Nga Mero Baze, 23 Korrik 2012
Presidenti Bamir Topi është ndaluar të mbajë një fjalë përshëndetëse në ceremoninë e inaugurimit të presidentit më 24 korrik dhe përcolli sot një mesazh lamtumire përmes stacioneve televizive. Protokolli i pazakontë që i ndalon presidentit të flasë në ceremoninë e dorëzimit është akti i fundit poshtërues që kryeministri Berisha i bën presidentit në ikje për shkak të konfliktit të tij politik. Ka shumë komente për mënyrën se si duhet të reagonte zoti Topi ndaj këtij përdhunimi institucional, por ai ka bërë zgjedhjet e veta dhe nuk dua t’i komentoj.
Po ashtu është e tepërt të bësh ndonjë koment përse Berisha përpiqet ta poshtërojë Presidentin. Ajo që është e rëndësishme dhe që do të reflektojë në politikën e shtetit tonë këto pesë vite është presidenti i ri i zgjedhur, që pranon të hyjë në presidencë si një qen i rrahur, që i bindet të zotit qysh ditën e parë. Është fjala për Bujar Nishanin.
Ceremonia e inaugurimit të presidentit është një institucion i ri në Shqipëri dhe i treti i radhës. Ai u promovua për herë të parë në vitin 2002 nga presidenti Moisiu, i cili organizoi ceremoninë e parë të inaugurimit të presidentit. Në vitin 1997 Berisha e braktisi presidencën duke marrë dhe tapetet e vjetra me vete dhe ia la çelësat në oborr Rexhep Mejdanit. Pra, në një farë mënyre ai nuk duroi dot humbjen politike të ndërrimit të pushtetit dhe nuk donte ta respektonte pasardhësin.
Prej vitit 1997 është hera e parë që ai ndihet president dhe nuk dëshiron po ashtu ta respektojë atë që po ikën nga presidenca. Presidenti i ri duket se nuk ka asnjë fije personaliteti dhe krenarie njerëzore ta ndalë këtë turp. Ashtu siç e ka lënë zoti as të gjallë, as të vdekur, siç i duhet Sali Berishës presidenti në këto kohë, ai po pranon të shkojë në një ceremoni tërësisht atipike, ca për shkak të sakatllëkut të vet fizik dhe ca për shkak të sëmundjes së hakmarrjes politike të shefit të tij.
Në traditën e inaugurimit të presidentëve në gjithë botën, presidenti i ri del tek dera e jashtme e oborrit, pret presidentin e ri dhe pasi përfundon ceremonia, presidenti i ri e përcjell të vjetrin deri jashtë derës. Këto rite Bujar Nishani nuk i bën dot se i duhet karrocë paraplegjiku. Ia pranojmë shkurtimin e protokollit për këtë pjesë ceremoniale, por kurrsesi mungesën e të drejtës së fjalës për presidentin në ikje.
Në ceremoninë e inaugurimit të presidentit, shqiptarët nuk kanë dëshirë të shikojnë sa e urren Sali Berisha, Bamir Topin dhe si kërkon ta poshtërojë atë, por cila është fytyra e presidentit të ri dhe çfarë mund t’i japë ai politikës. Qysh në ditën e tij të parë në presidencë, Bujar Nishani po sillet si një sakat politik, i cili nuk ka as fuqinë e duhur ta ndalë këtë turp. Ai na ka thirrur atje për të na treguar se është ushtar i një plaku të lig, që kërkon të përdhosë gjithçka. Sali Berisha nuk kërkon të poshtërojë vetëm Bamir Topin.
Me këtë gjest ai po përpiqet të përdhosë qysh ditën e parë presidentin e ri të zgjedhur, për ta bërë atë palë në këtë akt të shëmtuar dhe për të na treguar të gjithëve se “qeni që rrihet qysh kulish”, do t’i shërbejë gjithë kohën. Ky është një gjest poshtërues mbi të gjitha për presidentin e ri, për atë që pranon të marrë pjesë në një ceremoni, qëllimi kryesor i së cilës është poshtërimi i atij që ikën dhe inkriminimi i këtij që vjen. Bujar Nishani e ka pranuar këtë fat si person i paaftë fizikisht, politikisht dhe moralisht për të qenë president dinjitoz i këtij vendi. Dhe kjo është një arsye e mjaftueshme që unë ta gris ftesën për këtë ceremoni dhe ta hedh në koshin e plehrave.
Nuk kemi nevojë të shikojmë se si Berisha ndëshkon ata që nuk i binden dhe si përdor për këtë shëmti ushtarët e rinj për të dhënë prova të mungesës së dinjitetit qysh ditën e parë në presidencë. Ajo nuk është një ceremoni për një seancë poshtërimi ndaj një presidenti që ikën në emër të një presidenti që nuk e di ende se ç’do bëjë në ato zyra pasi nuk ka agjendën dhe personalitetin e tij në këtë detyrë. Zoti Topi duket se nuk ka ndërmend ta bëjë as si Berisha më 1997, që nuk pranoi ta priste në zyrë pasardhësin, dhe as të shpërfillë protokollin e imponuar nga Berisha.
Natyra e tij viskoze dhe e duruar e gëlltit këtë gjest poshtërues të Berishës me idenë se qytetarët do të dinë të bëjnë diferencën, por presidenti i ri që pranon të hyjë në atë zyrë duke poshtëruar paraardhësin vetëm për t’i bërë qejfin Sali Berishës, është një njeri që i duhet qëndruar larg. Ajo nuk është një festë, por një luftë e shëmtuar për të poshtëruar një ish president dhe për të na treguar se “një qen i rrahur” po bëhet president.