Baki Ymeri
Organizuar nga Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, në prezencë të një publiku të panumërt, këto ditë u mbajt në restorantin „Boema 33” të Bukureshtit një tryezë e re e miqësisë rumuno-shqiptare. Në program: lansimi i revistës “Shqiptari” kushtuar Prof. Dr. Xhelku Maksutit në 80 vjetorin e lindjes, prezantimi i revistës „Kosova” dhe përurimi i vëllimit “Shenja e Isarit”, i poetit dhe priftit rumun nga New Yorku, Prof. Dr. Theodor Damian.
Të ftuar të Nderit ishin Shkëlqesia e Tij, Zt. Sami Shiba, Ambasadori i Shqipërisë në Rumani, Dr. Luan Topçiu, ministër këshilltar i ambasadës shqiptare, profesorë universitarë, poetë dhe eseistë, ambasadorë dhe diplomatë, bij e bija të rilindësve tanë, disa qendra televizive, gazetarë dhe miq të Kosovës dhe Shqipërisë. Moderator i këtij manifestimni ishte autori i këtij shkrimi që ia dha fjalën e hapjes zonjueshes Viktoria Ducu (poete, gazetare dhe redkatore e një qndre televizive për kulturë).
Në një shkrim të ardhshëm pason të japim fragmente nga shkrimtarët rumunë që e ndezën sallën me admirim për Shqipërinë dhe vlerat e saj. Pas revistës “Shqiptari”, para kamerave televizive e prezantuam revistën “Kosova” me Bill Clintonin në ballinë. Shqipëria, Kosova, Bukureshti dhe Amerika së bashku. Miq dhe dashmirë të panumërt të shqiptarizmit në sallë, fotografi historike, atmosferë e këndshme dhe njerëz të kultivuar.
Përparim Demi duke joshur të pranishmit me afirmimin e Shqipërisë, Adriana Tabaku duke lexuar vargjet e Damianit në gjuhën shqipe, Mihai Antonesku duke nxjerrë në evidencë vlerat e librit të Dr. Maksutit „Historia e Komunitetit Shqiptar të Rumanisë”, Florentin Popesku duke e ngritur lart kontributin tonë për popullarizimin e kulturës shqiptare në gjuhën rumune, aktorja Doina Gjicesku duke prezantuar Dr. Maksutin dhe vlerat e komunitetit, Theodor Damiani duke e dëshmuar admirimin e tij ndaj gjuhës shqipe dhe diplomacisë shqiptare.
Për vlerën e vargjeve të tij në gjuhën shqipe, Nexhat Rexha thekson në një shkrim të tij se „të ndërtosh ura nuk është punë e lehtë, por vullneti për të ripërtërirë e ruajtur traditën e krijuar nëpër shekuj, është thesar kulturor e ndërnjerëzor. Në vazhdën e veprave të zgjedhura të autorëve rumunë, kësaj radhe në gjuhën shqipe vjen me tërë shkëlqimin poetik edhe poeti Theodor Damian, i cili ka krijuar vepra të bujshme dhe ka hapëruar me rezultate të lakmueshme artistike. Përkushtime të realizuara me dashuri për të thënë fjalën e bukur e të sintetizuar në rrafshin organizativ e estetik. Autori i disa veprave letrare ka dëshmuar cilësinë e brendshme të vargut nëpër faqet e secilës poezi e varg.”
Me rastin e këtij përurimi të dyfishtë që u mbajt në zemër të Bukureshtit, Shkëlqesia e tij, zoti Sami Shiba, Ambasador i Shqipërisë në Bukuresht, na tha: „U falënderoj nga zemra për ftesën dhe prezencën e një publiku kaq të madh personalitetesh dhe dashamirësh të Shqipërisë me rastin e përurimit të Profesor Damianit dhe librit të tij „Shenja Isarit”. I përgëzoj shkrimtarët rumunë që shkruajnë me admirim për librat e përkthyer nga ana Juaj, nga Dr. Luan Topçiu dhe Adriana Tabaku, duke shprehur mbi të gjitha konsiderata të përzemërta edhe për lansimin e revistës „Shqiptari” kushtuar mikut të madh të Shqpërisë, profesor Xelku Maksuti.
Me rëndësi për ne si përfaqësues të Atdheut në këtë vend, është fakti që edhe me këtë rast iu dha një impuls simbolik afirmimit të Shqipërisë, të kulturës shqiptare dhe gjuhës shqipe në trojet rumune. Nderimi që iu bë profesor Maksutit konsiderohet si një manifestim i denjë dhe moment historik që do të mbetet gjatë kohë në kujtesën tonë.”
