Një qiri për shpirt të engjëllit humanist…

1
25

Kushtuar Dr. Federik Shirokës

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë

Nga Pjetër Logoreci

Në vitet e zymta të diktaturës së egër komuniste, në kohën kur personazhe të ndritur të kombit, intelektualë të zotë e klerikë atdhetarë ekzekutoheshin pa gjyq, ndër shtëpitë e qytetit të Shkodrës jeta vazhdonte si e strukur në heshtje nga frika e ndonjë raprezalje apo spiunimi të mundshëm. Festat e gëzimet familjare mbyteshin nën peshën e shtërngesës ekonomike e të frikës në ambientin e politizuar nga demagogjia e paskrupull e unipartisë në pushtet. Njerëzit i druheshin kontakteve e bisedave për problemet e shumta të jetës. Por ndodhte edhe, që në muzgun e mbasditës, apo në orët e mbrëmjes të shiheshin tek tuk ecejaket e ndonjë çifti, grupi apo familje, të cilët shkonin për ndonjë urim fejese, ktheheshin nga festimi i ndonjë ditëlindje apo gëzimi tjetër familjarë.

Miqësitë e vjetra sillnin ndër këso netësh speciale festash tek familja ime, personazhe interesante e shumë të njohtun të qytetit, të cilët me vizitat e tyre mundoheshin të kujtonin dhe të respektonin traditat fetare e zakonet tona familjare. Në familjen time, festa fetare e ditës së emrit, festohej e “zyrtarizuar” si “dita e lindjes”, e miq të mirë e të shumtë si Gjenarini, Xhevati, Gjoni, Ahmeti, Faiku, Marku ishin të përhershëm. Perveç miqësisë familjare, të mëdhenjtë i lidhte puna në sektorët më të vështirë e po ashtu edhe përsekutimi ishte emruesi i tyre i përbashkët.

Nga fëmijeria ime ruaj të freskëta në kujtesë si çastet magjike të këtyre netëve, tregimet e Zotni Gjon Kamsit për vrasjen e Luigj Gurakuqit e sjelljen e rrobave të tij të gjakosura në atdhe, e po ashtu edhe vizitën e një zonje, që me sjelljen e saj të veçantë me tërhiqte vëmendjen. Edhe pse isha shumë kurioz, nuk guxoja të pyesja më të medhejtë për te, por nga rastësia e bisedave mësova që ajo ishte Olimpia, e veja e kirurgut të madh Federik Shiroka.

Babai im më tregonte se, Doktori që ishte bashkëmoshatar e njëkohësisht edhe kushëri i djemve të familjes sonë, ishte shpesh i pranishëm tek ne në bisedat e mbrëmjeve të gjata të dimrit. Olimpia ishte një grua austriake nga Tiroli që Federiku gjatë kohës të studimeve në Austri e kishte njohur e dashuruar. Me mbarimin e studimeve, Olimpia u bë bashkëshortja e Federikut dhe e ndoqi atë në Shqiperi.

Për karrierën brilante e personalitetin e Federikut, janë botuar disa herë shkrime nga kolegë e persona që patën kontakte me të, por unë në këtë shkrim do të sjellë elemente të rinj e të panjohur për personalitetitn e tij, të parë në nji këndvështrim tjetër, nga ai i bashkëshortes së tij austriake.

Në foto Dr. Federik Shiroka në prillin e vitit 1955 në Tiranë

Mendoj që për lexuesin është e nevojëshme një paraqitje e shpejtë e fillimeve të Dr. Shirokës, i cili vinte nga familja qytetare me tradita patriotike SHIROKA. Kjo familje pat në gjiun e saj figura të njohura të rilindjes kombëtare e një ndër to ishte dhe virtuozi i kirugjisë shqipëtare (mund të them pa frikë) edhe i asaj botërore, mjeku kirurg Federik Shiroka.

