Një qeveri e kapur rob

1
43

Pajtim Bello, 21.09.2011

Greva e minatorëve të minierës së kromit Bulqizë po i afrohet kufirit të 100 ditëve. Nga dita në ditë, situata sa vjen e rëndohet në minierë, në çdo familje minatore dhe në qytetin minator të Bulqizës. Zgjidhja e situatës së krijuar duket larg, për më keq në horizont është shfaqur një zgjidhje e llojit të “Kalit të Trojës”. Qeveria kërkon të jetë larg zhvillimeve, sikur greva të zhvillohet jashtë planetit të Tokës. Ndërkohë, akuzat, proceset gjyqësore dhe presionet e qeverisë ndaj minatorëve nuk kanë të sosur.

Gjithçka po ndërmerr qeveria kërkon të gjunjëzojë minatorët dhe t’iu imponojë atyre një zgjidhje kalimtare, që shumë shpejt do të sjellë fatalitetin e minierës dhe të qytetit minator. Me veprimet e veta duket që qeveria është e kapur rob, në mos e tëra, pjesërisht po e po. Çfarë përfaqëson kjo ngjarje që ka tronditur shqiptarët, sidomos pas shfaqjes të disa reportazheve të ‘Top Channel’? Me Ligjin nr. 8791, datë 10/06/2001, kjo minierë me disa objekte të tjera të ish- Albkrom sha (shoqëri me 100% kapital shtetëror) është dhënë me koncesion për një periudhë 30-vjeçare. Për ta bërë situatën më të kuptueshme, kontratën koncesionare do ta shtjelloj vetëm për minierën e kromit Bulqizë, traverbankun e Klosit.

Ndër objektivat themelore të kontratës koncesionare kanë qenë:

1. Hapja e thellësisë së minierës, duke thelluar Pusin 7 nga Niveli 5 i minierës kuota +420 m mbi nivelin e detit (m mnd) deri në Nivelin 20 të minierës kuota -205 m mnd. E gjithë kjo kolonë pusi prej 500 metrash me vlerë investimi 4.9 milionë dollarë do të hapej brenda datës 16/07/2009, siç është përcaktuar në kontratën koncesionare. Që nga data e dhënies me koncesion e deri sot nuk është hapur (thelluar) asnjë metër kolonë pusi.

2. Hapja e traverbankut (tunelit) të Klosit për ta lidhur atë në unazën e Nivelit 5 të minierës do të shërbente për transport, për heqjen e ujërave etj., duke i dhënë minierës një frymëmarrje të re. Objekti ka dy tunele me gjatësi 7.3 km dhe secili tunel ka një seksion 10 m2. Nga 7.3 km janë hapur rreth 6.3 km dhe ka ngelur për t’u hapur edhe 1 km punim për t’u lidhur me Nivelin 5 të minierës. Pjesa e traverbankut prej 1 km me një vlerë investimi prej 2.4 milionë dollarë duhej të përfundonte në 16/07/2009. Realisht në këtë objekt nuk është kryer asnjë lloj punimi, qoftë edhe për të verifikuar gjendjen teknike të tij.

Thelbi i ligjit për koncesionet është “kryerja e investimeve për të zhvilluar e shfrytëzuar një pasuri publike të caktuar për një kohë të dhënë”. Në qoftë se investimet nuk janë kryer në kohën e parashikuar në kontratë, atëherë kontrata ka dështuar. Në rastin konkret, themi se ka dështuar koncesionari dhe Organi Shtetëror i Autorizuar, pra qeveria e përfaqësuar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE).

Kush është i humbur dhe kush është i fituar në këtë dështim të kontratës koncesionare? Është katërçipërisht e provuar se palë e humbur janë minatorët, qyteti minator dhe METE. Por, po kaq e kuptueshme është që pala e fituar është kompania koncesionare. Humbja e palës humbëse ka të bëjë me:

1. Mbylljen e perspektivës së minierës së kromit Bulqizë. Kjo mungesë perspektive sjell, nga njëra anë mbylljen e minierës dhe rrënimin e qytetit minator. 2. Rrezikun e madh të varrosjes së rezervave të kromit të pasur në thellësi poshtë nivelit të 16-të apo 17 të minierës dhe pamundësinë për të zbuluar rezerva të reja të mineralit të kromit në thellësi poshtë niveleve 22. Trupi i kromit, gjeologjikisht nuk është mbyllur drejt thellësisë. Fitorja e kompanisë koncesionare është evidente dhe e kuptueshme nga kushdo. Kompania koncesionare ka nxjerrë më shumë se rreth gjysmë milioni ton krom, pa bërë investime themelore që kanë të bëjnë me hapjen e minierës drejt thellësisë.

