Një rotacion që vjen nga dështimi i parimeve

0
51

Nga Mero Baze, 1 Prill 2013

Të gjithë ata që kanë qëllim të vetëm rotacionin, mund të gëzohen. Me shumë gjasa ai do të ndodhë. Fytyra e kalbur e Sali Berishës vinte erë qysh sot në parlament. Por ky rotacion nuk po vjen nga fitorja e opozitës, por nga dorëzimi i saj.

Opozita që kam mbështetur prej 4 vitesh, ka dështuar. Koalicioni që ka qeverisur prej katër vitesh, po ashtu ka dështuar. Në mënyrë paradoksale rotacioni i 23 qershorit nuk do të prodhohet nga beteja jonë, por nga dështimi i saj. Në mënyrë të paprinciptë, Sali Berisha nuk rrëzohet nga zullumet e vrasjeve dhe vjedhjeve, nga kapja e shtetit dhe superpushteti personal, por nga heqja e tullës nga një prej bashkëortakëve të tij në këto zullume. Në mënyrë të pazakontë, opozita zyrtare do të vijë në pushtet jo nga bashkimi i faktorëve opozitarë, por nga aleanca me një pjesë të qeverisë.

Unë që e kam edhe motiv politik, edhe parimor, por dhe personal largimin e Sali Berishës, nuk ndjehem pjesë e të fituarve dhe nuk kam asnjë ndjesi gëzimi për këtë që po ndodh.

Por përtej përjetimit tim personal, që ndoshta është emocional, kam dhe një arsyetim për opozitarët e tjerë që po e ndaj me ju sonte.

Edi Rama dhe Ilir Meta me gjasa janë bashkuar në mënyrë jotransparente për ta rrëzuar, por jo për ta mundur Sali Berishën. Unë kam mbështetur dhe do të vazhdoj të mbështes një opozitë që duhet ta mundte Sali Berishën. Por sot kjo opozitë thuajse nuk ekziston më. Faktori më i rëndësishëm opozitar, Partia Socialiste, i ka dhënë fund betejës për një koalicion të gjerë opozitar për mundjen e Sali Berishës. Ajo ka zgjedhur një rrugë të lehtë, të shkurtër dhe plot pengje për të ardhmen. Ka zgjedhur ta rrëzojë atë, në të njëjtën mënyrë si ai ka ardhur në pushtet me hile. Ka zgjedhur të faktorizojë dhe të mbajë në jetën politike të këtij vendi Ilir Metën, një nga figurat më të errëta të politikës shqiptare, i cili është arkitekt i shumë prej tipareve negative të historisë sonë.

Ai është arkitekt i kapjes së medies qysh kur ka qenë kryeministër, arkitekt i prodhimit të antiopozitarizmit, arkitekt i korruptimit të klasës politike, arkitekt i përdorimit të pushtetit për të fuqizuar partitë politike si ndërmarrje biznesi dhe më pas vitit 2009 dhe arkitekt i luftës së paprinciptë për të dobësuar opozitën, për të gjobitur dhe nënshtruar bizneset që dikur kishin qenë afër së majtës dhe deri tek përdorimi i pushtetit të Sali Berishës për të nxjerrë inekzistente, në pushtetin e kapur gjyqësor, të një videoje, ku me zë dhe figurë dëshmohej qartë se ai njeri e konsideron shtetin si mall privat.

Ajo që mund të ndodhë më 23 qershor nuk është ajo që presin shumë opozitarë dhe biles dhe shumë socialistë. Torba e hajdutit me vota që Ilir Meta shpreson të çojë tek opozita është shumë e vogël se thasët me vota që opozitës kanë për t’i ikur apo abstenuar nga ky gjest. Por dhe në mos i ikshin, dhe nëse populli opozitar socialist është i tëri i interesuar më shumë për rotacionin se sa për parimet, askush prej tyre nuk është i lirë të festojë ndonjë fitore.

