Një paçavure patriotizmi

0
62

Nga Mero Baze, 17 Maj 2012

Nuk më kishte shkuar mendja që kemi pasur abetare të ndryshme me Kosovën. Për më tepër nuk e kisha menduar kurrë që një shtëpi botuese, e lidhur me Genc Pollon në Tiranë, dhe një shtëpi botuese, e lidhur nuk di me kë nga Kosova, do të sillnin një ditë historike për Hashim Thaçin dhe Sali Berishën në Prizren, duke botuar një abetare të përbashkët. Me një retorikë banale patriotike, me një ngutje për tu dukur patriotë, dhe me një varfëri të skajshme fantazie për të gjetur ndonjë arsye për ta ilustruar këtë dëshirë, ata u mblodhën në Prizren për të festuar për një libër thuajse paçavure, që i thonë abetare e përbashkët Shqipëri- Kosovë. Po, po, një libër paçavure.

Së pari, hipokrizia me këtë paçavure fillon qysh tek koncepti. Shqipëria ka liberalizuar tregun e librave shkollorë, ka futur shumë tekste alternativë, ka disa lloje abetaresh dhe librash leximi, disa lloje librash historie, deri tek ata më skandalozët që e çojnë kufirin grek në Shkumbin, apo Lezhë, nga ata që shpallin Jozefinën gruan e dytë më të madhe pas Nënën Terezës dhe të tjerë si ata që shpallin Sali Berishën njeriun e shekullit.

Me gjithë këto çibanë mediokriteti, që mbijnë për shkak të reformave gjysmake që ne kemi prodhuar në arsim, prapëseprapë ne kemi një realitet arsimor në Shqipëri, që bazohet mbi tekstet alternative. Ministrat tanë të arsimit, njëri më gjysmak se tjetri, në fakt ishin partizanë të liberalizmit të teksteve dhe centralizmit të tregut të tyre pasi aty i nxirrnin lekët. Një shtet serioz mund të kishte unifikuar tekstet, së paku të arsimit fillor, dhe të liberalizonte shitjen e tyre, por kështu nuk do fitonin lek ministrat. Sidoqoftë le të mbetemi tek realiteti ynë, realiteti i Kosovës dhe realiteti i Prizrenit.

Shqipëria i ka liberalizuar tekstet, që nga abetarja deri tek historia e Shqipërisë. Kosova po ashtu. Ideja që midis Shqipërisë dhe Kosovës të ekzistojnë dhe tekste unike të përbashkëta, është qesharake nga pikëpamja kulturore, por dhe hipokrite nga pikëpamja e modelit funksional në Shqipëri dhe Kosovë. Është diçka që nuk ekziston. Abetaret e Shqipërisë dhe abetaret e Kosovës janë në duart e nxënësve shqiptarë, ndërsa abetarja e Prizrenit vlen vetëm për një drekë patriotike shqiptare me qebap turq dhe piskavica sllave në Prizren dhe asgjë më shumë.

Së dyti, Shqipëria dhe Kosova ka shumë gjëra për të bashkuar nëse duan të funksionojnë si shoqëri të hapura me njëra- tjetrën dhe si treg i përbashkët. Kanë infrastrukturën e energjisë elektrike. Jo më larg se një muaj më parë, Sali Berisha anuloi një tender të financuar nga Banka Gjermane për Zhvillim, e cila do të lidhë Kosovën me Shqipërinë me linjë intekonjeksioni për eksport- importin e energjisë elektrike.

Sali Berisha e anuloi jashtë të gjithë rregullave, vetëm pse financuesi gjerman shpalli fitues një kompani serioze dhe jo një serbo- boshnjak, sekser të Familjes së Sali Berishës. Mjaftoi kaq që ky njeri, i cili bën sikur ekzaltohet për abetaren, t’i vinte vizë të kuqe bashkimit real energjetik të Shqipërisë me Kosovën. Është fyese që të bësh betejë që një serb të fitoj miliarda nga linja e intekonjeksionit dhe të gëzohesh që në Prizren ke çuar disa abetare falas për një shkollë fillore. Kot jeni munduar! Kaq mund ta bënin dhe serbët e interkonjeksionit për bamirësi.

Shqipëria me Kosovën mund të reformojnë politikat e tyre të ndërsjella doganore. Të kap të qarët në vjeshtë të shikosh rrushin e Suharekës dhe Rahovecit ndanë rrugës që kalbet, vetëm se Ridvan Bode nuk e lejon të futet në Shqipëri, dhe patatet e Shishtavecit të kalben në Kukës vetëm se Hashim Thaçi s’i lejon të futen në Kosovë.

