NJË PËRGJIGJE NORMALE ZOTIT GJATA

0
37

Andrea Stefani

Vlerësoj në pikëpamje të etikës replikën korrekte të zotit Çlirim Gjata lidhur me shkrimin tim “Pse zgjedhjet mbeten e vetmja zgjidhje reale”, ndonëse nuk pajtohem me argumentimet dhe konkluzionet e tij. Dhe pikërisht kundërshtimi i atyre konkluzioneve është një tjetër rast për të paraqitur në mënyrë më të detajuar pikëpamjen që unë mbroj. Që në krye të herës, z. Gjata del me tezën kategorike se “Parlamenti nuk mund të bëjë hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, në këtë mënyrë si kërkohet, pra me hapje të kutive dhe me numërim të votave, në emër të transparencës”.

Duke thënë këtë, z. Gjata del kundër të gjithëve. Edhe kundër opozitës që kërkon hetim të plotë, edhe kundër pozitës që kërkon hetim vetëm me hapjen e kutive me materiale zgjedhore ose të votimit, edhe kundër Parlamentit Europian (PE) që, në rezolutën e vet, jo vetëm ka pranuar nevojën e një hetimi të zgjedhjeve me objekt “materialin zgjedhor”, por edhe ka kërkuar që kjo të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që përfundimet e hetimit t’i shërbejnë reformës zgjedhore.

Por mos është sakrilegj të dalësh kundër të gjithëve? Aspak! Madje, në disa raste, ajo është kurajë e nxitur nga virtyti. Por për këtë duhen argumente të forta dhe pasja e së vërtetës me vete. Ndërkaq, kam përshtypjen se edhe kur “kundërshton” qeverinë, zoti Gjata e bën që ta mbrojë edhe më mirë atë.

* * *

Po cilat janë argumentet që Gjata ofron për pozicionin in extremis që ka marrë? Ja si shprehet ai: “Parlamenti nuk mund ta bëjë në këtë mënyrë hetimin, sepse nuk e ka në juridiksionin e punës së tij këtë mundësi… sepse hapja e kutive dhe numërimi i votave i takon një institucioni tjetër, të pavarur nga Parlamenti, që është KQZ-ja. Pra ai mund të ngrejë komisione hetimore, por nuk mund të kryejë veprime që u takojnë pushteteve të tjera”.

Pra Gjata nuk vë në diskutim të drejtën e ngritjes nga Parlamenti të komisionit hetimor, por vetëm “mënyrën e hetimit”. A dëshiron të thotë që Parlamenti nuk mund të kryejë veprime që u takojnë pushteteve të tjera për shembull, të hapë kutitë e votave dhe t’i numërojë ato. E lëmë mënjanë, si një stërhollim, çështjen nëse KQZ është apo jo pushtet. Por na duket se Gjata qëllimisht ngatërron atributet me veprimet. Parlamenti ka atribut edhe hetimin dhe për realizimin e tij, ai kryen një sërë veprimesh që mund të jenë të ngjashme ose edhe të njëjta me ato të një institucioni tjetër si të KQZ apo prokurorisë.

Madje dimë se, në bazë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, komisionet hetimore parlamentare kanë atribute thuajse gjyqësore dhe zbatojnë dispozita të Kodit të Procedurës Penale. Gjë që do të thotë se dokumentacioni që kërkohet prej komisioneve parlamentare, pra edhe ai i materialeve në kutitë e votimit, nuk mund të refuzohet. Çështja është se në funksion të çfarë qëllimi kushtetues i bën secili institucion këto veprime. Këtu qëndron dallimi mes institucioneve të ndryshme. Nëse KQZ hap kutitë për rinumërim në funksion të nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve, Parlamenti i hap në funksion të hetimit sesi është zbatuar ligji (Kodi Zgjedhor) gjatë procesit të votimit, numërimit apo rinumërimit.

Dhe kjo është në përputhje me atë që ka shprehur Gjykata Kushtetuese, se Kuvendit “i përkasin funksionet kryesore të orientimit politik, të miratimit të ligjeve dhe të mbikëqyrjes së zbatimit të tyre”. Rinumërimi në KQZ mund ta ndryshojë rezultatin, ndërsa shqyrtimi i fletëve të votimit nga një komision parlamentar jo. Këto janë veçori që imponohen nga ndarja e pushteteve. Por të thuash se një komision hetimor parlamentar nuk mund të kryejë veprime që kryen KQZ-ja është njësoj si të thuash se një jurist nuk duhet të ushqehet meqenëse ky është një veprim që e kryen edhe një, të themi, këpucar.

* * *

Ndaj Parlamentit nuk mund t’i vihen kufizime në të drejtën kushtetuese të hetimit, qoftë edhe të një palë zgjedhjesh, me pretekstin se shkelet ndarja e pushteteve dhe kalojmë në një tirani parlamentare, sikundër pretendon z. Gjata. Në fakt, është krejt e kundërta. Kriza që po zgjat pa fund është produkt i tiranisë parlamentare dhe i kapjes po tiranike të drejtësisë. Tirania parlamentare nuk është në Shqipëri një rrezik potencial, por një realitet. Po kështu edhe shteti gjithnjë e më autoritarist që themelohet mbi kapjen nga shumica dhe qeveria të pushteteve të tjera e mbi të gjitha, të drejtësisë.