Victoria Duţu: Që nga fillimi i falënderoj të gjithë ata që erdhën ta nderojnë këtë manifestim të denjë, kushtuar Shqipërisë, Rumanisë dhe Amerikës në zemër të Bukureshtit. Shpresoj se do të jetë një moment historik i suksesshëm, ngase para nesh kemi një gamë personalitetesh të suksesshme. Pikësëpari e falënderojmë ambasadorin e Shqipërisë, Shkëlqesinë e tij së bashku me një shpirt të prekur nga flatrat e engjëllit, Dr. Luan Topçiun, ministër këshilltar i ambasadës dhe një nga eseistët më të shquar shqiptarë të ditëve tona.
Pasojnë falënderimet në adresë të mikut tonë, Dr. Theodor Damian, poet, eseist, teolog dhe drejtor i revistës „Drita e Qetë” në New York, një misionar i fjalës së shenjtë që gjithmonë kur vjen na këndell përmes poezisë dhe kultivimit të atdhetarizmit tejmatanë brigjeve të Atlantikut. Janë gjëra të shenjta, të dhëna nga Zoti, që të njihemi më mirë, që të kuptojmë kush janë vëllezërit tanë të vërtetë.
Ky evenimet është i jashtëzakonshëm, ngase e përforcon miqësinë ndërmjet rumunëve dhe shqiptarëve, falë organizatorit dhe iniciatorit, poetit, përkthyesit dhe kryeredaktorit të revistës „Shqiptari”, të cilin e përgëzojmë. Edhepse moderator, Bakiu është modest, nuk rend të dalë para kamerave televizive, ndaj këtë hapje solemne ma autorizoi mua. Ai është një shpirt i hatashëm, tejet i çmuar për përpjekjet titanike që bën për afirmimin e kulturës shqiptare ndër rumunë dhe ansajelltas. Poashtu e përshëndesim zotin Maksuti dhe At Theodor Damianin, një poet fort i mirë që na nxjerr përpara një dimension të ri të kulturës rumune, atë dimension të thellë të cilin e kërkojmë të gjithë.
BOX
Ambasada e Shqipërisë në Bukuresht
I nderuar Profesor Xhelku! Më 8 mars të këtij viti Ju mbushët moshën e bukur 80 vjeçare. Më lejoni që në këtë ditë të bukur të jetës Suaj, në emër të autoriteteve të shtetit shqiptar, të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe në emrin tim personal, të Ju urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe fuqi të reja për punën tuaj fisnike. I dashur profesor! Dua t’Ju shpreh me këtë rast mirënjohjen tonë për punën tuaj titanike në afirmimin e komunitetit shqiptar të Rumanisë, në hulumtimin e historisë, kulturës, vlerave të këtij komuniteti dhe ndihmesën Tuaj për njohjen e historisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve ne Rumani.
Me iniciativen Tuaj, në fillim të viteve 1990, së bashku me profesor Nikolla Xhamon, Dhimitër Polenën, Matej Danielin, Naim Themon në Konstancë, me Hilmi Jakupin në Plojesht, me Xhavit Memishin në Sllatinë, duke vijuar në qytete të tjera si Sibiu, Karakal, Krajovë, Turnu Severin, Ju themeluat Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, ndërsa pas pak kohësh, më 1993, Ju rithemeluat gazetën “Albanezul/Shqiptari”, si një vazhdimësi e botimeve të vjetra të komunitetit, që filloi nga fundi i dytë i shekullit të XIX-të, deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
I dashur profesor Xhelku! Me emrin tuaj lidhen dhjetëra manifestime kulturore dhe shkencore për afirmimin e identitetit kombëtar dhe etnik të shqiptarëve. Me emrin Tuaj lidhen qindra artikuj shkencorë për historinë moderne të Rumanisë e Shqipërisë. Pranoni i nderuar Profesor mirënjohjen tonë për veprimtarinë shkencore të zhvilluar në gjithë këto vite, për gjithçka që keni bërë për afrimin e dy kulturave: rumuno-shqiptare, për krijimin e urave të miqësisë midis dy popujve tanë, për krijimin e një dialogu të gjallë kulturor që i ka rrënjët që nga koha e Rilindjes sonë Kombëtare. Gëzuar për shumë vjet! Edhe një herë Ju uroj shumë shëndet, suksese të mëtejshme në punën Tuaj fisnike, të jetoni i rrethuar me dashuri, me respekt dhe mirënjohjen e vlerësimin e bashkëpunëtorëve dhe njerëzve që i doni dhe ju duan. Miqësisht, Sami Shiba, Ambasadori i Shqipërisë në Bukuresht