Një piramidë vrasësish të pabesë!

0
49

Nga Mero Baze, 23 Janar 2012

Sali Berisha dorëzoi Komandantin e Gardës. Nga tre të arrestuarit, ky është i vetmi që është përfshirë në krim. Dy të tjerët janë nëpunës të rangut të ulët që kanë zbatuar urdhra eprorësh, përkatësisht të Ndrea Prendit dhe Gjergj Lezhjës. Dorëzimi i Komandantit të Gardës prej Berishës, përpjekja e tij për ta negociuar dorëzimin duke kërkuar dhe imunitetet e deputetëve të opozitës, kërcënimet e tij të reja ndaj Ina Ramës, dhe përdorimi i një gjyqtari ushtar për të zbutur efektin e prangave, janë të gjitha gjeste tinëzare, me të cilat ai kërkon të duket ende i fortë para mbështetësve të tij. Ai është duke bërë përpjekjen e fundit që të shfaqet si një tigër që nuk lejon askënd t’i prekë kopenë e vet, ndërkohë që po i dorëzon të gjithë një nga një për të shpëtuar veten.

Çfarë ka ndodhur?

Ajo që bie në sy është se gjithë piramida e Berishës është një piramidë vrasësish, të pabesë ndaj vartësve të vet. Sali Berisha është treguar i pabesë me Komandantin e Gardës, të cilit me siguri i ka dhënë urdhër gojor të qëllojë vetë, dhe më në fund e dorëzoi. Njeriu i tij më besnik në Gardë, shoferi i djalit të tij, ka shkuar një ditë më pas tek shtëpi e Hekuran Dedës dhe i ka ofruar atij t’i tregojë fotografinë e vrasësit të vëllait, mjafton që ata të prisnin Berishën në shtëpi. Komandanti i Gardës ka prerë në besë shoferin e tij, dhe pasi ka vrarë, ka ndërruar tytën e pistoletës me atë të tij.

Gjergj Lezha ka prerë në besë shefin e IT, të cilin pasi e ka urdhëruar për një punë rutinë siç është fshirja e filmimeve, e ka prerë në besë duke e dorëzuar atë në prokurori. Kjo piramidë njerëzish të pabesë, që synojnë të gjithë t’ia lënë krimin në derë njëri- tjetrit, e ka të pamundur të mbijetojë. Tani që një hallkë e kësaj piramide u këput dhe dy vrasësit direkt, Ndre Prendi dhe Agim Llupo janë nën arrest, do të jetë e vështirë që piramida të mbijetojë.

Përpjekja e dëshpëruar e Berishës për të bërë si i fortë me Kryeprokuroren, dhe duke keqpërdorur deri në fund çdo ushtar që i ka ngelur nëpër gjykata, në të vërtetë nuk qetëson më askënd. Gjergj Lezhja nuk mund të qetësohet dot nga kjo histori, pasi specialisti i arrestuar i IT është një djalë i zakonshëm, thjesht teknik që ka zbatuar urdhrin e tij për të riformatuar serverin. Ai nuk ka vetëdije politike për të fshehur ndonjë krim, pasi nuk ka bërë asnjë krim.

Ai thjesht do të dëshmojë para gjykatës se si në mesnatën e 21 janarit, rreth orës 1 e 20, Gjergj Lezhja e ka çuar nga gjumi dhe e ka urdhëruar të fshijë serverin. Pastaj do thirret Gjergji dhe do shkojë tek qelia pranë Ndreas. Do t’i duhet dhe atij të shpjegohet pse e formatoi serverin ku ishin regjistruar gjithë filmimet, dhe për të cilin kryeministri ka thënë dy ditë më pas, në datën 23 janar, se ishin të gjitha në gjendje të rregullt. Dhe ai do dëshmojë përsëri se urdhri erdhi nga Berisha.

Akoma më banal është arrestimi i Margarit Kumes, shoferit të Komandantit të Gardës. Ai është një viktimë e punëdhënësit të tij, pabesia e të cilit ka shkuar deri tek ndërrimi i tytës së pistoletës që ka vrarë, me atë të tij. Ndalimi i tij është po ashtu pa vlerë. Ai nuk ka marrë urdhër nga askush për të vrarë, dhe nuk ka vrarë, pasi Komandanti i tij e ka zbatuar vetë urdhrin e marrë nga eprorët.

Kur ambasadori Arvizu foli për të gjetur se kush ka urdhëruar për të vrarë, vështirësia e parë që krijohej ishte se mendoje që ushtari, fjala vjen Agim Llupo, kishte marrë urdhër nga shefi i tij, ky tjetri nga Komandanti, ai nga Ndrea Prendi, Ndrea nga Lulëzim Basha dhe ky i fundit nga Berisha… Kjo e rriste shumë pasigurinë për të shkuar tek urdhërdhënësi kryesor. Por vërtetimi se Ndrea Prendi ka qëlluar vetë na çon në një pistë të re. Urdhërdhënësit janë vetëm 2, Lulëzim Basha, që është shefi i tij, ose direkt Sali Berisha, që është shef i të dyve. Në përpjekje për të mbajtur urdhrin sekret dhe për të mos e përhapur atë në gjithë njësinë e Gardës, Komandanti i saj ka shkurtuar urdhrin për vrasje, duke e mbyllur qarkun mes tij, Lulëzim Bashës dhe Sali Berishës.

Tani është më e lehtë për të shkuar tek urdhëruesi i vrasjeve. Ata janë dy: Lulëzim Basha dhe Sali Berisha. I pari është fshehur, duke vjedhur një mandat po me gjykatë, në një zyrë në Bashki, i dyti po bën si tigër prej letre në Kryeministri. Tani mund ta themi me plot gojën se Lulëzim Basha dhe Sali Berisha kanë vrarë dhe po përpiqen të mbrohen politikisht si vrasës. Është mirë ta përdorin pushtetin e tyre për të qenë të drejtë me ata që kanë vrarë. T’i dorëzohen drejtësisë dhe të rrëfejnë 21 janarin. Qoftë dhe për faktin e njohur se fundi i pushteteve që kanë vrarë, i ngjan mënyrës si kanë qeverisur.