In memoriam në 62-vjetorin e vdekjes
Tomë Mrijaj, New York
Në historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti të trevës me emër të njohur për figura të shquara të atdhedashurisë ndër shekuj në Lugu të Drinit, spikasin bijtë më të shquar, që lanë gjurmë të pashlyera në analet e përgjakura të historisë për trinomin: liri, demokraci dhe përparim të Atdheut tonë.

Këtë vit mbushën 62 vjet nga kalimi në amshim, i luftëtarit të vendosur për liri të popullit të vet nga netët e gjata të sketerrës së kolonizatorëve serbë, ideologjisë së keqe komuniste, që gjithnjë u munduan ta fusin në pranga popullin martir të Dardanisë. Por si gjithnjë, kjo tokë e plleshme me trima dhe martirë, ka nxjerrë nga gjiri i vet bijtë e denjë, që e mbrojtën Kosovën në ditët më të vështira. I tillë është burri fisnik Ndue Jaku (1896-1948), njeriu i urtë e i matur, kuvendari i besës dhe burrërisë, mikpritjes dhe nderës tradicionale karakteristike të Kullës së famshme të Jakajve në Ranoc të Komunës së Klinës.
Tek shfleton sot mbas shumë dekadave kujtesën e freskët të popullit shqiptar, të bie në sy menjëherë historia e burrave të kombit, që sot janë krenaria dhe nderi ynë, duke na bërë krenarë, që jemi pasardhës të kësaj historie të lavdishme, të shkruar me grykën e pushkës nga trima të pamposhtuar, që nxorri Lugu i Drinit.
Tek dëgjon sot nga më të moshuarit ose pjesëtarë të Derës së Kullës së Jakajve ngjarje dhe episode historike, e posaçërisht nga djali i Ndue Jakut, aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë z. Tomë Jaku (që jeton prej disa dekadash në New York), menjëherë pushtohesh nga emocionet e kohëve të shkuara, që nuk i kam jetuar, por me shumë endje kam qenë i prirur t’i mësoj, sepse aty është vetë historia dhe krenaria e trevave tona.
Kudo do të shohim se Ndue Jaku, është personazhi kryesor i ngjarjeve të rëndësishme historike, duke qenë një patriot i përkushtuar i çështjes kombëtare dhe Kosovës në veçanti. Aty ku ishin prijësit dhe komandantët e 55 çetave nacionaliste të Kosovës, ishte edhe pushka e ngrehur për liri dhe pavarësi e luftëtarit Ndue Jaku, që ishte krahu i djathtë i Luanit të Kosovës, komandantit kundërkominist e kundërsllav Ndue Përlleshi, Prof. Ymer Berishës, Marie Shllakut, Zef Gjidoda, Uk e Shaban Sadik Ramë Gjurgjevikut, Qazim Bajraktarit, Ndrec Nikollës, Pjetër Jakut (vëllai i Ndue Jakut), Zef Sokoli me të birin Markun, Shaban Demës dhe shumë e shumë burra të tjerë martirë, të flijuar dhe të gjallë nga Lugu i Drinit., që vepruan në Kosovë e Shqipëri.

Me ardhjen e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, në Kosovë (1939-1944) kufiri shqiptaro-shqiptar, midis trojeve shqiptare, në pjesën Veri – Perëndimore të Kosovës ishte i lirë. Tashmë, shqiptarët e ndarë padrejtësisht, qysh prej vitit 1913 nga Fuqitë e Mëdha, filluan të lëvizin lirisht në të dy anët e përbashkëta të kufirit shqiptar. Sigurisht, ky veprim i rrëzimit të “murit” artificial, ishte një nxitje për zhvillim të trevave shqiptare, por nga shovinistët sllav nuk shihej me sy të mirë…
Jemi në mesin e muajit nëntor të vitit 1944. Makinat e fundit të trupave gjermane “Langer” sapo kishin lënë Kosovën (që askohe njësohej me trungun amë Shqipërinë), dhe me një shpejtësi rrufe si “triumfatorë” (fitimtarë) pa luftë partizanët çetnikë serbo-malazias dhe ato komunistë të ardhur posaçërisht nga Shqipëria, me urdhër të drejtpërdrejtë nga diktatori Enver Hoxha dhe udhëhequr nga krimineli Shefqet Peçi dhe komisari politik Ramiz Alia, i erdhën në ndihmë pushtuesve komunistë serbë…
Fitorja ushtarake në nëntorin e vitit 1944, për komunistët shqiptarë ishte “çlirimi” i Kosovës, ndërsa për kolonizatorët serbo-malazias ishte pushtimi total i saj. Nga ana e tjetër duhet thenë, se vrasjet masive të popullsisë shqiptare në Kosovë u kryen nga repartet e Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Jugosllavisë, të përbëra nga çetnikët e mirfilltë serbo-malazias, me të cilët do të bashkohen më vonë brigadat partizane të drejtuara për masakra dhe krime kundë njerëzimit komandanti Shefqet Peçi dhe krimineli ideologjik ose komisari politik Ramiz Alia.

