Nga një oficer policie

21 janar 2011, Tiranë
Më 14 Shkurt, sipas faqes zyrtare të Policisë së Shtetit, u bë dorëzimi i raportit “Arvizu” për veprimtarinë e Policisë së Shtetit në ngjarjet e 21 Janarit. Pikërisht në ditën e të dashuruarve 14 Shkurt. Pse? Ndoshta se ish e hënë apo sepse donte të na demonstronte dashurinë amerikane në mos për regjimin, së paku për Policinë e Shtetit, edhe pse kjo e fundit nuk zbaton urdhërat e Prokurorit të Përgjithshëm, që ambasadori vetë e ka nën kujdesin personal!
Në datën 22 Shkurt, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat Njerëzore, Thomas Hammarberg, ka bërë publik raportin mbi ngjarjet e 21 janarit në faqen zyrtare të këtij institucioni. Një raport diametralisht i kundërt, sepse konstaton të kundërtën e raportit “Arvizu” mbi veprimtarinë e Policisë gjatë dhe menjëherë pas protestës së 21 Janarit. Për ilustrim kemi shkëputur pjesë nga të dy raportet, për të njëjtën ngjarje, ku në kllapa janë vënë deklaratat e raportit “Arvizu”, shkëputur nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit. Konkretisht:
“… 4 protestuesit u vranë jashtë perimetrit të sigurisë (nuk mund të kishte kundërvënie, pasi Arvizu nuk i përmënd vrasjet!!) … se policia i ka rrahur në mënyrë mizore protestuesit e arrestuar…ata kanë nënshkruar deklarata të frikësuar e të kërcënuar nga policia (policët qëndruan të palëvizur gjatë goditjes me objekte të forta, duke përfshirë gurë, shkopinj si dhe bombat Molotov, dhe nuk u hakmorrën kur u provokuan fizikisht)… se gazi lotsjellës që u hodh nuk ishte i zakonshëm, madje preku edhe policët që ishin të pambrojtur…se policia nuk ishte e përgatitur për të trajtuar demonstratat e dhunshme, ndaj situata degjeneroi në atë mënyrë…
(Policia e Shtetit pati një plan operacional të mirëzhvilluar për t’u ballafaquar me një demonstratë që do organizohej, si dhe ata ekzekutuan planin operacional në mënyrë mëse të mirë”. Duhet nënvizuar, analizuar por edhe plotësuar me dëshmi të gjalla por edhe filmike, konkluzioni i Komisionerit ishte se; “…policia nuk ishte e përgatitur për të trajtuar demonstratat e dhunshme, ndaj situata degjeneroi në atë mënyrë.” Dhe në këtë mënyrë, ne mund të kuptojmë nëse protesta “degjeneroi” apo u provokua të “degjenerojë”
Por Raportet ndryshojnë jo vetëm në përmbajtje por edhe në formë, sepse raporti “Hammarberg”, është bërë publik nëpërmjet botimit të tij në faqen zyrtare të Këshillit të Europës, ndërsa raporti “Arvizu” nuk gjendet në faqen Zyrtare të Policisë së Shtetit, por as në atë të Ambasadës Amerikane. Raporti “Hammarberg”, qysh në fillim jep hartuesit dhe burrimet që janë shfrytëzuar, ndërsa raporti “Arvizu” nuk ka asnjë nga këto hollësi të “tepërta”.
Po tani a do ti bëjë publike burimet, hartuesit e për më tepër vetë Raportin Zoti Arvizu?