Kromi i prodhuar nga viti 2001 deri sot, në kostot e prodhimit pothuajse nuk është rënduar me zërin e investimeve themelore. Pra, kompania koncesionare gjatë kësaj periudhe ka prodhuar dhe ka fituar mirë, mbase edhe më mirë se sa mund të pritej, sepse është ndihmuar nga një konjukturë shumë e favorshme në tregun ndërkombëtar të kromit. Është e qartë si drita e diellit që pozicioni ligjor, ekonomiko-financiar dhe moral i qeverisë dhe METE-s është në palën e humbur, së bashku me minatorët dhe qytetin minator të Bulqizës. Por, po kaq i qartë është se qëndrimi i qeverisë dhe METE-s është krah për krah me kompaninë koncesionare. Për çudinë e kujtdo, kështu ka ndodhur që në ditën e parë.

Por nuk është mjaftuar vetëm me kaq. Qeveria, në vend të kërkojë plotësimin e kontratës koncesionare, dërgon forcat speciale dhe policinë kundër minatorëve, i urdhëron këto forca të poshtërojnë fëmijët dhe gratë e një qyteti të tërë. Kështu qeveria po e rrënon Minierën e Bulqizës, po ndal frymëmarrjen e një qyteti minator. Është e dhimbshme të shohësh çfarë po bën kjo qeveri kur kërkon të mbrojë fajtorët e vërtetë, të cilët janë edhe në gjirin e saj. Përse vallë një sjellje e tillë, kur qeveria duhet të ishte orientuar nga rruga e zgjidhjes? Është fjala për zgjidhjen e vërtetë, për një zgjidhje të qëndrueshme që hap perspektivën dhe jo një zgjidhje për të kaluar radhën e për të ricikluar një humbje më të rëndë dhe ndoshta mbylljen e minierës. Situata e krijuar kërkon vlerësim serioz e të ndershëm prej qeverisë, veçanërisht prej METE-s, si OSHA.

1. Të njihet dështimi i kryerjes së investimeve prej METE-s dhe ACR-së. 2. Qeveria të bëhet palë në bisedime për zgjidhjen e problemit, duke plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve. 3. ACR-së t’i kërkohet një garanci bankare prej 10 milionë dollarësh për kryerjen e investimeve dhe 1 mln euro për modernizimin e minierës, kryesisht kushtet e punës, që do të jetë në një llogari të posaçme. Ndërkohë, të kërkohet pagesa e gjithë shumës së penaliteteve për moszbatimin e detyrimeve në kontratën koncesionare. Fitimi i ACR-së për vitet 2006-2010 të paktën është 45-50 mln dollarë, dhe këtë fitim ata thjesht e kanë transferuar jashtë pa kryer investimet e kontratës, si grabitës të pasurisë së kromit. 4. Pas kësaj mund të rinegociohet një kontratë apo amendim kontrate dhe kontrata të dërgohet në Parlament për t’u miratuar. Gjithçka duhet vënë në fuqinë e ligjit dhe nën kontrollin e ligjit. Nëse nuk veprohet kështu, ekziston rreziku që pas një apo dy vitesh koncesionari të shpallë dështimin dhe të iki pa i hyrë gjemb në këmbë, duke e varrosur Bulqizën si minierë dhe si qytet minatorësh.

Më tej vijnë përgjegjësitë morale, politike dhe ligjore që duhet të ndërmarrë Qeveria dhe institucionet e tjera kushtetuese siç mund të jenë: 1. Të dorëhiqet ministri Ruli për shkelje të ligjit, që i hapi rrugë agravimit të situatës. 2. Të dorëhiqet ministri aktual i METE-s, Nasip Naço, i cili nuk iu dha zgjidhje ligjore kërkesave të grevistëve që në nisje të grevës kur u ngujuan para METE-s dhe Kryeministrisë. Për më keq, përdori institucionet në vartësi për të bërë përgjegjës minatorët mbi gjendjen e minierës, kur duhet të bënte përgjegjëse kompaninë koncesionare.

Kjo veprimtari e tij shkoi deri në paditje në gjykatë të minatorëve, thirrjen e policisë dhe forcave speciale, të cilët kanë dhunuar minatorët, familjet e tyre, fëmijët, duke terrorizuar gjithë qytetin minator. Ka mbi një muaj që në Bulqizë është vendosur një gjendje shtetrrethimi me kërkesë të ministrit Naço!… Fillimi i një hetimi penal prej Prokurorisë apo inspektimi nga KLSH-ja. Këto veprime do të dëshmojnë realisht nëse qeveria dhe i tërë shteti ka vendosur të reflektojë seriozisht!

1 COMMENT

  1. Nese analiza e bere nga Z. Pajtim Bello eshte e drejte, problemi eshte skandaloz.
    Merrni inisiativen ju te “Fjala e lire” per te bere nje peticion qeverise, presidentit, parlamentit.
    Cdo firmetar mund ta japi aprovimin e tij nepermjet ketij siti.
    Edhe pse Neni 48 i Kushtetutes nuk e percakton formen se si mund te behet kjo ankese, (me goje, me shkrim, ne internet), duke ju referuar vendeve te tjera te Europes ne lidhje me kete te drejte, mund te behet edhe nepermjet internetit.

Comments are closed.