Lista e nxënësve të Kolegjës Saverjane në Shkoder, ku mësoj Federik Shiroka nga viti 1915

Federiku lindi në Shkodër me 20 shtator 1907. I ati Loro Shiroka vdiq i ri duke lënë gruan Zinën, me 5 fëmijë jetimë, Florindën, Regjinën, Zefin, Terezinën e Federikun. Shkollën fillore e bëri në Kolegjën Severiane në Shkodër (1915), ku u shqua për rezultate të mira si dhe për aktivizim në teatrin e shkollës.


Federik Shiroka (sipër i katërti) në dramën “Ora e Shqypnisë” të dom Ndre Zadejës në vitin 1920.

Mbasi mbaroj klasët e fillores në vitin 1923, u dërgua prej familjes që të vazhdonte shkollimin në Austri. Gjimnazin e kreu në qytetin e vogël të Kremsit (afër Vjenës) ku maturonin shumë të rinj nga familje shkodrane. Përfundoi maturën në vitin 1928 me rezultate shumë të mira, e kjo i krijoi mundësinë që të pranohet të vazhdojë degën e mjekësisë në Universitetin e Graz-it. Mbasi mbaroi studimet me rezultate të larta, i specializuar për kirugji dhe gjinekologji edhe pse i ofruan për të punuar në Katedrën e Kirurgjisë në Graz, ai vendosi të kthehej në atdhe në 1935-ën për të punuar në spitalin e Tiranës si mjek kirurg.

Për këtë, ai i shprehej bashkëatdhetarëve të tij studentë: edhe pse Kirurgjia nuk ka atdhe, kirurgu ka. Më pas ai transferohet në vendlindjen e tij Shkodër, ku punoj si kirurg e drejtues i spitalit deri në vitin 1946. Më vonë emërohet drejtues i pavionit të kirurgjisë në Tiranë, ku punon deri në fund të jetës. Edhe pse ishte një kirurg shumë popullor dhe i palodhur, ai pat një jetë të vështirë, mbasi politikisht familja e tij ishte në syrin e rregjimit dhe shikohej me dyshim. Vëllai i tij Zefi ishte i “burgosur politik” me akuzën e rëndë “armik i popullit”, i dënuar me 20 vjet heqje lirie, pasi kishte qënë nënpunës i lartë para ardhjes në pushtet të diktaturës famëkeqe.

Edhe fakti që Dr. Shiroka kishte gruan austriake nuk shikohej me sy të mirë nga kolegët e partia në pushtet. Sipas ideologjisë së kohës ai ishte “një mikroborgjez, që i kishte kaluar koha dhe njeriu që nuk bënte perpjekje për të studiuar marksizmin”.

Ky është shkaku që më motivoi të rreshtoj këto fjalë, mbasi pata fatin që të marr në dorë korespondencën e bashkëshortes Olimpia Shiroka, me kolegë, miq, shokë, kushërinj apo familjarë të Dr. Shirokës. Si të gjitha gratë e hueja të martuara në Shqipëri, edhe Olimpia vuajti kalvarin e komunizmit. E përndjekur nga rregjimi , nën presionin e sigurimit të shtetit, e detyruar në izolim të plotë, e papunë, ajo grua, e cila mundohej të qetësonte sadopak shpirtin e trazuar të Federikut e të fshinte lodhjen e orëve të gjata të punës së tij, i shkruan këto letra të dhimbëshme miqve të shtëpisë, apo shokëve të Federikut te cilët jetonin në mërgim. Aty ajo përshkruan masakrat e komunistëve mbi intelektualet e familjet patriotike shqiptare që ajo njihte. Ja si e përshkruan ajo jetën e saj e të bashkëshortit, atij që mbetet nderit i kombit tonë, doktorit me “duar të arta”:

Pjesë nga letra që Olimpia i dërgon Z.L., një shokut të Federikut me 21.10.1963

Po përpiqem të shqipëroj pjesë nga letra e shkruar në gjuhën italiane, që i është dërguar një shokut të rinisë të Federikut (Zef L.) me banim në Amerikë, e që mban datën 21.10.1963:

