Nga Mero Baze
Në historinë e politikës botërore, jeta politike e Partisë së Sali Berishës është një rast për t’u studiuar si kavie eksperimentale për tri tipare kryesore regresive që kanë ndikuar në degradimin e historisë së Shqipërisë. Mungesën e rregullave, mungesën e zgjedhjeve dhe mungesën e moralit. Skandali i parë ishte fakti që mbledhja e djeshme e Këshillit Kombëtar raportohej si normalitet, ndërkohë që është një mbledhje, e cila duhet të kishte përfunduar në dhjetor të vitit 2009, një javë pas Kuvendit të Partisë Demokratike.
Prej atëherë, pra dy vjet më parë, Partia Demokratike ka qenë pezull me vetëm një drejtues të zgjedhur, Sali Berishën, dhe një Sanço të emëruar që drejtonte partinë dhe mbante çelësat në qafë. Gjithë kryesia dhe nënkryetarët e saj ishin të ngrirë. Por as dje nuk përfundoi. Me zgjedhjen e Kryesisë duhet të përfundonte dhe zgjedhja e nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm, por as ajo nuk u bë.
Kjo mungesë brutale e dëshirës për të zbatuar dhe formalisht rregullat se si funksionon një parti, e bën partinë e Sali Berishës unike në botë, pasi çdo parti, qofshin dhe ato komuniste, Kongreset i bëjnë formalisht në rregull dhe organet i përtërijnë formalisht në kohë. Kjo duhet të jetë e vetmja parti në botë, që e nis Kuvendin dhe e përfundon pas katër vjetësh kur duhet të bëjë të riun. Dhe në këtë periudhë midis, natyrisht që s’mund të bëhet më fjalë as për personalitete, as për individualitet, dhe as për dinjitet, por thjesht për burra si gra dhe gra si burra që zvarriten pas njerëzve informalë të Familjes së tij t’i japin një vend në parti.
Skandali i dytë është mungesa e zgjedhjeve në parti, e cila reflekton kulturën e zgjedhjeve politike që kjo parti bën në Shqipëri. Nga Kuvendi i nisur dy vjet më parë deri tek mbledhja e përfunduar dje mbasdite, shihet qartë që në atë parti nuk ka zgjedhje, por lista të diktuara nga familja Berisha që ndërrojnë burokratët e partisë si gurë shahu. Mjafton t’i hedhësh një sy listës së kryesisë së djeshme që ka dalë pas të ashtuquajturit votim dhe shikon qartë se çfarë ka ndodhur.
Gjithë arsyet për të cilat Berisha ka ardhur në pushtet, pra gjoja bashkimi i kundërshtarëve dhe themeluesve të PD-së ka rënë tërësisht. Pollo, Imami, Shehu, Xhaferri, Mustafaj, Oketa dhe të tjerë janë jashtë liste. Ndonjë tip si Ruli ka hyrë duke paguar shtrenjtë vendin në kryesi, por me vota poshtëruese, ndërsa në vend të tyre janë futur ata që quhen banda e Shkëlzenit, drejtori i hipotekave dhe prefekti i Tiranës, që merren gjithë ditën me tapitë e Shkëlzen Berishës.
Por Familja nuk është mjaftuar me futjen fizike të njerëzve banalë në kryesi, por dhe me sinjalin e ndërrimit të pushtetit brenda PD-së. Me një ndërhyrje të qartë dhe të pamëshirshme, Familja i ka dhënë sinjale të qarta lidershipit të vjetër të PD-së për tu larguar. Jozefina Topalli, Ritvan Bode, Astrit Patozi dhe gjithë mbështetësit e tyre janë poshtëruar në klasifikim për t’u treguar se është koha për të ikur. Për ta bërë më cinike lojën e tyre, ata duket se kanë mbërritur tek një pakt i përbashkët Basha- Olldashi për drejtimin e ardhshëm të partisë, njëri si aktor real e tjetri si figurant i garës brenda partisë.
Me këtë pazar të qartë, Olldashi është përzgjedhur prej tyre jo vetëm për shërbimet që i ka bërë familjes si ministër që ka devijuar gjithë fondet e investimeve publike tek dy-tre biznesmenë të Familjes, por dhe si një individ i goditshëm lehtë në të ardhmen nëse mbahet i veçuar nga ish mbështetësit e tij. Pra, gjithë llogaria e listës së kryesisë, është një hap i qartë i kalimit të trashëgimisë së partisë tek fëmijët e Berishës, duke shmangur qartazi drejtuesit aktualë të PD-së. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për votat e Topallit, Bodes apo Patozit, por deri tek masakrimi i votave për shembull për Gent Strazimirin, për të cilin Berisha ka pas thënë se është rritur në oborrin e PD-së, por që merr më pak vota se Keltis Kruja që është rritur në kafenetë e Rrahmanit.
Po ashtu janë goditur dhe lista e grave që mendohet se janë afër Topallit si dhe gjithë strukturat e vjetra të PD-së që kanë sjellë atë parti në pushtet. Kryesia e re nuk ka asnjë person me background politik, thuajse asnjë themelues, përveç Rulit dhe Berishës, dhe asnjë nga figurat politike që iu afruan PD-së për të krijuar idenë e bashkimit. Berisha me këtë listë u ka shpallur luftë figurave historike të PD-së dhe ka afruar aty shokët e djalit, miqtë e vajzës dhe ndonjë ushtar pa identitet që e përdor për punë të tij. Në listë shquan si e re vetëm Mesila Doda, përvoja e mëparshme politike e së cilës ka qenë zëdhënëse e qeverive socialiste, duke i marrë ministrat me radhë nga 1998 deri më 2000 kur provoi dhe zyrën e kryeministrit socialist.
