Nga Mero Baze, 20 Shtator 2013
Opozita është një mision dhe si i tillë ajo kërkon misionarë politikë. Kërkon njerëz që duhet të sakrifikojnë për t’i mbushur mendjen shoqërisë se janë aty për interesin publik. Kërkon njerëz që duhet të kenë personalitet, pasi është i vetmi vend ku të emëruarit nuk bëjnë punë, pasi nuk i duhen askujt. Mbi të gjitha, opozita në këtë vend është dhe sfidë ndaj kulturës politike të anti-opozitarizmit, që duhet të përballet me kredo morale dhe ndershmëri, ndryshe nuk të beson askush.
Nëse shikojmë se si po sillet opozita e re në javët e saj të para, e kupton lehtë se nuk kemi të bëjmë me një strukturë opozitare, por një klan të Familjes së rrëzuar nga pushteti, që po përdor xhepat e institucioneve ku ka ende pushtetin për të strehuar njerëzit e saj.
Është e vërtetë se qindra, ndoshta mijëra njerëz, do të ngelen pa punë nga ndryshimi i pushtetit, pasi shqiptarët kanë ndëshkuar me votë administratën e korruptuar dhe klanin e Familjes në pushtet. Mes tyre do të ketë dhe plot njerëz që do të kenë dramat e tyre personale, pasi askush nuk e ka mendjen tek problemet e tyre. Lideri i ri i opozitës ka në dorë vetëm të ngjallë besim me shembuj, me veprime personale dhe me ndershmëri. Fatkeqësisht, ai nuk po bën asnjërën.
Shembulli më i fortë i kthimit të institucioneve të shtetit në çerdhe militantësh është emërimi i Gjergj Lezhjes dhe Ylli Asllanit, dy ish- zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, në zyrën e presidentit të Republikës. Bujar Nishani, i cili mendon se Shqipëria është e shqetësuar për mustaqet e tij në fotografi, po demonstron publikisht se institucioni i Presidentit është një çerdhe kundërshtarësh politikë të pushtetit dhe një institucion, i cili duhet të rrezatojë konsensusin dhe pranimin e gjithë palëve. Lezhja dhe Asllani janë zyrtarë shembullorë të PD-së, dhe nëse dikush do t’i mbajë në punë, mund t’i rimarrë në PD, por fakti që Berisha ia imponon këta Presidentit të Republikës, tregon edhe profilin e ulët të Presidentit para PD-së, dhe faktin që Berisha më shumë se sa hallin e demokratëve të mbetur pa punë, ka hallin e njerëzve me të cilët ka qeverisur dhe firmosur paligjshmërinë e këtyre tetë viteve. Nuk duhet harruar se Lezhja është një nga zyrtarët përgjegjës për fshirjen e serverit të 21 Janarit dhe çuarja e tij në Presidencë është një sinjal për gjykatat të mos rihapin çështjen e tij. Ne besojmë se ai është i pafajshëm në atë histori, të cilën e ka prodhuar Sali Berisha, por ky i fundit për t’u garantuar se vartësit nuk do ta shesin, është thjesht duke menduar si t’i sigurojë ata.
Nga ana tjetër, Basha po flet për shkurtimet e mundshme nga administrata, të cilat realisht do të ndodhin, por vetë në Bashki po pushon edhe policët bashkiakë, për t’u hapur rrugë badigardëve të ministrave të ikur nga pushteti dhe “të fortëve” të PD-së. Njeriu, që bën sikur është i shqetësuar për ndryshimet politike në administratë, po jep shembullin më të keq se si mund të keqpërdoret administrata dhe pushteti për interes të Familjes. Dhjetëra roje private të Sali Berishës dhe Familjes së tij po strehohen në policinë bashkiake të Tiranës për të qenë “grupi i forcës” i kryetarit të ri të PD-së, i cili ka më shumë hall me kundërshtarët brenda PD-së, se sa me pushtetin.
I njëjti fenomen po përgatitet të ndodhë dhe me Kontrollin e Lartë të Shtetit, ku po përfliten për të shkuar figura të afërta me Berishën në administratën e lartë.
Këtu nuk është as çështje emrash dhe as problem rrogash për disa ish- zyrtarë të lartë të rrethit të ngushtë të Berishës. Ata kanë bërë aq shumë lek në pushtet këto tetë vite sa nuk kanë nevojë fare për rrogën e re në skutat e pushtetit të Berishës në shtet. Ata kanë nevojë për imunitet politik, ndërsa Berisha ka nevojë të tregojë se çfarë ka mbetur nga pushteti i tij, do ta përdorë deri në fund.
Kjo nuk është ndonjë problem i madh për pushtetin e ri. Me këtë mungesë morali që ka në Shqipëri, ata bile mund të stimulojnë klientelizmin e klanit Berisha në skutat e pushtetit për të dëshpëruar opozitën reale, ata që do të ngelen pa punë dhe pa shumë shpresë për pushtet rrugëve, duke i thyer e duke i bërë mbështetës të tyre.
Por ky është një problem i madh dhe serioz për shoqërinë. Një regjim që bie me 1 milion vota dhe në fund mendon si të strehojë bodigardët e pushtetit në ca skuta pushtetesh, nuk mund të ketë më moral të bëjë opozitë. Një president, që urdhërohet të marrë në punë zyrtarë partiakë vetëm se dinë shumë gjëra për kryeministrin, nuk mund të pretendojë të na imponojë surratin e tij me mustaqe si simbol i unitetit kombëtar. Dhe për më tepër, një kryetar opozite qesharak që e urdhëron Zeni t’i marrë dhe djalin e pastrueses si polic bashkiak, pa pyetur për mbështetësit e ish- pushtetit të tij që do jenë rrugëve, nuk mund të ngjallë moral në opozitë dhe shpresë për të bërë diferencën.
Gjithë çfarë bëjnë opozitarët e rinj, është shumë herë më dëshpëruese dhe fyese për shoqërinë se ajo që mund të bëjë pushteti i ri, i cili është në të drejtën e tij të bëjë ndryshime. Ky i fundit ka dhe shansin që sado të përpiqen, nuk mund të gjejnë më injorantë se ata që ikën. Flamuri na ndihmon në Kuvend të bindemi për këtë! Kurse opozita e re na bind çdo orë se është thjesht një mbetje e klanit të Familjes në ca skuta pushteti, në Bashki, Presidencë dhe gjetkë, ndërkohë që vendi i saj duhet të ishte në rrugë përballë pushtetit të ri.