Kosova, tani u pushtua nga brigadat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Jugosllave (UNÇJ), të përbëra nga çetnikët e armatosur gjerë në dhëmb, por nën komandandën e komunistëve serbo-malazias, të cilët kishin dorë të lirë mbi popullatën shqiptare. Menjëherë me stacionimin e tyre nëpër trevat e Kosovës, ata filluan planin e likuidimit fizik të banorëve autokton, një projekt i hershëm ambicioz i Planit Shfarosës të Shqiptarëve, hartuar nga ksenofobi Vaso Çubraloviq. Nga ana e tjetër, Policia Sekrete, që ndryshe njihet me emrin OZNA (me vonë UDB, shënimi im T.M.), filloi likuidimet fizike me listë të një numëri të madh njerëzish, duke mos kursyer të moshuarit, gratë dhe fëmijët në shtëpitë e tyre. Ishte koha e valës së egër të terrorit çetnik…
Armata Jugosllave, në ditët e nëntorit 1944, rekrutoi shumë të rinj nga Kosova, të cilët i dërgoi në vende të tjera të ish- Jugosllavisë dhe popullin shqiptar e la në mëshirën e çetnikëve. Kjo bëhej me qëllim të lënies së popullit pa prijës patriot. Disa nga trevat ku u ushtrua gjenocidi i përgjakshëm janë: Gjilan, Ferizaj, Burimi etj., ku në histori tashmë janë të njohura masakrat, që kanë ndodhur në dhjetor të vitit 1944 dhe ato të muajit janar të vitit 1945…
Në qytezën e Burimit, më shumë se 250 burra të Kosovës u mbytën barbarisht në Kullën e Popit. Qendra të tjera të pushkatimit gjatë natës u bënë: Lluga e Xhamisë, Lumi Burim, Zabeli i Sadik Rexhës etj. Mënyra e mbytjes dhe pushkatimit të tyre ka qenë e ndryshme, duke përdorë metoda mesjetare dhe deri me plumb në kokë. Të tilla ishin mjetet e ftohta, si: takmak, çekiç, shufër hekuri etj. Ekzekutorët kryesorë, që serbët përdornin asokohe ishin romët (një minoritet i huaj, që ende jeton sot në Kosovë, shënimi im T.M.), të cilët, sërisht u pëdorën edhe gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999…
Ende sot viktimave nuk u dihen varret. Sipas të dhënave jo të plota, në rrethinën e Burimit, asokohe janë vrarë barbarisht mbi 400 shqiptarë. E këto pak të dhëna, janë vetëm për kufomat, që kanë mundur t’i identifikojnë ato pak pjesëtarë të familjve të tyre, të mbijetuar ndaj këtij gjenocidi të pashëmbullt në historinë e përgjakshme të Kosovës.
Fati i hidhur që goditi familjen e Jakajve të Rancocit
Sikurse theksuam pak më lart, tragjedia e masakrës kolektive preku thellë edhe familjen e Jakajve. Në këtë vend të njohur, sikurse njihet në histori me emrin Kulla e Popit, u pushkatua edhe kryefamiljari e nacionalisti kundërsllav dhe kundërkomunist Pjetër Jaku (1898-1945), që është vëllai i patriotit të shquar Ndue Jakut.
Menjëherë mbas pushkatimit të Pjetrit, Ndue Jakut, i ra detyra e vështirë të drejtojë jetën ekonomike të familjes së madhe të Jakajve. Nga ana e tjetër, ky kishte edhe një obligim më shumë, për të ndihmuar forcat nacionaliste, që vepronin në malet e Kosovës e veçanërisht atë të komandantit legjendar Ndue Përlleshit (1908-1949).