Së dyti, ky fenomen i jep fund lidershipit të Edi Ramës në të majtën shqiptare. Përpjekja e tij për të rilindur të majtën përfundoi siç shihet në një gjest që ringjalli Ilir Metën. Pas këtij faktorizimi dhe një aleance të mundshme parazgjedhore mes dy partive, Ilir Meta do të jetë dera e hapur për çdo socialist të mllefosur me Edi Ramën, për çdo tekanjoz apo batakçi, por në rast faktorizimi dhe për çdo oreks për ta hequr zvarrë pushtetin e së majtës mes sherreve, “këpëdë”-rave dhe pazareve siç hoqi zvarrë qeverisjen e Fatos Nanos. Edi Rama, nëse prodhon rotacion me këtë pazar, nuk ka më asnjë shans të jetë udhëheqësi i së majtës dhe aq më tepër rilindasi i saj, por ringjallësi i fantazmave më të këqija të historisë të së majtës pas viteve ‘90.

E treta pikë që më ngjan edhe më fyese është pëshpëritja që Ilir Meta ka detyruar opozitën të votojë tre ligjet si kusht bashkëpunimi me të. E thënë ndryshe, duket sikur Ilir Meta ka kapur në krim opozitën dhe po e pastron atë, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Ilir Meta ngjan sikur i thotë Edi Ramës “thellohu” në autokritikën ndaj tij, ndërkohë që vetë ende nuk ka kërkuar ndjesë që ka quajtur kokëpalarë ata që u vranë më 21 janar, pas revoltës së ligjshme kur panë një hajdut me zë dhe figurë duke plaçkitur shtetin.

Lojërat e tij banale me SMS e socialistëve evropianë, që kërkojnë këtë bashkim, janë fyese dhe për socialistin e thjeshtë, i cili ka parë me sytë e vet se si partia e tij ka refuzuar në këtë pikë krerët e Bashkimit Evropian dhe po bën sikur po dëgjon ca nëpunës socialistë evropianë, nga ata që në Internacionalen Socialiste janë vartës të Edi Ramës.

Së fundmi, kjo histori ka dhe një banalitet që lidhet me pushtetin vendor. Ilir Meta si pjesëtar i koalicionit qeveritar, është faktor vendimtar për shumicat e qarqeve të Shqipërisë në bashkëpunim me PD-në. Nga mënyra se si po sillet me qeverinë, që edhe do bashkëpunojë me Edi Ramën, edhe nuk do ikë deri më 23 qershor, kam frikë se do sillet dhe me pushtetin vendor, duke qenë në aleancë me Edi Ramën për qeverinë dhe në aleancë me Sali Berishën për bashkitë dhe komunat. Nëse kjo ndodh, atëherë i gjithë ky ngjan me një pazar që ruan një derë hapur sërish me Sali Berishën, duke na u kthyer në një trafikues jo vetëm të pushtetit, por të çdo vlere morale dhe çdo parimi politik në këtë vend.

E gjithë kjo situatë kërkon një reflektim të fortë dhe serioz. Opozita nuk duhet të djegë shanset e rotacionit, por nuk duhet ta kthejë atë në qëllimin e vetëm. Një rotacion pa frymëzim, pa parime, pa moral dhe shpresë për rivendosje të drejtësisë, vlen vetëm për 14 ministra dhe 140 deputetë, por jo për shoqërinë shqiptare. Një rotacion që vjen nga dështimi i parimeve, nga dështimi i opozitarizmit dhe mbi të gjitha nga dështimi i lidershipit të opozitës, mund të krijojë kaos dhe t’i japë të drejtë kujtdo të bëjë aleancë me këdo nga pushteti. Pse jo dhe me Sali Berishën, i cili para 2009-ës nuk ishte aq hajdut dhe i paskrupullt, sa ç’u bë me Ilir Metën dhe nga Ilir Meta. Kjo nuk vlen për mua, por vlen për gjithkënd tjetër që mund të sillet, siç ka gjasa, se mund të sillet sot opozita zyrtare.