Një propozim për ndarje territoresh…

0
38

Dorian Koçi, 19.08.2011

“Kutia e Pandorës” në Ballkan nuk hapet vetëm në mitologjinë e tij. Ndodh të kërkojnë ta hapin dhe në historinë politike të rajonit. Veçse kësaj radhe nuk janë grekë ata që kërkojnë ta hapin. Kjo gjë ndodh jo se kanë hequr dorë nga “kurioziteti” i tepërt por sepse kriza ekonomike që i ka kapluar ua ka zbehur atë. Nuk janë as shqiptarët që kërkojnë ta hapin, të cilët në fakt kanë njëmijë e një arsye që ta ndërmarrin këtë veprim, por janë fqinjët e tyre serbët, që duhet më shumë se të tjerët të heshtnin për këto biseda.

E megjithatë ata nuk heshtin, s’dinë as të kërkojnë falje por hedhin dhe propozime në tryezë për ndarje territoresh në Kosovë. Sikur ky lajm të vinte nga media të vogla apo nga ndonjë zyrtar i mesëm i ministrisë së punëve të jashtme të Serbisë, ky propozim do kalonte pa u ndjerë por kur artikulohet nga presidenti serb Boris Tadic, sigurisht që duhet trajtuar seriozisht. Por a ka moral në atë se çka propozon presidenti serb? Si kanë qenë marrëdhëniet më parë midis shqiptarëve dhe fqinjëve të vet, që këta të fundit tashmë tregohen dhe kaq “zemërgjerë” sa të kërkojnë dhe ndarje territoresh.

Eduard Grey, ish-ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe, deklaroi në Dhomën e Komuneve më 1913 se: Marrëveshja ndërmjet Fuqive, lidhur me kufijtë veriore të Shqipërisë, u arrit pas një përpjekje diplomatike të gjatë dhe të vështirë. U vendos që … Peja, Prizreni, Dibra dhe pas shumë bisedimesh, Gjakova, të lihen jashtë Shqipërisë. Kjo marrëveshje lë një pjesë të madhe territori për t’u ndarë midis Serbisë dhe Malit të Zi si fryt i fitores së tyre…Unë e di farë mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje do të japë shkas në shumë pika për kritika të forta nga kushdo që e njeh vendin…

Sot gjithkush në botë e di se popullsia e Pejës, Prizrenit, Dibrës dhe Gjakovës ishin shqiptare dhe vazhdojnë të jenë shqiptare, por edhe pas ndërhyrjes në Kosovë dhe krijimit të shtetit të Kosovës, qytetarët e Pejës, Prizrenit e Gjakovës e kanë të ndaluar me Kushtetutën e shtetit të tyre që të bashkohen me një shtet të tretë (kupto Shqipërinë), kurse qytetarët e Dibrës duhet të pajisen me pasaporta, ku kombësia e tyre do shënohet maqedonas.

Arsyeja se pse shqiptarët duhet të jenë të ndarë në pesë shtete në Ballkan, disa politikanë në Bruksel e justifikojnë me faktin se duhet të ruhet stabiliteti i brishtë i Ballkanit dhe për hir të kësaj, shqiptarët duhet të pranojnë të jetojnë në 5 shtete. Por a ka në fakt në këtë arsye ndonjë gjë të re? Po të lexojmë prapë se ç’thotë Edëard Grey më 1913, marrim sërish një përgjigje të saktë. “Arritja e kësaj marrëveshjeje ishte esenciale për paqen e Evropës dhe sipas mendimit tim ajo u arrit në kohën e duhur për të ruajtur paqen midis fuqive të mëdha”.