Mund të bëjnë ndonjë gjest në këtë drejtim t’ua bëjnë së paku më të lehtë jetën banorëve të Kukësit dhe të Prizrenit duke mos u marrë taksa dhe për dhuratat e dasmave që i çojnë njëri- tjetrit. Mund të shikojnë mundësinë e funksionimit të sistemit të taksë- tatimeve mes dy vendeve dhe njohjes reciproke për të lehtësuar taksimin e dyfishtë që ndodh në disa veprimtari prodhuese dhe kështu do të bënin më shumë partnerë në biznes mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.

Mund të bënin të dy shtetet një fond për studentë të shkëlqyer të Shqipërisë dhe Kosovës dhe të jepnin bursa për ta në Prishtinë dhe Tiranë në universitetet cilësore respektive. Mundet që një student i Kosovës, që do të studiojë në Shqipëri, të kompensohet nga qeveria e Kosovës duke ia kthyer atij mbrapsht kontributin e familjes së tij në taksat për arsimin dhe me ato para të studiojë në Shqipëri, dhe e kundërta, një student shqiptar që do të studiojë në Kosovë. Mund të jenë ministrat shqiptarë dhe ata kosovarë më të hapur dhe të ndershëm në tenderët publikë dhe kompani respektive të punojnë në të dy vendet në punët publike.

Mund të heqin monopolet e Lulëzim Bashës në fluturimet ajrore dhe të ringrenë një linjë me flamurin zyrtar shqiptar që të fluturojë Tiranë-Prishtinë, pasi akoma nuk e kemi. Por mbi të gjitha ta liberalizojnë këtë biznes, pasi tregu punon më mirë se mendja e ndryshkur e tyre. Nuk dua ta zgjas më tej listën e pafundme të punëve të përbashkëta që mund të bëjnë këta dy kryeministra. E vetmja punë e padobishme e tyre, biles qesharake, është ekzaltimi për një paçavure që e quajnë abetare të përbashkët historike. Ajo është një tallje e madhe, që nuk e hanë as kalamajtë që kishin dje festën e abetares.

Së treti, pashë një makth të madh për tu dukur doemos patriotë tek të dy kryeministrat! Çfarë u ka ndodhur vallë? Të jenë trembur nga rritja e valës së patriotizmit në Shqipëri dhe Kosovë kundër pazareve të tyre? Të kenë plan të nisin një konflikt me Evropën ngaqë nuk plotësojnë dot standardet që ajo kërkon? Mos duan të na mbushin mendjen se ne meritojmë këta udhëheqës dhe jo Perëndimin? I gënjen mendja. Po të mos ishte një patrioti modest dhe i papunë si Myslym Pasha, sot Sali Berisha do t’i kishte falur Greqisë 250 km katror det.

Tashmë po detyrohet dhe vetë të tërhiqet nga ajo dhuratë, por shija e hidhur e njeriut tinëzar që shet dhe atdheun për karrige të tij, mbeti. Koha e turpëroi. Greqinë e fortë që ai kishte frikë, tashmë po e shohim me brekë nëpër këmbë, nën deliret e njerëzve të rrugës dhe ekstremistëve antiperëndimorë. Tashmë atje as nuk ke kujt t’i servilosesh. Frika se dhe shqiptarët do të plasaritin pushtetin fallco të “baballarëve të Kombit”, duket se po i bën “patriotë akshami” në Prizren.

Abetarja e patriotizmit të tyre nuk është e mjaftueshme që ata të marrin dëftesën e pjekurisë si patriotë shqiptarë dhe shërbëtorë të këtij vendi. E vërteta është se ata e ndjejnë se diçka i kanë borxh këtij vendi dhe kësaj shoqërie dhe po vrapojnë të alarmuar të shfaqen me një send të pavlerë në duar, me një bashkim artificial dialektesh dhe mendësish kulturore, me një bashkim artificial tekstesh që ngjan si një lugë supe, që sapo e gëlltit, e vjell përsëri. E sigurt është se këta njerëz as na bashkojnë dot me zor dhe as na ndajnë dot me zor nga njëri-tjetri.

Shqipëria dhe Kosova do të zhvillohen ose jo, për shkak të vlerave të tyre dhe jo për shkak të udhëheqësve të tyre. Diversiteti mes tyre është pasuri dhe bashkimi artificial i vlerave është varfëri. Lëreni fëmijët e Kosovës të mësojnë me abetaret e tyre dhe ata të Shqipërisë me abetaret e tyre. Shqip mësojnë të dy palët dhe u mjafton për të kuptuar sa pak shqiptarë janë ata, që duan të mbulojnë hendeqet e hapura mes Shqipërisë dhe Kosovës përmes qindra miliona eurove që shkojnë për serbët, me letra abetaresh pa vlerë.