…kam mbetë pa fëmijë, e për këtë mbasi çdo lindje (5 lindje) kam vuajtur shumë. Me Federikun e shkretë kishim të njëjtin grup gjaku (RH) e nuk ishte e mundur të na jetonin fëmijët. (të paktën me mundësitë e Shqipërisë….) Mandej kur mbeta vetëm, nuk merrja pension, sepse ktu i japin vetëm grave mbi 55 vjeç ose me fëmijë. Me dekret special të kuvendit popullor (parlamentit) më kanë dekretuar 2000 lekë në muaj “pension për merita, pension për patriotët”. Me kaq pak lekë nuk mundesha të jetoj, prandaj kam shkuar në ministrinë e shëndetësisë për të kërkuar punë. Më kanë dërguar si shërbyese në ambasadën e Gjermanisë komuniste – favor i madh ky, sepse është shumë e veshtirë të punosh me të huaj edhe pse ishin nga kampi socialist.

Mandej ndodhi prishja me Bashkimin Sovjetik dhe të gjitha ambasadat u larguan menjëherë. Mbetën vetëm Kina, Korea, Vietnam, Ghana, Turqia, Italia e Franca. Prap mbeta pa punë. Atëherë i kam merzitë duke kërkuar punë dhe më kanë dërguar si pranuese në laboratorin e Oblikës, e ma vonë më bënë teknike e mesme e mvaresha nga ministrija e shëndetësisë. Eshtë e vështirë i dashur Zef në këtë moshë të punosh me disa njerëz të paaftë. Mbas tre vjet kërkesash të shumta më kanë lejuar të vij në shtëpi te motra ime. …

Eh Federiku i shkretë, sa ka punuar! Çdo dy netë roje në spital, pa i paguar asnjë lekë më shumë. Sot i paguajnë doktorat për orët e natës. ….Një rruge në Tiranë, Fakulteti i mjekësisë e repartit ku punoj së fundi, mbajnë emrin e tij. Në sallën e leksioneve dhe në repartin e kirurgjisë qëndron busti i tij. Por çka sherben kjo tashti, duhej t’i jepeshin për së gjalli këto merita. Eshtë gjithçka mbrapësht atje… Për udhëtimin në Itali, banka më ka dhënë vetëm 10 dollarë, nuk lejohej më tepër.

Këto fjalë të shkruara me kaq dhimbje e keqardhje për një jetë të kaluar në vuajtje e izolim, flasin vetë e nuk kanë nevojë për koment.

Në foto Olimpia Shiroka, e veja e Dr. Federik Shirokës

Dr. Shiroka në mes të kolegëve të spitalit të Tiranës: Dr. Fejzi Hoxha, Ferdinand Paparisto, Sherif Klosi

Në një letër që mban datën 17.2.1964, e veja e Dr. Shirokës shkruan:

… pak ditë para se të vdiste Federiku im i shkretë, i thashë që: asnjëri nuk do ta besonte që ishim gjithmonë pa lekë në shtëpi (Federiku ishte shejtori i të varfërve) çka do të kisha bërë në rastin e ndonjë fatkeqësie. Atëherë ai më vështroi gjatë e më tha: në një rast të tillë, vendos a do të vazhdosh të rrish ose vendos të ikësh…

Në një letër tjetër që mban datën 13.9.1963, në ditët kur asaj iu dha mundësia të udhëtonte drejt Italisë, për të vizituar familjen e saj në Trento, ajo përshkruan gjendjen e familjes së saj atje. Ajo nuk arriti ta shihte nënën e saj, e cila kishte pak kohë që kishte vdekur, e me të cilën nuk pat as korrespondencë. I vetmi person i mbetur nga familja e saj në 21 vjet distancë nga udhëtimi i fundit, ishte një kushërinë e saj me emrin Margherita Toniolli, ku Olimpia gjeti strehë e mikpritje. Dhimbja e humbjes së njeriut ma të shtrejtë të saj Federikut, ishte e pashlyeshme, por respekti e dashuria që tregonin njerzit e thjeshtë për “doktorin”, qe shërimi i shpirtit te saj.