Kjo është kryerrënja e krizës së sotme që nuk gjen shërim, si dhe vështirësia e zgjidhjes së saj. Është një situatë kur edhe pse akuzohet (duke pasur edhe një mostër alarmante si Ruzhdia), se ka vjedhur vota me lloj-lloj mënyrash, shumica gjen justifikimin për t’i shpëtuar transparencës, duke nxjerrë si pengesë ndarjen e pushteteve, vendimin e Kolegjit Zgjedhor, Kushtetutën. Pse? Sepse pushteti ia arriti që me anë të shumicës në KQZ dhe kapjes së Kolegjit Zgjedhor, të posedojë, në rrugë gjyqësore, një interpretim të padrejtë të Kodit Zgjedhor dhe një vendim që i mohoi opozitës të drejtën e hapjes së kutive në disa zona zgjedhore.

Kapja e Kolegjit Zgjedhor, pra dhunimi i parimit të ndarjes së pushteteve, çoi në një padrejtësi dhe tani është po “shenjtërimi” i ndarjes së pushteteve, që përdoret për të mbrojtur këtë padrejtësi nga transparenca! Kjo është dhe vështirësia e kuptimit dhe e zgjidhjes së problemit. Sepse Gjykata, në sajë të këtyre raporteve të deformuara dhe skllavëruese politikë-gjykatë, ka dalë kundër së drejtës. Nëpërmjet vendimit të Kolegjit Zgjedhor, e padrejta është shpallur e drejtë. Prandaj merr edhe vlerë thënia liatine sumum jus – sumum injuria që z. Gjata e citon me aq qejf. Por a nuk ka qenë drejtësia si padrejtësi apo padrejtësia si drejtësi, thelbi i gjithë tiranive dhe diktaturave?

Dhe pikërisht një alkimi të tillë juridike shumica dhe pushteti po mundohen ta arrijnë, dhe jo fare pa sukses, edhe me anë të juristëve si z. Gjata. Mos vallë është krim të jesh avokat i qeverisë? Nuk është krim të jesh avokat edhe i një keqbërësi. Por është partizanllëk për një jurist që të bëjë avokatin e qeverisë nëse nuk paguhet si avokat i saj. Si avokat ai ka të drejtë ta mbrojë qeverinë edhe kur ajo është në të padrejtë. Si jurist, jo. Kjo ka qenë kritika ime për Gjatën dhe jo vetëm për të, kritikë që do të pushonte kur ai të firmoste një kontratë, të majme ose jo, si avokat i qeverisë.

Por është një temë më vete kjo mbi kryeplagën e shtetit tonë, deri më sot aspak ligjor, mbi mungesën e një klase juristësh që duhet të ishte barriera kryesore e epsheve të paligjshme të pushteteve politike të të gjitha krahëve dhe jo shërbyese apo avokate e tyre. Pra në sajë të kapjes së drejtësisë, në sajë të vendimeve të padrejta të Kolegjit Zgjedhor, në sajë të faktit që këto vendime konsiderohen si të paapelueshme, pushteti mbrohet dhe kundërshton transparencën.

Por edhe në këtë rast, tejkalon avantazhin që i ka krijuar vendimi i Kolegjit Zgjedhor dhe mbron edhe më shumë sesa i takon në këtë situatë. Kundërshton transparencën edhe kur kërkohet hapja e kutive të votimit në zona që nuk janë përfshirë në vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Dhe kjo është tirani parlamentare e shumicës parlamentare. Është një tirani që pengon transparencën në kundërshtim me të drejtën.

* * *

A kam prova se Kolegji Zgjedhor është kapur nga pushteti? E lëmë mënjanë, si koment subjektiv, vendimin e Kolegjit si dhunim të së drejtës ligjore të opozitës. Por ka një fakt që e pranojnë të gjithë. Edhe ndërkombëtarët. Në Shqipëri drejtësia nuk është e pavarur dhe është nën presione të forta politike. I zhveshim këto deklarime nga dorezat e diplomacisë ndërkombëtare dhe pyesim: E kush mund të ushtrojë presione politike më të forta mbi drejtësinë përveçse qeverisë? Prandaj, para se të flasin për mbrojtje të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve, duhet më parë t’i kemi ato.

