Një pirg me gënjeshtra

0
48

Mero Baze

Pas një presioni të pazakontë nga media Lulëzim Basha u përgjigj dje për një nga katër akuzat me të cilat ai po përballet për fshehje të pasurisë dhe lënien e shtetësisë shqiptare prej gruas së tij. Në një njoftim të shpërndarë nga zëdhënësja e tij, thuhet se në formularin e noterisë është bërë një lapsus dhe pasaporta e tij shqiptare është quajtur amerikane.

Sqarimi është nervoz dhe plot mllef, ndërkohë që ai po përpiqet të shpërndaj buzëqeshje ku të mund të rrugëve të Tiranës. Është nervoz dhe shumë I vonuar, pas 48 orësh, pasi janë botuar në medie dokumentet që flasin se ai është paraqitur para noterit me një pasaportë amerikane. Por mbi të gjitha është shumë fyes si sqarim. Përfytyroni një noter holandez të cilit I janë vënë përpara dy pasaporta shqiptare, të dyja besoj në atë vit ngjyrë kafe, dhe noteri njërën e quan amerikane dhe tjetrën shqiptare. Por e lëmë mënjan lajthitjen e noterit dhe të merremi me “ndershmërinë” e qytetarit tonë Lulëzim Basha.

Të gjithë e dimë sa rëndësi ka një akti i tillë noterial, pasi me këtë akt noterial Lulëzim Basha është paraqitur në Post Bank një nga bankat më serioze të Holandës dhe ka marr kredi me këtë akt noterial. Përfytyroni tani një shqiptarë që ka blerë shtëpi, ka në dorë aktin noterial të blerjes, shikon aty që pasaporta I është shënuar amerikane dhe nuk tenton ta korrigjoj dokumentin, duke bërë në të vërtet të falsifikuar gjithë procedurën . Nëse deri në atë që Basha e quan gabim noteri kemi një lapsus, në vazhdimin e praktikës nga Basha kemi një akt falsifikimi të paramenduar.

Së dyti ky “lapsus” sepse më sjell në mendje intervistën e avokatit të tij politik Sabri Godo I cili ishte këshilluar të thoshte se Aurela Isufi e flaku shtetësinë shqiptare pasi nuk blinte dot shtëpi në Holandë me pasaportë shqiptare. Sipas sqarimit të djeshëm të Lulëzim Bashës, ai dhe gruaja e tij kanë blerë të dy shtëpi në vitin 2001 me pasaportë shqiptare.!!! Duke besuar se zoti Godo ka thënë atë çfarë i ka thënë Lulëzim Basha, atëherë na rezulton se njëri nga dy blerësit mund të jetë paraqitur me pasaportë amerikane para noterit për të shpëtuar taksat dhe procedurën e një ekstrakomunitari për të blerë shtëpi në Holandë.

Nëse është e vërtetë që mund të blihet shtëpi me pasaporta shqiptare, siç po thotë shtabi i Lulëzim Bashës, spiralja e gënjeshtrës e fut zotin Basha në një humnerë të pafundme të mungesës së personalitetit të cilën duhet t’ua sqarojë shqiptarëve, pasi rikthen dyshimet e forta përse gruaja e tij flaku shtetësinë shqiptare dhe nuk denjon ta marrë akoma.

Në sqarimin e djeshëm zoti Basha siç thamë nuk i përgjigjet akuzave të tjera që kanë të bëjnë me vitin 2007, kur ai shfaqet në sistemin e policisë me tri pasaporta diplomatike të tria të vlefshme në të njëjtën kohë. As trafikantët kolumbian të drogës nuk marrin kaq shumë masa për pasaporta rezervë, sa ç’ka marrë Ministri ynë i Jashtëm në vitin 2007.

Ai po ashtu nuk po sqaron falsifikimin që ka bërë me deklarimin e shitjes së apartamentit në Holandë para kohe. Me këtë veprim zoti Basha ka pastruar historinë e 200 mijë eurove, duke deklaruar se i kanë ardhur nga shitja e apartamentit në Holandë, ndërkohë që apartamentin sipas dokumenteve e ka shitur një vit më vonë. Të gjithë e dimë se në vitin 2007 në duart e Lulëzim Bashës kaluan 1 miliard dollarë për ndërtimin e një rruge 54 kilometër, dhe siç thotë shefi i tij, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë stërkalë nga gjithë ai lumë, të ketë përfunduar dhe në xhep të tij.

Nxitimi për të deklaruar pare të fituara nga shitja e shtëpisë në vitin 2007, është një fakt i ri, i cili mund t’i shërbejë prokurores Ina Rama për ta rihapur dosjen e rrugës Rrëshen Kalimash, të djegur për procedurë. Tani e ka më të lehtë, pasi zoti Basha nuk ka as imunitet. Prokuroria e ka të gatshme dosjen që e merr të pandehur zotin Basha, dhe meqë për t’i rihapur dosjen kur digjet për procedurë duhet një fakt i ri, që lidhet me të, unë mendoj se fakt më të fortë se sa të kapësh të dyshuarin për hajdut me 200 mijë euro të padeklaruara në xhep nuk ka.

U bën shumë gënjeshtra. Lulëzim Basha duhet t’ia kishte kursyer vetes përforcimin e identitetit të tij si gënjeshtar në këtë fushatë. Mund të kishte marrë disa masa para fushatës dhe të kishte shmangur këtë situatë banale, që po i krijohet duke gënjyer për çdo gjë. Por nuk është aq e lehtë, kur duhet të gënjesh për çdo gjë. Ai ka nisur të gënjejë për çdo detaj të jetës së tij qysh në vitin 1992, kur deklaroi se ishte vëzhgues zgjedhjesh në KQZ e 2 Marsit, në moshën 17 vjeçare, që më kujton rrëfimin e Sabri Godos, që kish qenë partizan në moshën 13 vjeçare.

I është dashur të gënjejë për studimet dhe për njeriun që ia ka paguar studimet, i është dashur të gënjejë sponsorin e studimeve deri sa i shkaktoi traumë, që i përshpejtoi vdekjen në vitin 2005, i është dashur të gënjejë si është njohur me gruan dhe kur janë martuar, i është dashur të gënjejë, kur kanë blerë shtëpi dhe ku i kanë gjetur lekët, i është dashur të gënjejë ku ka punuar dhe çfarë pune ka bërë, i është dashur të gënjejë për hapjen e dosjeve për trafik organesh nga UÇK në Shqipëri, i është dashur të gënjejë përse gruaja e tij flaku pasaportën shqiptare dhe bashkë me vajzën e saj janë qytetare holandeze, (pra dy e treta e familjes së tij janë holandezë), i është dashur të gënjejë kush e përfshiu në skemën e rikthimit në Shqipëri me katapultë nga UNMIK në qeverinë Berisha, i është dashur të gënjejë për raportet me vajzën e kryeministrit, i është dashur të gënjejë për fondet e rrugës Rrëshen-Kalimash, i është dashur të gënjejë për faljen e ujërave Greqisë dhe në fund po i duhet të lajë duart nga gjaku i katër të vrarëve më 21 janar. Kaq shumë gënjeshtra askujt nuk i ka rënë në jetë t’i justifikojë.

Është një pirg I madh me genjeshtra, që për të qëndruar të stivosura e duan një hu të fort në mes qe ti mbaj te lidhura. Lulëzim Basha është boll I gjatë, për të shërbyer si I tillë, por duke mos pasur shtylle kurrizore ai nuk i mban dot të gjitha njëra mbi tjetrën. Është I dënuar të rropatet gjithë jetën mes tyre.