Ajo shkruan:

…Federiku ka lënë jetën për të varfërit e tij, për popullin e tij, ai me punën e tij ishte pioneri i kirurgjisë, por qeveria këtë e ka marrë në konsideratë vetëm pas vekjes së tij… kur kishte mbetur pak për të bërë…

…njerzit kanë qarë me dënesë në funeralin e tij, ishte nji shprehje spontane e popullit (jo një miting i organizuar). E mandej kanë vendosur bustin e monumentin. Fakulteti i mjekësisë mban emnin e tij. Një rrugë ka emrin e tij. Drejtori i spitalit civil të Tiranës me ka thënë: qysh kur ai ka vdekur, nuk jemi në gjendje të bëjmë diagnoza të sakta, duke i mbajtur të sëmurët deri në 3 muaj në spital. E mendo që ky (drejtori) është komunist! …

Prandaj po deshte të mos më bësh dëm, te lutem mos thuaj që ke korespondencë me mua, sepse më duhet të kthehem përsëri atje…

Eshtë i papërshkrueshem frustrimi i zonjës Shiroka nga veprimet diskriminuese dhe provokative të sistemit djallëzor komunist, i cili në mënyrë të veçantë ushtroi presion ndaj familjeve të intelektualve të përmendun të përmasave të Dr. Shirokës edhe pse ai ishte i respektuar nga mbarë elita ndërkombetare e kirurgeve si – MJEKU ME DUAR TE ARTA – .

Kasta komuniste e shfrytëzoi në extrem punën e mjekut Shiroka edhe për të shëruar anëtarët e lartë të partisë e të komitetit qëndrore të saj, por duke i treguar kurdoherë “grushtin e diktaturës së proletariatit”, që i rrinte mbi kokë çdo intelektualit, që kishte studiuar jashtë apo që kishte gruan të huaj nga bota “borgjeze e reaksionare” përendimore. Po sjell këtu një letër të viteve të vështira 1964, ku Olimpia përshkruan vdekjen e Federikut dhe situatën e saj të dëshpëruar të atyre diteve:

….këtu po sjell në shqip pjesë nga kjo letër:

… Zef Shiroka ishte i dënuar me 20 vjet dhe i deportuar në jug të vendit, ku vuanin shumë persona në kampet për bonifikimin e kënetave, të kafshuar nga mijëra shushunja. Kur vdiq Federiku, i bëmë një telegram Enverit, që e liroj Zefin dhe ushtarët e mbrojtjes e solëen në Shkodër, ku arrita ta dërgoj Federikun e vdekur. Kur po shkonim për në Shkodër, rrugës Tiranë – Shkodër na është dashur shumë herë që të hapnim arkivolin e të vdekurit mbasi njerzit donin të shihnin “Doktorin”…

Percjellja për në banesën e fundit e Dr. Shirokës nga qytetarët e Shkodrës.

….në Tiranë dënuan me vdekje shefin e spitalit, doktorin italian Lozzi e kështu sollën Federikun në vend të tij. Federiku vdiq këtu prej Infaktit nga lodhja, nga puna e madhe ditë e natë. Për një farë kohe ai ishte edhe mjek i burgut. Kur vinte në shtëpi nuk mund të hante e vetëm djersitej e dridhej nga tmerri i torturave, që kishte parë atje brenda. Pastaj e larguan pasi ai ishte shumë i ndjeshëm nga këto skena.

