Një përqafim për demokracinë (FOTO)

0
88

TemA, 2 Dhjetor 2011

Dy nga gratë më të famshme në politikën botërore u angazhuan për të sjellë demokracinë në Burma.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dhe liderja e opozitës në Burma, Aung San Suu Kyi, premtuan që të punojnë së bashku për të reformuar vendin e izoluar dhe represiv.

Pasi ato të dyja u takuan dy herë brenda dy ditësh, Suu Kyi tha: “Nëse do lëvizim bashkë përpara, jam e bindur se nuk do ketë kthim pas në rrugën drejt demokracisë”.

Por ajo shtoi: “Ne nuk jemi akoma në atë rrugë”.

Duke thënë se sa shumë e vlerësonte ajo angazhimin amerikan, zonja Suu Kyi bëri thirrje për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe dhënien fund të luftimeve ndëretnike.

Kurse Clinton i tha asaj: “Ju keni qenë një frymëzim dhe unë e di që ti po reziston për një vend që meriton të njëjtat liri e të drejta si çdo vend tjetër”.

Suu Kyi, laureate për çmimin Nobel për Paqen, mirëpriti vizitën e zonjës Clinton dhe paraprakisht përshëndeti reformat e ndërmarra nga qeveria e re e Burmas.

Vizita e zonjës Clinton është e para e një zyrtari të lartë amerikan në Burma prej 50 vitesh.

Clinton tha se lidhjet mes Burmas dhe Perëndimit do forcohen në rast se qeveria liron të burgosurit politikë, i jep fund fushatës brutale kundër minoriteteve dhe respekton ligjin e përmirëson kushtet e të drejtave të njeriut.