Nga Enver Robelli, 6 Qershor 2012
Tomisllav Nikoliqi që në ditët e para të qëndrimit në fronin presidencial po tregon se metamorfoza e tij prej ultranacionalisti në politikan proevropian ka qenë e pasuksesshme. Ai mbetet një ujk me lëkurë ujku
Një ndër përparësitë e platformës së njoftimeve të shkurtra, Twitter-it të famshëm, është “detyrimi” i përdoruesve që me vetëm 160 shkronja të thonë atë që kanë ndërmend, pa humbur kohë me stoli stilistike. Për gjëra të tilla nuk ka vend në Twitter! Kështu edhe kryetari i Parlamentit Evropian, socialdemokrati gjerman Martin Schulz, shkroi shkurt dhe anglisht, e këtu po e sjellim shkurt e shqip: Deklaratat e (kryetarit të Serbisë) Tomislav Nikoliqit lidhur me Srebrenicën janë “absurde, të rrezikshme. Duhet luftuar çdo përpjekje për të mohuar të vërtetën e dhimbshme të gjenocidit”. Në postimin vijues Schulz nënvizoi: “Qëndrimet si ky paraqesin rrezik për ambiciet evropiane të Serbisë”. Deri më sot kjo mbetet deklarata e vetme e qartë dhe kritike nga zyrtarët evropianë kundër Nikoliqit, ndonëse edhe këtu bëhet fjalë për qëndrim jozyrtar nga ana e kryetarit të Parlamentit Evropian.
Si rrallë ndonjë politikani tjetër Tomislav Nikoliqi ka arritur që brenda pak ditësh pas zgjedhjes së tij në postin e kryetarit të Serbisë të dominojë titujt e gazetave dhe lajmet në mediet elektronike në gjithë Ballkanin. Sapo lexoi formulën e betimit në Parlamentin e Serbisë, ku, mes tjerash, dha fjalën se do ta mbrojë sovranitetin e Serbisë, përfshirë edhe “Kosovën e Metohinë” si pjesë përbërëse të Serbisë, Nikoliqi zgjodhi televizionin e Malit të Zi për të folur mbi zhvillimet politike, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Sa u përket krimeve masive në Srebrenicë, ai tha se në këtë qytet të Bosnjës lindore nuk ka ndodhur gjenocid. Duke e minimizuar krimin ai foli për një “ngjarje” dhe për “disa serbë”, të cilët kanë kryer krime lufte. Sipas Nikoliqit është e vështirë të dëshmohet para gjyqit se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Reagimet nga Sarajeva nuk vonuan: kryesuesi i presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviqi, i quajti deklaratat e Nikoliqit fyese dhe hap prapa në rrugën e bashkëpunimit rajonal. Izetbegoviqi përjashtoi pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri serb të hënën e ardhshme.
Një akt i pamoralshëm
Për drejtësinë ndërkombëtare nuk ka asnjë dyshim se trupat e serbëve të Bosnjës nën komandën e gjeneralit Ratko Mladiq në korrik të vitit 1995 kanë kryer gjenocid në Srebrenicë. Kështu e sheh Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në një vendim të vitit 2007, por edhe Tribunali i OKB-së për krime të luftës në ish-Jugosllavi, i cili e ka dënuar gjeneralin serb Radislav Kërstiq me 35 vjet burg për shkak të ndihmës në kryerjen e gjenocidit. Gjyqtarët e GJND-së erdhën në përfundim se Serbia nuk e ka penguar gjenocidin, edhe pse ishte në gjendje ta bënte këtë. Megjithatë, Serbia nuk u bë drejtpërdrejt përgjegjëse për gjenocid, kinse në mungesë të dëshmive. Një pjesë të dëshmive i mbante kryeprokurorja e atëhershme e Tribunalit për ish-Jugosllavi, Carla Del Ponte.
Autoritetet serbe asaj ia kishin dorëzuar protokollet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes me kusht që të përdoren vetëm në proceset gjyqësore të Tribunalit dhe assesi të mos i dorëzoheshin GJND-së. Del Ponte kishte pranuar këtë kusht dhe kështu, me gjasë, kishte bërë një ndër aktet më të pamoralshme në historinë edhe ashtu të shkurtër të drejtësisë ndërkombëtare. Jo pak ekspertë thonë se sikur GJND të dispononte protokollet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes, atëherë Serbia do të dënohej për gjenocid në Bosnjë; rrjedhimisht ky vend pastaj do të mund të kërkonte dëmshpërblim nga Beogradi agresor.
