Më ka rastisur të ndjek kohët e fundit mjaft promovime librash, të cilat janë evenimente që sjellin gjithnjë kënaqësi, sepse i shërbejnë promovimit të fjalës artistike e të kulturës, sepse sjellin momente bashkëbisedimesh të këndshme midis krijuesve apo edhe të krijuesve me lexuesit e artdashësit. Dhe organizuesit e këtyre promovimeve, që duhen përgëzuar e falënderuar për punën e tyre, bëjnë gjithçka të mundur që këto aktivitete të dalin sa më bukur, sa më origjinale, sa më të ngrohta.
Por ai që ndoqëm dje në sallën e bibliotekës “Santa Lucia” në Verona, ishte disi i veçantë, pikërisht në aspektin organizativ. Dhe kjo ishte meritë e dy promotoreve të aktivitetit, poetes Valbona Jakova dhe prezantueses së talentuar Lori Duka.
Promovoheshin librat “Një pëllëmbë jetë” i Tonin Nikollit dhe “Hiri i lotit” i Skënder Lazes. Dy promotoret kishin bërë një punë përgatitore spontane e me fantazi, duke futur me finesë edhe notat e humorit. Ato e hapin takimin me një interpretim në frëngjisht të një poezie të Skënder Lazes, por ku frëngjishtja alternohej me vargje e batuta humoristike në gjuhën shqipe. Të njëjtën gjë do të bënin edhe me një poezi të Tonin Nikollit të përkthyer nga ato në gjermanisht. Madje nga Tonin Nikolli ato kishin gjetur diku një poezi nga kijimet e para, kur autori ishte ende adoleshent dhe pas vargjeve me naivitetin e moshës të autorit ato shtojnë vargje komike, duke e bërë atmosferën më të këndshme.
Poetja Valbona Jakova bëri pastaj një analizë profesionale të librit “Hiri i lotëve” të Skënder Lazajt, duke u ndalur në tiparet më të dukshme dhe më të arrira të poezisë së këtij autori. E, të alternuara me Lorin, bënë edhe recitime nga poezi të përzgjedhura të këtij libri.
-Në këtë takim unë jam edhe “zëdhënëse” e gazetares dhe poetes Zhaneta Lazri, e cila për motive pune nuk ka mundur të vijë, por ka dërguar përshtypjet e saj në formë recensioni për librin “Një pëllëmbë jetë” të Tonin Nikolli, të cilat po i lexoj, – tha më pas prezantuesja Lori Duka. Edhe nga Libri i Toninit u recituan disa poezi.
Është diçka e bukur kur shikon që për librat e dy autorëve meshkuj janë angazhuar të përgatiten e të flasin krijuese dhe lexuese femra. Madje edhe në sallë përqindja më e madhe e pjesëmarrësve janë femra. E kjo është shprehje e asaj përkujdesjeje, shkalle emancipimi, përkushtimi e edhe përgatitjeje profesionale që kanë koleget krijuese dhe lexueset gra dhe vajza.
Pjesëmarrës që kishin ardhur edhe nga Lecco, Brescia, Mantova, Balogna e Fermo folën mbi vlerat e dy librave dhe rëndësinë e bukurinë e organizimit të diskutimeve të tilla krijuese.
Në këtë takim pata kënaqësinë të njihesha edhe me piktorin e skulptorin shumë të talentuar, Miço Mone, i cili ka botuar një katalog luksos e prestigjioz që ilustron veprat e tij më të rëndësishme në gjininë e pikturës e skulpturës e që janë vërtetë të një niveli të lartë befasues e emocionues. Ai jeton e punon në Verona e ka një sasi të madhe veprash arti, me të cilat mund të hapet një ekspozitë e madhe dhe e vërtetë artistike qoftë në Itali, por edhe në Tiranë.
Të dy autorët falënderuan pjesëmarrësit për fjalët e ngrohta dhe për atmosferën e krijuar.
Dergoi per publikim: Gjin Musa