Një parodi e neveritshme

0
32

Mënyra sesi u kurdis “dalja nga kriza” tregon se Kosova nuk është shtet i mirëfilltë, por një kazino, ku Kushtetuta shkelet e lakohet sipas interesave të politikanëve dhe të diplomatëve, të cilët këtu sillen si pronarë të plantacioneve të kakaos në Bregun e Fildishtë

Nga Enver Robelli
robelli@bluewin.ch

I. Diagnoza

Kështu është kur kapet shteti. Kur kidnapohet prej politikanëve të papërgjegjshëm dhe mujsharë. Vetëm naivët mund të presin që rrëmbyesi i shtetit të sillet konform rregullave. Shkelja e Kushtetutës, e ligjeve, e rregullave, e statutit të çdollojshëm është shenjë dalluese e kidnapuesit. Sigurisht ambientet më të përshtatshme për triumfin (sado të përkohshëm) të rrëmbyesve të shtetit janë shoqëritë e varfra, të pasluftës, ku për shkak të dinjitetit të nëpërkëmbur mungon vetëdija politike, ku frika se gjendja mund të bëhet edhe më e keqe se ç’është merr përmasa irracionale, prandaj apatia shikohet si shpëtim i vetëm.

Për të kidnapuar shtetin, megjithatë, kjo s’është e mjaftueshme. Duhet të ekzistojnë edhe oponentët politikë, të cilët në çastet vendimtare shkelin mbi parimet që i propagandojnë vetë. Pastaj, si në rastin e Kosovës, për të rrëmbyer shtetin duhet të kesh edhe mbështetësit e kidnapimit, zakonisht diplomatë të huaj, të cilat këtu, në Kosovë, sillen si pronarë të plantacioneve të kakaos në Bregun e Fildishtë. Publiku vendës shpesh nuk e ka të qartë nëse këta diplomatë ndjekin agjendën e shteteve të tyre apo kanë agjendë private.

Siç shkroi para disa ditësh gazeta e famshme zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” këta protektorë e kanë humbur çdo kredibilitet, sepse vetë janë duke shkelur mbi parimet demokratike që me vite të tëra ua kanë propaganduar fiseve vendëse, që dominohen prej bajraktarëve dhe mbledhësve të bananeve të trilluara. Krerët e vetëshpallur të fiseve s’do të mund ta kidnaponin asnjë shtet, madje as Kosovën, pa ekzistuar rrethanat, që atyre ua krijojnë edhe të tjerët, shpesh edhe me dhunë verbale të maskuar si “ndihmë diplomatike”.

II. “Dalja nga kriza”

Kur një grup interesi, një taraf me taraba e rrëmben shtetin, puna e parë që bën është suspendimi i rregullave, përfshirë edhe shkeljen e Kushtetutës. Nëse shkelja e Kushtetutës bëhet shpesh, atëherë – dhe kjo është shpresa e shkelësve – njerëzit mësohen, s’u bën përshtypje më ky skandal. Topitja e trurit si metodë sundimi! Kështu, shkelja e Ligjit Themelor merr përmasa humoristike, aq më tepër në shoqëri të shquara për përtaci, ku industria e vetme që s’ndalet së punuari është ajo e prodhimit të barsoletave, anekdotave, legjendave, gojëdhënave.

Një situatë të tillë e kemi në Kosovë, së cilës duke bërë hapat e parë si shtet diku rrugës ia humbën emrin e Republikës. Me shkeljen e përsëritur të Kushtetutës vendi ka hyrë në një spirale, e cila përdridhet e nuk ndalet hiç. U shkel një herë dhe shkelësi u sanksionua në vjeshtë, u shkel nga një grup mujsharësh në shkurt dhe shkelësit u sanksionuan para disa ditësh, tash u shkel (ose së paku u lakua në mënyrë të palejueshme) Kushtetuta, por ky lakim mbase nuk do të sanksionohet, sepse nuk ka kush e pyet Gjykatën Kushtetuese.

Shkelësit ose lakuesit tash janë bërë grup mbizotërues dhe do të ishte naive të pritet që ata ta denoncojnë veten; këtë e bëjnë vetëm ata që janë mendërisht të hallakatur. Kjo ishte, pra, dalja nga kriza, drejtpërdrejtë nga arat e mbjella me kakao. Dhe këta që e futën Kosovën në krizë dhe që tani po e “nxjerrin nga kriza” nuk i kanë fytyrat e zeza për shkak të poshtërsive që po bëjnë, jo! Fytyrat i kanë të zeza prej kakaos. Qerren e turpit, mbi të cilën zhvillohet ahengu parlamentar, e tërheqin prokonsujt sa herë që duhet dhe me hamshorë të dalldisur.

