Skënder Minxhozi, 18.03.2011
Në një intervistë të fundit për radion “Zëri i Amerikës”, në dhjetor të vitit të shkuar, ambasadori i parë amerikan në Tiranë i erës demokratike, Uilliam Rajerson, evokonte jo pa nostalgji periudhën kur e kishte përkrahur hapur Partinë Demokratike të sapokrijuar. Një gjest që asokohe u konsiderua më shumë si përkrahje ndaj hapjes së vendit, sesa si një rreshtim i thjeshtë me njërën palë. Aq e vërtetë është kjo, saqë sot, pas njëzet vjetësh, kur ai ndodhet në pension, nuk ngurroi ta bëjë vetë korrigjimin e atij iluzioni deri diku optik, kur u shpreh se “ju e dini që unë e kam mbështetur Partinë Demokratike. Por mendoj se ajo duhet të ketë demokraci brenda radhëve të saj”. Një mea culpa e vonuar dhe e fshehur me kujdes mes rreshtave, e një diplomati që krijoi një marrëdhënie unike me klasën tonë politike, në një periudhë historike po aq unike.
Në fushatën elektorale ku po hyjmë, ambasadori i ri amerikan Aleksandër Arvizu, pas një starti të vonuar në fund të vitit të shkuar, duket se ka vendosur të luajë fort dhe shpejt. Pothuajse çdo ditë atë e shohim në një podium publik, duke dhënë këshilla e sugjerime rreth sjelljes së palëve ndaj procesit zgjedhor. Dje, për shembull, ai evokoi para studentëve rastin e ish-kandidatit presidencial Al Gore, i cili pranoi në heshtje verdiktin e Gjykatës së Lartë të Amerikës, megjithë pretendimet jo të pakta të demokratëve për numërimin e votave në Florida. Një paralelizëm mjaft delikat dhe i rrezikshëm, në situatën që kalon aktualisht Shqipëria. Por edhe një mesazh që nuk i bën mirë klimës aktuale në vend, përsa kohë që evokohen trauma të tilla elektorale.
Nga ana tjetër, zoti Arvizu duket se nuk po e kuron shumë aspektin e baraslargësisë nga palët në lojë, aq të njohur dhe të respektuar nga diplomatët e huaj në fushatat elektorale. Në këtë aspekt, ai po fillon të ngjajë jo pak, në një kohë krejt tjetër, me paraardhësin e tij të largët Rajerson. Natyrisht që ai nuk është lodhur t’i numërojë vizitat e tij të fundit pranë forcave të rendit, sepse po ta kishte bërë një gjë të tillë do të mësonte se është ndoshta ambasadori i huaj në Tiranë që e ka bërë më shumë se kushdo tjetër këtë gjest, në hark të caktuar kohor. Dhe kur kreu i këtyre forcave të rendit është një ndër protagonistët e pritshëm më të afishuar të zgjedhjeve të 8 Majit, ky nuk është aspak një detaj i parëndësishëm.
Më tej akoma, në disa muaj qëndrimi në Shqipëri, ai është marrë jo pak me mediat, duke i klasifikuar ato dhe duke bërë kështu, me shumë gjasë, një antireklamë të panevojshme për disa prej tyre. Por më e rëndësishmja ndër të gjitha, ai ka ndjekur një politikë, në mesin e një rrëmujë të paprecedent ku është futur shteti dhe partitë kryesore, e cila përzgjedh në mënyrë preferenciale statu quo-në mbi standardet. Pozicioni amerikan aktual, i artikuluar nëpërmjet titullarit diplomatik të ShBA-së në Tiranë, rrezaton vullnetin për të ruajtur me çdo kusht konturet e një axhende politike formale, në dëm të analizës dhe të kritikës së devijimeve të rënda demokratike që po ndodhin në Shqipëri. Kjo e bën qëndrimin diplomatik të Ambasadës Amerikane në Tiranë të ngurtë e konservator, përballë dinamikës së zhvillimeve problematike shqiptare.
Sot ky vend ka ndryshuar totalisht, krahasuar me dhjetë apo njëzet vjet më parë. Jo sepse ndryshimin e sjellin siglat e fushatave apo propaganda e thatë ditore e njërës apo tjetrës palë, por sepse objektivisht Shqipëria e vitit 2011 ka shumë pak të përbashkëta me Shqipërinë e dualizmit PPSH-PD, të eksodeve masive nga deti dhe toka dhe të një varfërie ekstreme të shtrirë në çdo cep të këtij vendi. Qoftë dhe për këtë arsye të vetme (pasi ka dhe plot të tjera), ky vend nuk ka më sot nevojë për ndonjë diplomaci kujdestare, deri edhe posesive, si ajo e diplomatit të lavdërueshëm Uilliam Rajerson. Ky përcaktim duket sikur bie ndesh në mënyrë të dukshme me dëshirën tonë si shoqëri, për të pasur një arbitër të huaj, në secilin prej momenteve tona delikate. Aspak jo! Mbivendosja dhe paradoksi janë vetëm sipërfaqësorë. Ato zhbëhen në kufirin e hollë që ndan korrektesën dhe angazhimin konkret e dashamirës të të huajve për punët në Shqipëri, me protagonizmin e tyre disa herë të tepruar, për të ndërhyrë edhe aty ku s’u takon.
Ambasadori Arvizu ka këshilluar këto javë, veç të tjerash, që kandidatët për bashkitë e Tiranës e Lushnjës të zhvillojnë debate televizive mes tyre. Megjithë respektin e duhur, duhet t’i kujtojmë atij se në kushtet kur asnjë nga 31 rekomandimet e OSBE-ODIHR në raportin e 28 qershorit, nuk është hedhur ende në tryezën e kompromisit mes partive, në kushtet kur asnjëri nga pretendimet dyvjeçare të opozitës për transparencën e zgjedhjeve nuk është diskutuar konkretisht nga dy partitë e mëdha, në kushtet kur listat zgjedhore dhe komisionerët partiakë qëndrojnë si një bombë me sahat mbi fatin e 8 Majit, e kur KQZ vijon të marrë vendime në kundërshtim me ligjin, ndërsa statusi i saj është vënë në pikëpyetje të fortë nga njëra palë, të propozosh dy debate televizive apo të sugjerosh se një njeri duhet të votojë vetëm një herë, tingëllon paksa e tejkaluar dhe periferike. Sistemi është ndryshuar kohë më parë në këtë vend. Për pasojë, edhe ambasadorët që sillen si në vitin 1991 janë një dekor i një kohe tjetër. Zoti Arvizu natyrisht që ka edhe kohën e duhur, edhe dëshirën përkatëse, që të dëshmojë se nuk është i tillë.