Një retrospektivë e Berishokracisë

0
72

Nga Eduard Zaloshnja, 8 shtator 2011

Në 3 korrik të 2005-ës, ajo që ishtë pagëzuar me emrin shkërdhatokraci nga Dritëro Agolli u zëvendesua me një tjetër kraci – me berishokracinë. Nuk është hera e parë që shqiptarët e provojnë këtë lloj kracie, por kësaj radhe, ajo u shfaq fillimisht disi më e sofistikuar. Si ujku në përrallën e njohur të kecave, këmbët i kishte të lyera me miell në hapat e parë të saj. Dhe mielli që përdori nuk ishte miell dokudo – ai ishtë i markave përëndimore “KOP” dhe “Young Liberals”.

Kanë kaluar vite që kur berishokracia zëvendësoi shkërdhatokracinë, dhe sa herë që këmba e saj ka lëvizur, mielli është shkundur dhe ngjyra e vertetë e këmbës ka dalë më në pah. Të parët që e panë këtë gjë ishin vetë njerëzit që shërbyen si miell për të lyer këmbët e berishokracisë – ministrat, zv.ministrat, e këshilltarët me diploma dhe eksperienca përendimore. Sa më shumë muaj kalonin, aq më shpesh ata po e gjenin vetën në rolin e kukullave që u duhej t’i lëviznin duart e këmbët sipas komandës së atij që është në majë të sistemit berishokratik – Berishës, dorës vetë.

Kështu, ministrat apo zv-ministrat anashkaloheshin nga drejtorët e institucioneve të rëndësishme shtetërore si Doganat, Tatimet, Policia Ndërtimore, KESH, etj – këta të fundit raportonin drejtpërdrejt te Kryeministri. Ndërsa këshilltarët e Berishës gjithnjë e më shumë po kuptonin se ishte e pamundur të bënin atë që këshilltarët anekënd botës normalisht bëjnë – të jepnin këshilla. Në vend që të ishin këshillëdhënës, ata u kthyhen thjesht në avokatë të çfarëdo ideje që mund të pillte mendja e shefit të tyre.

Siç vetë fjala e nënkupton, berishokracia, ndryshe nga demokracia, është pushtet i Berishës e jo pushtët i popullit. Në këtë lloj kracie, njeriu me emrin Berisha është i gjithëfuqishëm – përveçse kryeministër, ai është njëherazi edhe këshill ministrash, edhe KRTRSH, edhe president, edhe kryeparlamentar, edhe kryeprokuror, edhe kryetar gjykate, edhe kryetar bashkie, edhe kryetar i çfarëdo institucioni tjetër shtëtëror…

Kështu për shembull, në mbledhjet e Keshillit të Ministrave apo të KRTRSH-së, Berisha flet e të tjerët dëgjojnë. Kur votohet hapur në këto këshilla e në çdo organ tjetër kolegjial, ai ngre gjithnjë dorën i pari, dhe menjëherë hedh vështrime kërcënuese drejt anëtareve të tjerë. Ndërkohë, sipas Ligjit “Për funksionimin e organëve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike” (nr.8480, datë 27.5.1999), atij i takon të votojë i fundit.

Në rolin e Presidentit të Republikës, Berisha i ndryshoi proceduarat e përzgjedhjes së gjykatësve të lartë dhe kushtetues në mënyrë të tillë që presidenti i vërtetë të dalë praktikisht jashtë loje. Ndërkohe, Kushtetuta ia njeh këtij të fundit prerogativën e përzgjedhjes së gjykatësve të lartë dhe kushtetues.

Në rolin e kryeparlamentarit, Berisha vendosi veton që kerkesat për shkarkimin e Kryetares në detyrë të Kuvendit të beheshin me votim elektronik, edhe pse ajo, fillimisht, ishtë gati të përballej me kutinë e fshehtë të votimit. Ndërkohë, llojin e votimit që këmbëngul të përdorë tani ai e ka pas quajtur absolutisht të papranueshëm kur ishte kryeopozitar.

Në rolin e kryeprokurorit dhe kryegjyqtarit, Berisha arriti deri atje sa të shpallë udhëheqësin e opozitës fajtor për përdorimin e vrasësve me pagesë(!). Dhe kur u padit penalisht nga ky i fundit për këtë gjë, as e mori mundimin ta mbronte akuzën e vet. Gjithashtu, ai, pa i bërë syri tërt, shpalli para mijra telespektatorëve, pa paraqitur asnjë provë, se drejtuesit e opozitës donin të bënin grusht shteti, ndërkohë që nuk lejoi prokurorinë të arrestonte gardistët që vranë katër protestues në 21 janar.

Në rolin e kryebashkiakut, Berisha vendosi të shkatërronte mbikalimin e Zogut të Zi, i cili ishte ndërtuar me paratë e taksapaguesve tiranas. Kjo, ndërkohë që këta të fundit, nëpërmjet votës, paratë e taksave lokale ia kishin besuar Bashkisë e jo Kryeministrisë. Gjithashtu, ai vendosi të mbledhe KRT-të e bashkive kur t’ia donte qejfi i vet, duke harruar se janë kryebashkiakët ata që kanë mandatin e komuniteteve të tyre për ta bërë këtë gjë.

Lista e bëmave autokratike të Berishës në vitet e fundit mund të vazhdojë gjatë, por shembujt e mesipërm janë më se të mjaftueshëm për të dhënë një tabllo të berishokracise aktuale. Dhe gjëja që të bie menjëhere në sy në këtë tabllo, e që të pikëllon, është se çdo ditë e më tepër ajo po ngjason me berishokracinë e mëparshme, atë të viteve ‘90.

Për të mirën e Shqipërisë, dhëntë Zoti që berishokracia e tanishme të mos përfundojë si ajo që u shemb në vitin ‘97. Gjithashtu, dhëntë Zoti që, kur t’i vijë koha për të dalë paqësisht nga skena e historisë, të mos pasohet përsëri nga i njëjti sistem që zëvendësoi – nga shkërdhatokracia…