Të zbosh nga partia figurat themeluese, dhe ata të cilët pranuan të pajtohen me Berishën për rikthimin e tij në pushtet, dhe t’i zëvendësosh ata me sekserë të djalit, miq të vajzës dhe ish shërbëtorë të socialistëve, do të thotë se je i pafuqishëm të mbash një parti të hapur bazuar mbi konkurrencën e vlerave, përvojës politike dhe kontributit në parti. Do të thotë se Familjes i duhet sigla e PD-së për imunitet për të ruajtur pasuritë dhe jo për të bërë më tej politikë. Dhe kur flas për ata që janë bërë prej kohësh orkestër e Familjes në PD, as kam kohë dhe mundësi të flas për ata që tentuan të ruajnë dinjitetin e tyre në atë parti si Besnik Mustafaj, Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj etj, të cilët as që guxuan t’i zënë në gojë.
Tipari i tretë që bie në sy në funksionin e jetës politike në atë parti është mungesa e fortë e moralit në raport me bilancin e partisë dhe atë çfarë kjo parti i ka dhënë vendit. Partia e Sali Berishës prej vitit 2009 i ka dhënë vendit një krizë politike për shkak se ka prekur dy herë zgjedhjet, dhe kjo duhet të ishte objekt i fortë debatesh në një parti normale. Kjo parti ka një pësim të madh nga prekja e zgjedhjeve në vitin 1996, pasi futi vendin në luftë civile një vit më vonë. As atëherë Berisha nuk e pranoi se kishte prekur zgjedhjet njësoj si tani, por Shqipëria u ndesh me pasojat e asaj plaçkitje të pamoralshme.
Tashmë mungesa e moralit për zgjedhjet e lira në atë parti është ngritur në sistem, dhe kreu i saj Sali Berisha i quan fitore zgjedhjet e vjedhura. Edhe pse ka vjedhur më 8 Maj, ai ka humbur gjithë Shqipërinë, por i prirur të mos shikojë të vërtetën në sy, por të vërtetën e shpikur prej tij, flet për fitore dhe zgjedhje të lira. Mungesa e moralit në politikë ka peshë të rëndë në zhvillimin e vendit pasi mënyra si qeveriset partia në pushtet është dhe mënyra si qeveriset Shqipëria. Kur vidhen votat në parti dhe futen në listë shokë të djalit e miq të vajzës në vend të figurave politike, ashtu do të qeverisen dhe lekët e shqiptarëve pasi dhe ato do t’i marrin shokët e djalit dhe miqtë e vajzës.
Kur njësoj si në mitet serbe, humbjet shpallen të shenjta si fitore dhe glorifikohen, po ashtu dhe në qeverisje kriza ekonomike dhe rrënimi ekonomik shpallen si suksese dhe rekorde botërore. Ashtu sikundër në parti u hapet rrugë njerëzve pa personalitet dhe shpesh figurave më qesharake të shoqërisë, ashtu dhe në qeverisje dhe administratë publike do mungojë konkurrenca e vlerave dhe do kemi një stërmbushje me injorantë dhe deficentë që po shkatërrojnë praktikisht qeverisjen. Duke qenë parti e dytë në vend, me 14 për qind pas partisë së parë, partia e Sali Berishës nuk ka moral të mbrojë qëndrimin e saj në qeveri, veçse të shpallë zgjedhjet e vjedhura si fitore dhe antivlerat si vlera.
Së fundmi desha të ndalem pak dhe tek kursi i ri anti-perëndimor që Berisha shpalosi dje në fjalimin e tij të gjatë alla Fidel Kastro. Ai sulmoi ashpër Bashkimin Evropian dhe diplomatët perëndimorë që folën për ndryshim të rregullave pas mbarimit të procesit, duke zyrtarizuar krizën e tij me Perëndimin dhe kthimin e krizës së partisë së tij me vlerat perëndimore në krizë kombëtare. Ai mbrojti grabitjen e mandatit të Tiranës dhe aktet banditeske të KQZ si një veprim historik, ndryshe nga sa i ka vlerësuar Bashkimi Evropian dhe zyrtarët amerikanë si veprime zhgënjyese, jo bindëse dhe jo të mira.
Në votimin e tij për kryesinë e re të PD-së Berisha përsëriti atë që ka bërë rregullisht me mikun e vajzës së tij Lulëzim Bashën, qysh prej vitit 2005. Ai e futi kollovar në pushtet në emër të vajzës, u përfshi bashkë me të në projektin më grabitqar të buxhetit publik, që ishte një segment 60 km, i cili mori një të tretën e buxhetit tonë, u përfshi bashkë me të në procesin e vrasjes së katër shtetasve shqiptarë, u përfshi bashkë me të në procesin e grabitjes së mandatit të Tiranës dhe dje sanksionuan kontratën e tyre të përbashkët si njeriu që do të mbaj hipotekën e Familjes në parti.
Kështu siç është katandisur ajo parti, askush nuk është i shqetësuar kujt do t’ia lërë atë gërmadhë Sali Berisha. Shqetësimi ynë i vetëm është se derisa ajo parti qëndron me dhunë në pushtet, defektet antidemokratike dhe antiperëndimore të saj, mungesa e moralit dhe zgjedhjeve të lira në atë parti reflektohen në mungesë demokracie në vend, në mungesë të shtetit ligjor, në mungesë të lirisë së medies dhe mungesë të perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Të gjitha këto janë taksa që i paguajmë nga mungesa e një partie demokratike në pushtet, e cila është katandisur në një bandë sekserësh të familjes, të cilët kanë për të vlerësimin që kanë për çdo pasuri të tyre, që kanë grabitur në këtë vend, dhe për njerëzit që drejtojnë atë parti kanë po atë vlerësim që kanë për njerëzit e punësuar në çdo biznes tjetër të tyre.