Me qëndrimin e tij se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid, Tomislav Nikoliqi provokon jo vetëm viktimat, por flet edhe në kundërshtim me Rezolutën e Parlamentit të Serbisë të miratuar në vitin 2010, përmes së cilës deputetët kërkuan falje për masakrën në Srebrenicë dhe duke iu referuar vendimit të GJND-së i dënuan krimet në qytetin boshnjak, ndonëse pa e përmendur në mënyrë eksplicite fjalën gjenocid. Si udhëheqës i opozitës Nikoliqi e ka kundërshtuar miratimin e kësaj rezolute.
Pretendimi i Nikoliqit se në krimin masiv në Srebrenicë kanë marrë pjesë vetëm “disa serbë” nga aktivistët e të drejtave të njeriut në rajon konsiderohet si manipulim i fakteve historike. Madje edhe vetë qeveria e serbëve të Bosnjës ka pranuar më 2005 se në pushtimin e Srebrenicës kanë marrë pjesë rreth 20 mijë serbë.
Nacionalist i regjur
Nikoliqi nuk i ka tensionuar raportet vetëm me boshnjakët. Edhe kryetari i Kroacisë, Ivo Josipoviqi, është distancuar nga Nikoliqi, pasi ky tha se Vukovari ka qenë qytet serb – një deklaratë që është pjesë e repertorit politik të Nikoliqit tashmë 20 vjet, prej se filloi shpërbërja e Jugosllavisë. Vukovari, një qytet barok kroat në Danub, në vitin 1991 u bë shkrumb e hi nga forcat serbe. Vrasja e mbi 250 pacientëve të spitalit lokal nga ushtarët dhe çetnikët serbë atëbotë ngjalli protesta edhe në Perëndim.
Mediet kroate edhe sot e akuzojnë Nikoliqin se si prijës çetnikësh ka qenë i përzier në krime lufte në rajon. Mes gushtit dhe dhjetorit 1991 në territoret e sulmuara nga serbët në Kroaci u dëbuan së paku 80 mijë kroatë. Kjo fushatë quhej “spastrim i terrenit”. Në opinionin kroat tani është duke u shtuar presioni kundër presidentit Josipoviq për të bojkotuar ceremoninë e inaugurimit të Nikoliqit.
Ashtu siç është pritur zgjedhja e Nikoliqit në postin e presidentit të shtetit i ka ftohur dukshëm marrëdhëniet me vendet fqinje. 60-vjeçari Nikoliq me vite të tëra ka qenë një nacionalist i regjur. Si shef i Partisë Radikale, e cila ishte themeluar nga i akuzuari për krime lufte, Vojislav Sheshel, ai me vite të tëra ka refuzuar çdo afrim me Bashkimin Evropian. Nikoliqi i ka quajtur vrasësit masivë të boshnjakëve heronj të popullit serb dhe ka organizuar protesta kundër arrestimit të Slobodan Milosheviqit dhe Radovan Karagjiqit.
Tek para katër vjetësh Nikoliqi nisi procesin e metamorfozës, duke u përpjekur të heq lëkurën e ujkut dhe ndjekur një kurs proevropian, pasi kishte kuptuar se bashkëkombësit e tij nuk i hanin më parullat radikale. Ai themeloi Partinë Përparimtare Serbe (Srpska Napredna Stranka), e cila nga zgjedhjet parlamentare të 6 majit doli si partia më e fuqishme në vend. Pas zgjedhjes vizitën e parë jashtë shtetit Nikoliqi e absolvoi në Moskë, ku u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, i cili premtoi një kredi prej 800 milionë dollarësh për financimin e projekteve infrastrukturore në Serbi dhe foli për një “vëllazëri spirituale” me Serbinë.
Të martën, më 12 qershor, Nikoliqi do të pritet në Bruksel. Tani për tani nuk dihet nëse kryetari i ri serb, i cili në vitet 90-të në një ceremoni morbide në Bosnjë nga Shesheli kishte marrë titullin vojvodë i çetnikëve, do të takohet me kryetarin e Parlamentit të BE-së, Martin Schulz. Nënkryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, slloveni Jelko Kacin, ndërkaq, është treguar tej mase zemërgjerë ndaj Nikoliqit. Pas zgjedhjes së tij Kacin tha se “satanizimi i Nikoliqit” është sjellje “joevropiane dhe kontraproduktive”.