Në fakt, jo më pak se një vit më vonë, krisma e revolverit që vrau Arqidukën Ferdinand në Sarajevë shkatërroi paqen evropiane dhe kontinenti plak u zhyt në Luftën e Parë Botërore, dhe si rrjedhojë caktimi i kufijve të Shqipërisë nuk shërbeu për asgjë, por haraçin e kësaj marrëveshjeje shqiptarët kanë një shekull që e mbajnë mbi kurriz. Po a nuk është e tepërt , në shekullin e Globalizmit dhe të integrimit të Shqipërisë në Evropë të flitet për nacionalizëm? A nuk shkon kjo gjë kundër rrymës së gjërave dhe është shqetësuese për marrëdhëniet e shqiptarëve me të tjerët? Me pak fjalë a është i rrezikshëm nacionalizmi shqiptar për fqinjët dhe rrjedhimisht dhe për paqen në Ballkan?

Mbrojtje dhe prosperiteti i kombit dhe territoreve ku banon një komb është një e drejtë legjitime e çdo kombi e sanksionuar në të gjitha traktatet ndërkombëtare .Zgjedhja e arritjes së këtij qëllimi nëpërmjet paqes dhe bisedimeve që afrojnë të gjitha konventat ndërkombëtare dhe jo nëpërmjet agresionit, ekspansionit apo shovinizmit ndaj vendeve dhe popujve të tjerë, tregon një shkallë civilizimi që shqiptarët e kishin që një shekull më parë kur Sami Frashëri shprehej tek “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”
“se qëllim i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën, kombin e tyre, t’u rrinë kundrejt intrigave të armiqve të tyre të ndalojnë të përhapurit e gjuhëve e mendimeve të grekëve dhe sllavëve të cilat po rrëmojnë themelet e po i nxjerrin rrënjët Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Ndaj në këtë sens nacionalizmi shqiptar nuk fyen askënd, nuk është i rrezikshëm për fqinjët pasi nuk i kërcënon ata me pogrome shpërngulje dhe është faktor stabilizues në Ballkan.

Në të kundërt, kërcënimet që shqiptarët hasin nga fqinjët e vet Serbia dhe Greqia vazhdojnë të reflektojnë emocionet dhe ethet e platformave nacionaliste të shekullit të kaluar , mbi bazën e të cilave u caktuan kufijtë e Ballkanit. Normalisht që nuk do të kishte asnjë gjë të keqe nëse këto platforma do përmbanin në vetvete vetëm sensin e mirë të formimit të shteteve-komb brenda kufijve të vërtetë të tyre, por kur kujton luftërat ballkanike, Luftën e Parë Botërore, spastrimet etnike dhe vrasjet në masë për të realizuar ëndrrat e tyre të zgjerimit në kurriz të kombeve të tjerë, çdo politikan në Bruksel dhe Uashington rrëqethet.

Ndaj shpesh herë ka dhe një qortim dhe thirrje për vetëpërmbajtje, drejtuar kryesisht ndaj shqiptarëve, pasi besojnë se nëse shqiptarët përfshihen nga nacionalizmi do shkatërrojnë stabilitetin e Ballkanit. As më shumë as më pak se çka thënë Grey një shekull më parë se vendimet e mbrapshta ndaj Shqipërisë u morën për të shpëtuar paqen dhe stabilitetin. Mirëpo një analist i thjeshtë i Ballkanit, kur lexon se çka shkruar Sami Frashëri në 1899 realizon se që nga ajo kohë, duket se nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. Shqiptarët sërish përballen me serbët për shkëmbime dhe ndarje territoresh në Kosovë dhe akoma nuk kanë përcaktuar kufirin detar me Greqinë n jug!

Përsëritje fatale e historisë apo koincidencë? Nëse në Londër, nuk do të ishte hapur dhe plotësuar oreksi fqinjëve tanë me territore shqiptare, sot nuk do të kishim të njëjtat probleme. Shqiptarët duhet të fillojnë të jenë të përgatitur që tavolina e bisedimeve të mos i gjejë të përgjumur dhe të nemitur, por të aftë ti dalin zot vetes për sfidat e reja që duken në horizontin e Ballkanit.