jetojmë në botën e antivlerave, ku një televizion që më shumë mbahet, pse gazetarët e tij të famshëm janë pjesë e pandarë e delegacioneve qeveritare, guxon të na tregojë me gisht pse bëjmë një gjest human. Po si mund të kompleksohesh kur në dorë ke vetëm atë gjënë e vogël që sa vjen e zvogëlohet e që quhet liri e shprehjes dhe kur në anën tjetër ke gazetare – seksere të një Shqipërie mesjetare ku nuk funksionojnë institucionet, po lajmësit, edhe për hir të tyre.

Lista e “Klanit” m’u duk si ish-listat e SHIK-ut, ose atij SHISH-it që Berisha me ligj nuk e futi dot në dorë. Pavarësisht etiketimeve nga njerëz pa asnjë etiketë, personalisht e vë kokën e qetë në jastëk…

Kur na duhej të linim një shënim në librin e përshtypjeve të grevës, një grevist po dilte me rrëmbim për në spital. Na u desh ta duartrokisnim te dera, sipas ritualit të çadrës, këtij “qyteti” të vogël magjik, rrethuar me lule dhe ujë. Në pamundësi për të lënë një shënim aty, po e lë këtu, që ta lexojnë më shumë se 200 zemra:

Ju i dhatë një kuptim të ri fjalës RESPEKT, saqë më duhet të gjej një fjalë tjetër. Mos u trishtoni kur dëgjoni që “elitarë”, madje ish të burgosur për lirinë ju baltosin, dhe kanë akoma faqe të flasin për liri dhe rregulla, as nga gazetarë frikamanë që fshihen pas paanshmërisë, aq më pak nga ata të racës së fundme që s’kanë lidhje as me humanizmin, as nga artistë që marrin ende rrogën në shtet, e aq më pak nga intelektualë që në ditë të tilla, futen poshtë divaneve.

Unë ju kam borxh orë dhe ditë të jetës suaj, ju kam borxh shëtitjet me fëmijët, bërjen e detyrave në darkë me to, puthjet e tyre të ëmbla në mëngjes, ju kam borxh përditshmërinë që e latë peng në themel të bulevardit qendror, ju kam borxh forcën që marr kur vij aty dhe që nuk di kur do t’ua kthej, e a do jem ndonjëherë në gjendje t’ua kthej. E kam për borxh ta përdor gjithë forcën e lirisë time, tashmë në kufijtë e mbijetesës, me shpresën se shton qoftë dhe një pikë të vetme në oqeanin e madh të lirisë suaj, të asaj lirie që po ju tret në sublimim, për hir të lirisë së të gjithëve.