Dyert e Kullës së Jakajve, ishin gjithnjë të hapura për mikpritje, bujari, diskutime, plane ushtarake çlimtare, për të mirën e Atdheut. Rradhët e çetës së komandantit Ndue Përlleshit shtoheshin përditë, me elementë të rinjësh kundërkomunist e kundërsllavë. Nga ana a tjetër Ndue Jaku, takohej me miqtë e tij dhe u thonte që të ndihmojnë sa më shumë lëvizjen çlirimtare në Kosovë dhe t’i mbajnë përherë të hapura me bujari dyert e kullave të tyre për nacionalistët shqiptarë.
Një mbrëmje në Kullën e Jakajve, ishte si mik edhe strategu i luftës çlirimtare në Kosovë asokohe, ideologu i flaktë atdhetar Prof. Ymer Berisha (1912-1946), sëbashku me heroinën shkodrane Marie Shllakun (1922-1946). Atë mbrëmje Prof. Berisha dha mesazhin e tij, duke thënë se: “Lufta bahet në shumë mënyra. Ne nuk dëshirojmë të rrezikohen familjet tona. Jemi mjaft me armë. Ju mund të na jepni ndihmën ma të madhe, tue na ndihmue me veshmbathje e nderlidhje të tjera që i këkron lufta.” Të tilla mesazhe liridashëse, Prof. Berisha dha edhe në Kullën e Zefit të Fanës në Polce, Bardhec Gojanit në Budisalc etj.
Në Lug të Drinit UDB-ja, përmes shumë spiunëve mercenarë shqipfolës i torturonte pa mëshirë familjet e dyshimta, që kishin ndihmuar herë pas herë çetat nacionaliste në malet e Kosovës. Në ditët e ftohta të dimrit me ngrica e dëborë, u torturua pamëshirshëm Ndue Jaku, Bardhec Gojani me shumë e shumë burra të tjerë të Lugut të Drinit.
Me vrasjen e kryeçetnikut Radosh Toshiçit nga çeta e komandantit Ndue Përlleshit, torturat e papara filluan në Lug të Drinit, e kryesisht tek kryefamiljari Ndue Jaku. Nga plagët e rënda të torturave çnjerëzore mbylli sytë luftëtari nacionalist Ndue Jaku, me 6 shkurt të vitit 1948. Kjo humbje tragjike për Kullën e Jakajve, ndodhi vetëm dy ditë para rrethimit të komandantit Ndue Përlleshi në Mal të Bokshiqit, i cili, sapo ishte kthyer nga Bjeshkët e Sharit me dy bashkëluftëtarët e tij: Ndrec Nikollën dhe Shaban Demën, për të parë të afërmit e tyre.
Në përleshje me forcat çetnike, me 7 shkurt 1948 ranë dëshmor për lirinë e Kosovës Ndrec Nikolla dhe Shaban Dema, ndërsa komandanti Ndue Përlleshi kishte mbetur i vetëm në pyll mes shumë armiq të vrarë. Ai ndonëse i plagosur dy herë në trup, kishte mundur të largohet nga rrethimi në sajë të ndihmës së të riut energjik dhe trim Pren Gojani nga Dugajeva. Në mëngjezin e 8 shkurtit të vitit 1948, OZNA pushkatoi Pren Gojanin në vendin e ngjarjes…
I ndjeri Mark Laska nga Zllakuqani, shume vite më parë (kur ishte për një vizitë në New York), për ngjarjen e Bokshiqit, ai ndër të tjera kujtonte: “Në ato ditë të përmortshme në familjet Jakaj e Gojani, patëm mundësi të dinim në përmes njerëzve, se ku gjindej komandanti ynë Ndue Përlleshi, i cili, kishte mundur me aftësi të vet dhe të riut Pren Gojanit të largohej nga ai rrethim i hekurt i organizuar drejperdrejtë nga OZNA.”
Përkujtimi si rikujtesë e historisë
Unë si bir i Kosovës dhe krahinës së Lugut të Drinit, jam krenar, tek shkruaj dhe rikujtoi me këtë qiri drite birin e trojeve tona dardane, për të cilën (Kosovën) Ndue Jaku dha gjithçka deri sa mbylli sytë. Ai u largua nga jeta më 6 shkurt të vitit 1948, në katundine tij të lindjes në Ranoc (Lugu i Drinit), në moshën 52-vjeçare, duke lënë pas një familje të madhe. Gruaja e tij fisnike, i qëndroi gjithnjë pranë, në gëzime dhe hidhërime, duke qenë shpesh krahu i djathtë i tij, për mbledhjen e ndihmave, të cilat më vonë dërgoheshin në malet e Kosovës, ku vepronin çetat nacionaliste.
