Andrea Stefani
Akuzat reciproke për pasurim korruptiv dhe fshehje pronash mes Dritan Priftit dhe Ilir Metës i kanë dhënë një përmasë të re shqetësimit publik në rritje mbi korruptimin total të qeverisjes në Shqipëri. Deri pak kohë më parë, akuzat për korrupsion përfshinin vetëm ministra të PD-së dhe ishin ngritur nga opozita socialiste. Por tashmë në këtë vorbull është përfshirë vetë LSI-ja. Akuzat ngrihen nga nënkryetari dhe ish-ministri më i rëndësishëm i saj në qeverinë “Berisha”. Dhe për jo pak gjë, por për përfshirje të policisë në kontrabandë nafte, si dhe për pasurim të paligjshëm të zëvendëskryeministrit Meta e fshehje prej tij të pasurive të shumta.
Akuzat e Priftit, i cili është vetë nën akuzë për mënyrën si e ka siguruar një paketë aksionesh prej 1.8 milionë eurosh, nuk lënë pa prekur edhe Kryeministrin Berisha. Sepse Prifti ka deklaruar publikisht që e ka informuar Kryeministrin Berisha për faktet lidhur me kontrabandën, por deri më sot askush nuk e ka parë qeverinë apo Berishën të reagojë. Një pohim që e vë në pozitë mjaft të vështirë Kryeministrin, i cili u ringjit 6 vjet në pushtet me premtimin e qeverisjes “me duar të pastra”.
* * *
Nuk ka pasur në 20 vjet tranzicion kabinet që të jetë mbështjellë nga akuza kaq të shumta për korrupsion sa ky i fundit i Berishës. Aktualisht thuajse nuk ka mbetur ministër i papërfolur për ndonjë aferë. Basha dhe Olldashi për rrugën Durrës-Kukës, Mediu për Gërdecin, Ruli për koncesionet e HEC-eve apo privatizimet te “Shqipëria Sot”, Bregu për konflikt interesi, Bode për kasat fiskale. Edhe të tjerë në qeveri, si për shembull Pollo, janë përfolur dikur për pasurim të paligjshëm, madje nga vetë Berisha. Shihet se 6 vjet pas riardhjes në pushtet të Berishës me thirrje për antikorrupsion dhe qeverisje “me duar të pastra”, zullumi i korrupsionit është trashur shumë dhe se ajo që, dikur në opozitë, Berisha e akuzonte si babëzi qeveritare, është shndërruar në megababëzi duke tejkaluar korrupsionin e dikurshëm të qeverive socialiste të Fatos Nanos, Ilir Metës apo edhe Pandeli Majkos.
Pa fjalë, jo pak votues të PD-së (përjashto fanatikët besnikë dhe të verbër) janë të zhgënjyer nga këto që po dëgjojnë, sepse kanë pasur të tjera pritshmëri. E megjithatë si shpjegohet që antikorrupsioni blu u shndërrua në një korrupsion edhe më të pangopur sesa ai rozë? E gjitha lidhet me shkatërrimin e sistemit ligjor dhe kryeshkak për një kob të tillë është autoritarizmi berishist, pushteti gjithnjë e më absolut dhe i korruptuar i Kryeministrit Berisha.
* * *
Nëse ka sot në Shqipëri ndonjë dukuri për të cilën bien dakord të gjithë, ajo është pasurimi i shpejtë dhe i dyshimtë i qeveritarëve të të gjitha ngjyrave. Dhe ndërsa “mbretërit” e korrupsionit bredhin lakuriq para tyre, shqiptarët heshtin si në përrallën e Andersenit. E megjithatë, si shpjegohet që megjithëse akuzat për korrupsion të qeveritarëve kanë ardhur në rritje, deri më sot nuk ka asnjë ministër të dorëhequr për korrupsion? Themi dorëhequr, sepse të shpresosh dënimin e ndonjë ministri të korruptuar nga drejtësia, mbetet një luks në Shqipëri.
Madje është sakrilegj ta thuash. Paradoksi lidhet me pozicionin prej avokati që vetë Kryeministri Berisha ka marrë ndaj ministrave të tij të akuzuar për korrupsion. Avokatia e Berishës ndaj korrupsionit është shumë evidente. Jo vetëm ndaj korrupsionit të sotëm, por edhe ndaj atij të djeshëm të “mamuthëve” të kuq. Me të riardhur në pushtet, Berisha jo vetëm që nuk kontribuoi të luftohej korrupsioni, por bëri paqe me të. Paqja politike me ish-armikun Fatos Nano është në fakt paqja mes korrupsionit rozë dhe korrupsionit blu.
