Letër sqaruese për zotin Viktor Boshtinaru
I nderuar zoti Viktor Boshtinaru. Pamë replikat e Jozefina Topallit me ju. Nuk duam të gjykojmë as fjalorin e varfër dhe as urrejtjen e pasur që mbushte fjalitë e zonjës Topalli, të cilat të krijonin idenë e pështirë të një diareje politike. Ajo që duket shqetësuese në gjithë gjestin e saj, dhe që lexohet qartë si direktivë e Sali Berishës nga Tirana, është një përpjekje donkishoteske e Tiranës zyrtare për të ndarë Brukselin dhe për t’i detyruar ata të pozicionohen pro dhe kundër Shqipërisë politikisht.
Kjo në të vërtetë është një nga traditat më të vjetra të liderëve autoritaristë të Ballkanit. Duke vendosur veten në qendër të botës, në rastin konkret në qendër të Evropës, dhe duke shfrytëzuar mungesën reale të vëmendjes që ka për një vend të vogël problematik si Shqipëria, liderët autoritarist ballkanik gjithmonë kanë pasur si armë të tyre përçarjen e Perëndimit në qëndrimet ndaj tyre.
I fundmit i kësaj race që për pak ia doli mban me këtë strategji ka qenë Sllobodan Milosheviç, i cili shpresoi deri ditën e fundit se Perëndimi nuk kishte arsye të ishte aq shumë i bashkuar kundër tij. Të njëjtën gjë shpresoi dhe Berisha në vitin 1997 kur tentoi të ndante qëndrimin amerikan kundër tij me mungesën e vëmendjes së Evropës ndaj tij. Të njëjtën gjë ka bërë Tugjmani, dhe në një farë mase dhe Izetbegoviçi, ish- bashkëkohës së Berishës së parë që tashmë janë harruar. Këtë po bën Berisha përsëri.
Njësoj siç e provon politikisht brenda vendit, ku armiqtë më të mëdhenj të tij shpall ata që nuk pranojnë të marrin pozicion të qartë pro ose kundër tij, njësoj po sillet dhe me eurodeputetët e Brukselit. Pra, këtu nuk bëhet fjalë për zonjën Topalli dhe edukatën e saj, por për Sali Berishën dhe mentalitetin e tij anti-perëndimor. Në këtë rast lehtësia qëndron që ka gjetur një grua që s’ka turp dhe thotë gjithë çfarë i dikton ai.
Por Shqipëria skuqet para këtij gjesti dhe është në shumicë e bashkuar kundër asaj që ka ndodhur me ju. Merreni të gjithë këtë si një taksë që Evropa duhet ta paguajë për shkak të neglizhencës së saj ndaj asaj që ndodh në këtë vend. Një herë u ndeshët me Berishën dhe po provoni një tronditje të rëndë shpirtërore. Mendoni pak për ne që e kemi 20 vjet mbi kokë dhe përditë para syve në ekranet e blera të Shqipërisë. Tani besoj na kuptoni më mirë.