Ndue Jaku, la mbrapa katër djemtë: Tunen, Gjergjin, Martinin dhe Tomën, që u munduan të ecin gjithnjë nën shembullin pozitiv të babait të tyre. Nga ana e tjetër edhe katër vajzat si sokolesha: Jana, Marçja, Mrica dhe Maria, u rritën pa babain e tyre, por gjithnjë ishin krenare, se ishin bijat e tij, të cilin e nderuan përgjithmonë.
Veprimtaria atdhetare Ndue Jakun, e bën të pavdekshëm dhe jeton përherë në kujtesën e popullit tonë të shumë vuajtur ndër shekuj, për liri dhe pavarësi, dhe do të shërbej si shembull për brezat e ardhshëm, se si punohet dhe sakrifikohet me devocion për çështjen sublime sikurse është Atdheu.
Historia e shkurtër e vuajtjeve dhe kalvarit
Për familjen e Jakajve, historia e kalvarit të vuajtjeve dhe mundimeve, nuk përfundon me vdekjen e parakohshme të nacionalistit Ndue Jaku. Por kalvari i gjatë e ka zanafillën e vet tek punët e detyrueshme dhe plot mundime, pa pagesë, që u detyruan me dhunë të bëjnë pjesëtarët e kësaj familje.
Në kushte shumë të këqija, në ambientet e punëve të rënda, në mes pyjeve të dendura të Bjeshkëve të Burimit në Rakosh (për prodhimin e lëndeve drusore), humbi jetën në mënyrë tragjike djali i dytë i Ndue Jakut, Gjergji, kur nuk kishte mbushur më shumë se 17 vjeç. Vdekja në moshë të re e Gjergj Jakut (1932-1949) e shtoi edhe më shumë dhimbjen në familjen Jakaj.
Gjatë periudhës së sundimit të rregjitmit sllavo-komunist në ish-Jugosllavi, shumë meshkuj të familjes së madhe patriarkale të Kullës së Jakajve, u detyruan, që për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre, të punojnë me orare të zgjatura dhe pagesa të vogla në shumë vende të ish- Jugosllavisë.
Një nga pjesëtarët më aktiv dhe njëherit i dhënë shumë mbas historisë së familjes së vet, me dokumente dhe fotografi origjinale, djali i vogël i Ndue Jakut, nacionalisti dhe antar ende sot i Organizatës Nacionaliste Mbarëshqiptare “Balli Kombëtar” në emigracion Tom Jaku, ndër të tjera kujton:
“Shteti i ri i sapokrijuar mbas vitit 1944, me emrin artificial Jugosllavi, më mori përdhunë njerzit më të dashur të familjes, që më munguan shumë në jetën time. Të paharruar mbetën për mua babai dhe vëllau Gjergji. Largimi nga ai vend, ku përjetova vetëm kujtime të ithta, për mua ishte një rilindje e re. Me ardhjen time në SHBA, në vitin 1969, menjëherë u radhita në radhët e Ballit Kombëtar, ku në mënyrë active, përmes demostratave dhe ndihmave financiare e luftova si munda dhe dita atë rregjim gjakatar. Rregjimi sllavokomunist, na privoi nga gjërat më të shtrenjta në jetë, që për mua janë: Prindërit e Atdheu. Lirimi i Kosovës, për mua dhe gjithë shqiptarët atdhedashës, është ëndrra e jonë shekullore, që e paguam shumë shtrenjtë me gjakun tonë. Atje kemi familjet dhe varrezat e të dashurve tanë. Jam shumë i lumtur, që erdhi kjo ditë, t’a shohim Kosovën tonë të lirë. Ata që ranë pë rlirinë e Kosovës pushofshin të qetë, në atë tokë shumë të dëshiruar për çdo shqiptar.”
Rivarrimi i nacionalistit
Rivarrimi i eshtrave të nacionalistit të paepur Ndue Jaku u bë më 18 tetor 1987 në Ranoc. Djali i tij i vogël Tom Jaku, sëbashku me familjarët e tjerë dhe një numër të madh miq e dashamirë të fmailjes Jakaj, të kryesuar nga meshtari Don Mark Sopi (më vonë Ipeshkvi i Kosovës, shënimi im T.M.), që asokohe shërbente në Kishën e Zllakuqanit si famullitar. Don Marku e përfundoi fjalimin e tij të gjatë, prekës dhe shumë domethenës, me fjalët: “Ndue Jaku, ruhet në kujtesën e bashkëvendasve lugdrinas si familjar i mirë dhe atdhetar i përkushtuar. Pushoftë në Paqe!”