Për të nderuar Federikun për punën e madhe që bënte (gjithçka për njerëzit e varfër), qeveria në majin e vitit 1955, e dërgoj në Moskë për të parë paradën ushtarake në SHESHIN E KUQ dhe mausoleumin e Stalinit. Në dhjetorin e këtij viti, ai vdiq nga infarkti në orën tre te natës në shtrat pranë meje… e tmerrshme…
Porositën te behej një bust nga Kristina Hoshi për një ekspozitë. I dhanë emrin e tij bulevardit ku ne banonim. Kanë emëruar edhe repartin e kirugjisë në Tiranë me emër të tij.

Por mua nuk më dhanë pension. “jemi një vend i varfër dhe nuk mund të mbajmë parazitë” ishte pergjigja e parlamentit mbas kërkesës sime. Më dhanë një punë në ambasadën gjermane (lindore). Një nder i madh për te punuar me të huaj. E kështu prej punës delikate që kisha, nuk mundesha që të frekuentojshe publikisht njerëzit tanë. E më në fund më lejuan për një muaj të vij këtu (në Itali), pa valixhe e pa pará, e unë NUK JAM KTHYER ME ATJE.

Tashti punoj për të mbajtë frymën mbasi këtu nuk ke ndihmën e askujt. Dhe nuk kam asnjë të drejtë, mbasi italianët në Shqipëri patën një përfundim (qenë keqtrajtuar) të keq. Porse më kanë ridhënë shtetësinë italiane e kështu të paktën mundem të punoj…

Së fundi, Dr. Shiroka jo vetëm që ishte një mjek profesionist i klasit ndërkombëtar, por ishte një njeri me shpirt të madh e humanist shëmbullor. Edhe pse ai nuk e deshti dhe nuk e pranoi kurrë rregjimin antidemokratik komunist, si mjek dhe humanist mjekoi dhe kuroi edhe pjestarë të makinerisë gjakatare komuniste, atentatorë e udhëheqës partiakë, që ekzekutonin e burgosnin ato që mendonin ndryshe. U shkruajt shumë për Dr. Shirokën, u mbajtën konferenca e simpoziume për veprën e tij, për gjurmët shkencore që la prapa, por një gjë duhet të jetë e qartë: ai nuk e deshti për asnjë çast rregjimin komunist që i shkurtoi jetën.

Shumë kolegë të tij, ish anëtarët e partisë së dhunës, që ishin pjestarë të makinacioneve e kurtheve kundër tij, në vitet më pas si për të bërë “punën e pendimit”, shkruan fjalë të mira e lavde për Federikun. Por këto ndere e lavdërime, ai i krijoj me punën, profesionalizmin e nderin e tij. Nuk ishte rregjimi që i bëri nder Federikut, duke i bërë buste apo emërtime rrugësh e sallash me emrin e tij, por ishte Federiku, që i bëri nder atdheut të tij e të gjithe popullit shqiptar, duke i shërbyer ditë e natë me profesionalizëm e humanizëm, duke e bërë të njohur kombin e tij në arenën ndërkombëtare.

Foto e Federikut marrë nga flimi dokumentar i kinostudios,
kur u dekorua me medaljen e punës së klasit të pare, me 1 Maj 1955

Shpresoj që ky shkrim të sjellë në mendjen e presidentit të Republikës dekorimin e Dr. Shirokës me titullin e lartë NDERI I KOMBIT për karrierën e tij shëmbullore, e po ashtu edhe bashkinë e qytetit të lindjes SHKODER, për ta vlerësuar me titujt apo emërtimet, që Dr. Shiroka i meriton.

1 COMMENT

  1. Për dekorimin nga Presidenti, duhet një kërkesë nga një institucion i caktuar, psh. Spitali i Tiranës, ku përshkruhet edhe jeta dhe arritjet e Dr. Shirokës. Ndërsa Këshilli Bashkiak Shkodër mundet nga ana e tij të japë edhe emërtimet e rrugëve etj., që duhen, në vend që të vërë emra rrugësh si Ali Pashë Gucia, etj. pashallarësh turq, që kanë lënë vendin nën pushtim e prapambetje.

Comments are closed.