S’ishte ndryshe as të enjten në mbrëmje, kur u simulua diçka si demokraci, zgjedhje, parlamentarizëm. Në terminologjinë juridike gjermane kjo çka ndodhi në Kuvendin e Kosovës të enjten në mbrëmje quhet “Rechtsbeugung”, lakim i ligjit. Në Gjermani neni 339 i Kodit Penal thotë se lakimi i ligjit është krim. Nejse, po flasim për Gjermaninë! Në Kosovë kjo mund të bëhet, mund të shtiret zgjedhja e një presidenteje për 5 vjet, e në fakt petkat e mandatit të saj janë qepur për një vit. Ose pak më shumë. Kush e di këtë. Përveç, ndoshta, pronarit të arave me kakao.

III. Mirëmëngjesi, zonja presidente!

Presidentja e re, Atifete Jahjaga, nuk mund të paragjykohet apriori. Ndoshta personaliteti i saj politik do të zhvillohet e rritet përballë peshës së postit që e mori mbrëmë. Ndoshta do të tregojë aftësi që të jetë mbikëqyrëse e mirë e pellgut të peshkaqenëve politikë dhe do të mundësojë që anija shtetërore të hyjë në ujëra më të qeta. Derisa ai që kishte qejf të jetë president dhe ia lejoi vetes të keqpërdoret nga partnerët politikë si çamçakëz që më herët e kishte diskredituar dhe bërë të padenjë veten për post publik, duke dhënë deklarata naive dhe absurde, mangësia e presidentes së re është tjetërkund: ajo është një fletë e bardhë!

E njohur ndoshta vetëm për ekspertë të sigurisë që merren me studimin e organigramit të policisë. Por, ajo ka një përparësi të madhe: e njeh shefin e plantacioneve me kakao. Ky mund të jetë sot kualifikim për realizim të ambicieve personale dhe private, por jo patjetër vlerë që të bën të zgjidhshme në postin e kreut të shtetit. Si e tillë, tërësisht jopolitike, dhe ndryshe s’ka si të jetë, meqë ka punuar në polici, e policia duhet të jetë neutrale, Atifete Jahjaga ndoshta as vetë nuk e di se çfarë koncepti e programi politik përfaqëson.

Fjalimi i saj i mbajtur mbrëmë në Kuvend ishte i ngarkuar me nocione e shprehje që zakonisht dëgjohen nëpër kurset e mërzitshme, kur pronarët e plantacioneve të kakaos ua shpjegojnë përfaqësuesve të popullit indigjen rregullat elementare të sjelljes politike. E këto nocione tingëllojnë kështu: dhimbje ka pasur në të dyja anët, nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, duhet ta përqafojmë të ardhmen, dialogu është një shans i madh për të ardhmen e mirë të të dyja vendeve, të cilat do të integrohen në Bashkimin Evropian.

Secili, e këtu s’bën dallim as zonja presidente, e bën zgjedhjen sipas vendimeve, bindjeve dhe karakterit personal: dikujt i pëlqen të bëhet vegël në duar të tjetërkujt, dikujt të mendojë për pasojat. Por, zakonisht është mirë që të mos ngatërrohen pronarët e plantacioneve të kakaos me demokracinë. As nuk duhet të ngatërrohet ajo që në librat e vjetër të gjeografisë quhet Bota e Re me disponimin e keq të ndonjë prokonsulli, i cili i ka parasysh interesat e tij.

Kosova tani ka një presidente sezonale, jopolitike, në një kohë kur gjithçka në këtë shoqëri është politike dhe kur si kurrë më parë kërkohen personalitete që i prijnë këtij vendi – në radhë të parë me intuitë politike, me përvojë dhe me vendosmëri të dëshmuar. Lajmi i vetëm i mirë: një police e lavdëruar dhe e panjohur u bë kryetare e shtetit të disa hajnave. Ndoshta presidentja do të ndihmojë që së paku numri i hajnave të mos shtohet, sidomos në ambientin ku ajo tani do të jetë e pranishme, pra në instancat më të larta shtetërore.