Njeriu përsëritet, jo historia
Në fund të librit të tij të sapobotuar “Jugosllavia dhe shtetet e saj pasardhëse – 1943-2011” historiani gjerman Holm Sundhaussen shkruan: “Që nga fundi i Jugosllavisë kanë kaluar njëzet vjet. Me përjashtim të Sllovenisë asnjëra prej shteteve postjugosllave nuk ka arritur vërtet të konsolidohet. Të gjitha vuajnë nga pasojat direkte apo indirekte të luftës dhe çarjeve të saj sociale dhe psikike. Themelimi i shteteve postjugosllave ishte i njollosur me gjak ashtu si themelimi i Jugosllavisë së dytë. Edhe logjika e themelimit ishte e njëjtë.
Roli i bashkësisë ndërkombëtare para, gjatë dhe pas shpërbërjes së shtetit dhe luftërave ishte i turpshëm. Asnjëra prej këtyre shteteve vetvetiu nuk do të mund t’i përballojë sfidat e shekullit 21. Dhe asnjëra kurrë nuk do të arrijë rëndësinë që dikur e kishte Jugosllavia. Një vepër e madhe shkatërrimtare u realizua. Ndërtimi i së resë vazhdon ende. Dhe në shumë aspekte e reja do të jetë si e vjetra (vetëm me etiketa të ndryshuara). Siç u tha: nuk është ‘historia’ ajo që përsëritet. Njeriu përsëritet. Ky është mësimi më i rëndësishëm, të cilin na e prezanton historia”.
Shembull i Tomislav Nikoliqit e dëshmon këtë. Duhet shtuar se Holm Sundhaussen nuk është nostalgjik i Jugosllavisë socialiste. Ai vetëm me saktësi prej shkencëtari analizon rrethanat që sollën deri te lufta dhe vërshimet politike, që nxorën në sipërfaqe politikanë si Tomislav Nikoliqi, i cili më parë kujdesej për varrezat e Kragujevcit, ndërsa ndonjë tjetër i sojit të tij nxirrte dhëmbë në ordinancë, ngiste kamionin, merrej me sportin e karatesë dhe një ditë, befas, të gjithë këta u gjenden para kamerave dhe reflektorëve të botës, me kallashnikov në dorë.
Sa i përket Kosovës, Nikoliqi është përbetuar se nuk do ta pranojë pavarësinë e saj, madje edhe nëse kjo është kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 100 vjet pas okupimit të Kosovës nga Serbia paqja në rajon ende nuk është e sigurt. Fuqitë e mëdha, sipas Holm Sundhaussen, para Luftës së Parë Botërore ndoqën parimin e kompensimit të Serbisë, duke injoruar principet etnografike dhe linguistike të Kosovës dhe për shkaqe gjeostrategjike viset kompakte shqiptare i lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar. “Ky ishte një gabim dhe u bë ligjshmëri, ndonëse ishte padrejtësi, ashtu si shumë ndryshime kufijsh që nuk rezultuan nga zbatimi i së drejtës ekzistuese, por krijuan ligjshmëri të reja”. Ndoshta edhe Tomislav Nikoliqi një ditë nuk mund ta injorojë ligjshmërinë e re në Kosovë. Deri atëherë Kosova vetëm duhet të shpëtojë prej sundimtarëve të vet.
“Pavarësia e Kosovës është njëra anë e medaljes, ndërtimi i shtetit një anë krejt tjetër. Aktorët politikë në Prishtinë janë ende larg, shumë larg nga ndërtimi i një shteti funksional (dhe kjo vlen për aktorët ndërkombëtarë ashtu edhe për ata shqiptarë). Cinikëve madje mund t’u shkojë mendja se politikanët e Kosovës artin e qeverisjes e kuptojnë si vazhdim të ‘ilegalitetit’ me mjete të tjera. (…) Nëse nuk arrihet çlirimi nga prangat e kriminalitetit, Kosova do të bëhet ose do të vazhdojë të jetë ‘shtet i dështuar’”. Kështu shkruan historiani Holm Sundhaussen në librin e tij “Jugosllavia dhe shtetet e saj pasardhëse – 1943-2011”.