Nga “padrino” i mafies dhe trafiqeve të drogës sikundër e akuzonte, Nano u shpall nga i njëjti Berishë lider historik i opozitës. Pse? Sepse Berisha nuk kish ndërmend ta luftonte, sikundër betohej dhe betohet, korrupsionin e vjetër, por të zhvillonte korrupsionin e ri. Dhe pas tre vjet akumulimi të fshehtë, korrupsioni blu shpërtheu përgjakshëm në Gërdec. Edhe në rrugën Durrës-Kukës. Kryeministri Berisha u vu në mbrojtje totale të këtij korrupsioni, duke ushtruar presione mbi prokurorinë dhe duke arritur të bllokojë apo zvarrisë gjykimin e këtyre superskandaleve me anë procedurash “të ligjshme”. Nuk mund të vepronte ndryshe, sepse sikundër dolën edhe indicie në publik, ai dhe të afërm të tij ishin përlyer edhe vetë në këto afera.
Që nga ajo kohë, Kryeministri është rob i korrupsionit. Ndaj ka luajtur rolin e avokatit për çdo akuzë që u bëhet ministrave të tij. Qëndrim krejtësisht në kundërshtim me atë që po shohim të ndodhë në vende europiane me shtet ligjor. Më 8 shtator “Le Monde” ribotonte një editorial të gazetës britanike “The Guardian”, ku ndër të tjera shkruhej: “Natyrisht burrat dhe gratë që merren me politikë në Angli nuk janë të bardhë si dëbora; skandalet financiare të vitit të kaluar e dëshmojnë mirë këtë. Por sapo ata përfliten për një skandal, bonsensi i përgjithshëm u dikton atyre që ta njohin fajin dhe të largohen.
Dhe në qoftë se ata nuk ikin me vullnetin e tyre, është partia në të cilën bëjnë pjesë që ua kërkon, ose thënë më mirë politika e krahut të tyre. Disa shembuj të freskët: David Laws, i respektuar me unanimitet si ministri i ri i Thesarit i gjithë koalicionit, dha dorëheqjen majin e shkuar. Krimi i tij? Kishte deklaruar se kishte marrë me qira një banesë te një person që ishte as më shumë e as më pak por partneri i tij intim. Pak më parë, rreth gjashtë ministra (mes tyre Peter Hain, David Blunkett e Peter Mandelson) kishin dhënë dorëheqjen për shkak të financimeve të dyshimta elektorale, konflikt interesi real ose të mundshëm, hua të marra por të padeklaruara…
Ndërsa ‘Palmën e artë’ e merr një ministër finlandez, i cili (nuk është për të qeshur) dha dorëheqjen thjesht pse kishte paguar me kartën blu të funksionarit publik një pako me pelena dhe një pako me çokollata për djalin e tij”. Vetëm pak ditë më parë, për shkak të presionit të madh publik Kryeministri Sarkozi, në përpjekje për të shpëtuar kredibilitetin në rënie të qeverisë së tij, detyroi të dorëhiqen edhe dy ministra të tjerë, të akuzuar për shpenzime abuzive. Dhe për çfarë bëhej fjalë? Në njërin rast shpenzimi nga zyra e ministrit e 12 mijë eurove për të blerë puro Havane, gjë që në publik u pa si abuzim në këto kohë krize.
Po në Shqipërinë, ku e ku më të varfër se Franca, ç’ndodh? Këtu mund të bësh supershpenzime me paratë e taksapaguesve dhe nuk të hyn gjemb në këmbë. Mund të shpenzosh rreth 500 milionë euro mbi koston e deklaruar të një autostrade dhe nuk të nget askush. Mund të restaurosh edhe sallën e Kuvendit, edhe pse ka një projekt për ndërtimin e një Parlamenti të ri, dhe askush nuk ta tërheq veshin për këtë shpenzim të kotë. Pse?
Të mbron Kryeministri, që jo vetëm nuk kërkon largimin e ministrave për abuzime që tejkalojnë blerjen e ca pelenave me kartën blu, por bëhet vetë pelenë për jashtëqitjet korruptive të kabinetit të tij. Por duhma është ajo që nuk e shmang dot. Taktika që po ndjek është të shpallë të gjithë akuzat për korrupsion si veprimtari armiqësore e opozitës. Në vend që të marrë masa kundër ministrave të korruptuar, Berisha kundërpërgjigjet me akuza për kreun e opozitës, Edi Rama. Po ç’kuptim ka kjo “detantë” korrupsionesh, edhe sikur akuzat që i bëhen Ramës për 20 përqindësha të ishin të vërteta? Mos vallë korrupsioni në një bashki mund të lajë atë apo justifikojë atë në qeveri?