Ndryshe bëjmë të kundërtën. Mbrojmë kapjen e pushteteve dhe të drejtësisë, në emër të gjoja “respektimit” të ndarjes së tyre. Por të ndalemi pak edhe tek “argumenti” i z. Gjata, se Parlamenti nuk mund të hapë kutitë ngaqë një gjë e tillë do përbënte konflikt interesi. “Nuk mund të hetojë ky Parlament zgjedhjet nga ka dalë vetë. Një deputet, anëtar i komisionit hetimor, gjatë hapjes së kutive të votimit mund të konstatojë se mandati i tij nuk është i rregullt, p.sh. nuk i ka pasur votat e duhura, ose vëren manipulime. Kush na garanton në ndershmërinë e deklarimit të këtij deputeti? – pyet Gjata.

Po të arsyetohej kështu, nuk duheshin lejuar as komisionet parlamentare të verifikimit të mandateve. E megjithatë, kush na garanton ndershmërinë e deklarimit të një deputeti? Përgjigjja është fare e thjeshtë: Deputeti tjetër, ai partisë kundërshtare që është po ashtu anëtar i komisionit hetimor. Lavdi zotit, Parlamenti është ende pluralist dhe deputetët nuk i përkasin vetëm një partie.

Atë që përpiqet ta fshehë njëri e denoncon tjetri. Dhe pasi konstaton se ka pasur mandate të pamerituara, të fituara me “vota jo të duhura”, me “manipulime”, komisioni hetimor, megjithatë, nuk ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve (kjo do qe cenim i ndarjes së pushteteve), por ja dërgon gjithë zbulimet e tij të dokumentuara prokurorisë.

Natyrisht që nuk mund të shmanget dot kostoja politike, për sa i takon legjitimitetit, e daljes në publik të lajmit se disa deputetë të shumicës kanë marrë mandate të pamerituara. Dhe ndërsa Prokuroria heton për të ndëshkuar fajtorët që kanë mundësuar me anë të shkeljes së ligjit fitimin nga disa deputetë të mandateve të pamerituara, zbulimet e hetimit parlamentar përdoren për të reformuar Kodin Zgjedhor, në mënyrë që ato deformime dhe manipulime të mos përsëriten në zgjedhjet e ardhshme. Kjo është rruga e drejtë që respekton edhe parimin e ndarjes së pushteteve, dhe nuk ndalet para konfliktit të interesit.

Pra, sikundër thotë edhe z. Gjata, mund të ketë deputetë që nuk janë të interesuar të dalë e vërteta mbi mandatin e tyre të pamerituar. Ky është konflikti i interesit që shkon përkundër transparencës dhe që duhet mposhtur me komision hetimor parlamentar pluralist. Prandaj, përkundër asaj që thotë Gjata, konflikti i interesit i disa deputetëve nuk është pengesë por domosdoshmëri për ngritjen e komisionit parlamentar. Edhe pengimi sot i transparencës, sepse nuk i intereson shumicës, është rrjedhojë e një konflikti të tillë interesi.

* * *

Ne pretendojmë se jemi një shtet ligjor dhe jo autoritar – thotë Gjata. Sipas mendimit tim është e kundërta, ne jemi një shtet autoritar që pretendojmë se jemi një shtet ligjor. Problemi që e mundon Shqipërinë dhe shqiptarët prej vitesh, është mungesa e shtetit ligjor, fakti që ky i fundit është një farsë, ndërsa autoritarizmi, skllavërimi i drejtësisë, juristëve, mediave, OJQ-ve nga pushtetet, një realitet gjithnjë e më kërcënues.

Edhe barsoleta me sens sportiv që Gjata tregon mbi zgjedhjet, të cilat i fitoka gjithmonë Berisha, shpjegohet me këtë realitet mashtrues, ku ka gjithnjë e më pak vend për drejtësi, pra edhe për liri në përgjithësi, dhe votë të lirë në veçanti. Por ka një barsoletë tjetër, që e shpjegon edhe më mirë, sepse Kryeministri Berisha “fiton” ndonëse shoqëria po polarizohet në gjithnjë e më pak votues të pasur dhe gjithnjë e më shumë votues të varfër.

Është një anekdotë që u shfaq, në tregun e humorit, pas zgjedhjeve famëkeqe të 26 majit 1996. Berisha është duke udhëtuar në avion me disa presidentë shtetesh të tjerë, rusin, kinezin, amerikanin. Por duhej që të hidheshin me parashutë. Me përjashtim të njërit. Nisën të diskutojnë se kush do të qe fatlumi që do përjashtohej nga sprova e frikshme. Amerikani tha që të përjashtohet Presidenti i shtetit më të pasur. Rusi tha për Presidentin e shtetit me territor më të madh. Kinezi e lidhi me madhësinë e popullsisë.

Por ngrihet “demokrati” Berisha dhe thotë: Le ta hedhim më mirë në votë. E kush mund ta kundërshtonte një zgjidhje të tillë kaq demokratike! Presidentët nuk e dinin, por Berisha e dinte se sido që të votohej, do fitonte. E dinte se edhe po të ankoheshin Presidentët e fuqishëm në KQZ apo në Kolegj Zgjedhor për manipulime, këto institucione do bllokonin transparencën për hatër të “ndarjes së pushteteve” dhe “Kushtetutës”. Welcome to Albania!