Nën sipërfaqen e sondazhit për Tiranën

0
26

(Botuar ne respublica.al)

Eduard Zaloshnja

Nga një sondazh telefonik për garën e Bashkisë së Tiranës, të cilin e publikova para ca ditësh, projektova probabilisht se Edi Rama do të kishte fituar në 17 prill rreth 52.6% të votave. Duke analizuar tendecat e votimit në qytetin e Tiranës nga viti 2005 e këtej, dhe bazuar në përgjigjet e të anketuarve të sondazhit, kam bindjen se, NË KUSHTE NORMALE, rezultati i Ramës në 8 maj, me gjasa të mëdha, do te jetë diku në intervalin 52%-53%. Jo më kot përdora shkronja të mëdha për frazën “në kushte normale”, sepse ajo përbën themelin e parashikimit tim. Në qoftë se ky themel shembet, ngrehina e parashikimit tim, e ndërtuar me shumë mund, do të shkërmoqej.

Por çfarë mund të ndodhë që themeli i këtij parashikimi të shembet? Së pari, mund të ndodhë diçka dramatike, që nuk ka sondazh ta parashikojë. Për shembull, mund të publikohet një video-përgjim për njërin nga dy kandidatët, më skandaloz se ai i Ilir Metës. Në këtë rast të skajshëm hipotetik, pjesëmarrja e votuesve të njërës apo tjetrës palë do të binte ndjeshëm dhe rezultati do të dilte me siguri jashtë intervalit të parashikuar 52%-53%.

Ndërkohë, mund të ndodhë diçka jo kaq dramatike deri në 8 maj, që, pa u ndjerë, mund ta ndryshojë balancën e votave. Dhe kjo diçka duket se po zhvillohet tashmë nën sipërfaqe. Sms-të që po marrin qytetarët e Tiranës nga Lulzim Basha, me urime të personalizuara për ditëlindje, anketimet me emër e me mbiemër që po bëhen në celular nga shtabi i Bashës, si dhe regjistrimi i numrit të kartës së identitetit dhe celularit të punonjësve të administratës shtetërore, po diskutohen gjerësisht nga qytetarët e thjeshtë. Dhe ky diskutim mund të ngjallë frikën tek votuesit e opozitës se, në një mënyrë ose një tjetër, vota e tyre do të identifikohet e, si rrjedhojë, ata do të kenë pasoja.

Pavarësisht se gjasat janë që, në fakt, shumica dërrmuese e votuesve të opozitës në Tiranë të mos kenë pasoja prej pjesëmarrjes në zgjedhje, vetë ekzistenca e frikës mund të bëjë që disa nga ata që në sondazhin tim deklaruan se do të merrnin pjesë në votim, të mos votojnë fare në 8 maj. Të gjithë intervistuesit më komentuan se frika për t’u shprehur ishte dramatikisht e prekshme tek shumica e votuesve të opozitës, si tek ata që mezi e deklaronin votën, edhe tek ata që nuk e deklaronin, por kuptoheshin nga pyetjet e tërthorta se ishin opozitarë.

E njëjta gjë nuk ndodhi me qytetin e Korçës. Gjatë anketimit telefonik që iu bë 2000 qytetarëve korçarë, në kuadër të një sondazhi privat që zhvillova para 2 javësh, niveli i mosdeklarimit të votës dhe i mospjesmarrjes në anketim prej frikës ishte ndjeshëm më i ulët se sa në Tiranë. Ndërkohë, intervistuesit gjykojnë se ishte shumë më lehtë të merrje përgjigje nga deklaruesit opozitarë të votës në Korçë se sa në Tiranë. Kjo shpjegohet ndoshta me faktin se trysnia e mazhorancës për të fituar në Tiranë është shumë më e lartë se sa në Korçë.

Analiza e mundësisë së shmangies së rezultatit të 8 majit nga parashikimi im do mund të vazhdonte ndoshta me faqe të tëra. Po mendoj se është më me vlerë që ta var këtu qyrkun e analistit, për të veshur atë të opinionistit. Pra, të mos merrem më me pytjen se ç’mund të ngjasë, por me pyetjen e rëndësishme se ç’duhet të ngjasë.

Të paktën që nga viti 2005, zgjedhjet në qytetin e Tiranës kanë qenë praktikisht të lira e të ndershme. Diku, një grusht votuesish të njërës apo tjetrës palë mund të jenë penguar për të votuar (si p.sh. disa votues të djathtë në Kombinat, në vitin 2007), apo mund të jenë numëruar “keq” disa vota të partive të vogla (siç pretendoi LSI-ja dhe LZHK-ja në vitet 2005 dhe 2009), por nivelin aktual të frikës mes votuesve tiranas të opozitës nuk e kam ndjerë më parë (kam zhvilluar sondazhe në qytetin e Tiranës edhe para 2009-ës). Dhe është e pafalshme që sot, 20 vjet pas rënies së diktaturës komuniste, tiranasit të kenë frikë se mos identifikohen nga qeveria si votues të opozitës.

Një frikë të tillë e kam parë vetëm te votuesit ruralë të Beratit, në mars 1991, kur kandidova për deputet të PD-së atje. Atyre u thuhej nga komunistët se në qendrat e votimit do të kishte kamera të fshehta, nëpërmjet të cilave do të identifikohej vota e secilit. E megjithatë, 33% e zgjedhësve të zonës ma dhanë votën! Ndërsa sot, në mes të Tiranës, asnjë votues nuk duhet të ketë frikë të shkojë te kutia e votimit. Sepse, po u cënua edhe liria e votës, fjala zgjedhje e humbet kuptimin – ajo pastaj duhet zëvendësuar me fjalën zgjidhje!

Që frika e votuesve opozitarë të fashitet, drejtuesit e opozitës dhe arbitrat ndërkombëtarë të zgjedhjeve duhet t’i kërkojnë me forcë qeverisë që të japë garanci publike se asnjeri nuk do të ketë pasoja nga pjesëmarrja në votim. Gjithashtu, opozita duhet t’u premtojë po me forcë votuesve të saj se do t’i mbrojë me çdo mjet nga ndonjë raprezalje e mundshme e qeverisë.

Dreqi e mori, të paktën në kryeqytet, duhet të realizohen zgjedhje të lira e të ndershme!

Eduard Zaloshnja, PhD
Research Scientist
Pacific Institute for Research and Evaluation
11720 Beltsville Dr. Suite 900
Beltsville, MD 20705
Phone: 301-755-2734
Fax: 301-755-2799