Ky pozicionim në mbrojtje të korrupsionit dhe konflikti të interesit të ministrave të tij është edhe një nga shkaqet pse korrupsioni ka marrë përmasa të tilla sa tani janë vetë pjesëtarë të qeverisjes, si Prifti dhe Meta, që akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion. Berisha mashtron lart e poshtë nëpër botë për luftën “me tolerancë zero” kundër korrupsionit, por deri më sot asnjë ministri të tij nuk i ka rënë fija e flokut. Dhe ndërsa korrupsioni në Shqipëri mbetet (sipas shumë vëzhgimeve dhe indikatorëve) në nivele alarmante, pyetja që shtrohet është: Kush gjeneron korrupsion, qeveritarët që pasurohen, apo qytetarët që po varfërohen?
Po, ka vetëm një ministër që ka lënë detyrën. Dhe ky është Ylli Pango. Por edhe ky për një skandal seksi të denoncuar nga një investigim profesional i “Fiks Fare”, të cilin fanatikë të qeverisë u përpoqën ta anatemojnë si të paligjshëm. Madje edhe sot e kësaj dite mbi “Fiks Fare” qëndron pezull kërcënimi i një gjobe të rëndë. Por ç’mund t’u themi këtyre besnikëve qorra edhe të një qeverisjeje imorale për rastin e ministrit të Jashtëm të Finlandës, që dha dorëheqjen (aspak sepse kish tërhequr në apartamentin e tij privat, duke i ofruar një vend pune, një vajzë, të cilën u përpoq ta zhveshë), vetëm sepse media zbuloi se i kish dërguar mesazhe një kërcimtareje erotike? Po si është sjellë Berisha pas kësaj ngjarjeje?
I detyruar ta largojë Pangon, ai nxitoi t’i japë një tjetër post të rëndësishëm publik ministrit të dorëhequr për abuzim me postin. Ashtu sikundër riemëroi ministra të akuzuarit për korrupsion, Mediun dhe Bashën. Ashtu sikundër bëri ministër Rulin, që dikur e kish akuzuar vetë për kontrabandën e drurit të arrës. Ashtu sikundër thirri pranë tij Pollon, që dikur e kish akuzuar për pasurim korruptiv. Prandaj themi se në themel të mahisjes së korrupsionit, deri në kalbëzim të kësaj qeverisjeje që po qelbet, qëndron korruptimi dhe imoraliteti i vetë Kryeministrit të “duarve të pastra”. Është një imoralitet që po gërryen edhe moralin e një pjese të publikut, duke e bërë të dalë në mbrojtje të korrupsionit qeveritar.
* * *
Por ka edhe një shkak tjetër të mahisjes së çibanit plot qelb të korrupsionit. Lidhet po me Berishën. Është fjala për autoritarizmin e tij, që nuk i ka reshtur presionet ndaj drejtësisë dhe aksionet për kapjen e saj. Shpërthimi i qelbit të korrupsionit sot shpjegon edhe luftën e Berishës me Presidentin Topi për kandidaturat e Gjykatës së Lartë, shpjegon përpjekjet e tij për të miratuar një ligj për gjykatat dhe po ashtu për prokurorinë, që i bën ato më të varura dhe më pak të paprekshme nga qeveria.
Plani tinëzar për ta bërë drejtësinë dhe prokurorinë të trembur dhe të pakurajë për të goditur korrupsionin, e nxitën të miratojë edhe amendimet e Kushtetutës (dhe ky është një nga budallallëqet më të mëdha që ka bërë opozita, e cila i dha Berishës konsensusin për to) që, sikundër pohon edhe Komisioni i Venecias, e kanë bërë prokurorinë më pak të pavarur. Janë presionet dhe gërryerja me ligj e statusit të pavarësisë që e kanë bërë sot prokurorinë një institucion që më së shumti hesht i flashkët. Në një kohë kur duhej të ishte maja e shpatës së drejtësisë për të vrarë kuçedrën e korrupsionit, që i ka zënë rrugën integrimit dhe ardhmërisë së Shqipërisë.
Prandaj dhe Berisha sot, ndërsa mbron korrupsionin e ministrave të tij, deklaron i qetë se ata mund të largohen nga ato poste vetëm pasi të jenë provuar akuzat kundër tyre. Është një larje duarsh me një prokurori që ai vetë e ka tredhur, e megjithatë një larje që nuk ia pastron dot moralin. Sepse morali perëndimor e do që t’i largojë ministrat apo edhe zëvendëskryeministrin Meta edhe për akuza lidhur me konflikte interesi reale ose të mundshme. Ashtu si po vepron kolegu i tij i djathtë, Sarkozi.