NJË MNIRJE E VONË

0
31

Rexhep Kasumaj, Berlin, nëntor 2015

(Mbi aftësinë për vetëjetesë)

1.
Klemens von Metternich-u, kjo kryefigurë e Koncertit të Fuqive me të mbaruar të Luftës së parë të përbotshme, admironte sajesat e mëdha territoriale si themelsore të paqes dhe restaurimit të Europës. Dhe refuzonte, që këtej, pretendimet shtetpasëse të “grupimeve të vogla etnogjuhësore” që mund të prishnin sistemin tij.

Anipse dinamika natyrale e historisë nuk do përligjte më pas mendimin e tij të errtë, do ta mnirja sepse, me “staatsraeson”-nin akullor, parathoshte kohë të liga për popullin tim.

2.
Mirëpo, kur një ditë kaloja duarsh (në një Qendër pranimi strehëkërkuesish politikë, ku punoj, në Berlin) pasaportat e dy shteteve shqiptare, nuk mund të mos kujtoja Patriarkun hijerëndë. Natyrisht, do ta mënirja sërish, sepse sikur paskësh tejparë kthjellësisht paaftësinë për vetëjetesë të atyre që s’dijnë ç’të bëjnë me lirinë e vet!…

I vështroja hidhshëm e zymtor pasaportat me emrat e bekuar të Shqipërisë e Kosovës dhe, për të pafundmen herë, përjetoja ndjesi përuljeje në shkallë kulti mbi flijimin e brezave dhe përvëlimin e zemrave për shejtninë e tyre. Por, njëkohësisht, një dhimbje e vjetër, e heshtur m’sëmbonte keq shpirtin. Mendoja krejt i thyer: deri kur pronësia e kësaj Letre identiteti, në vend të fatmirësisë si fillesë sociale e shansit egalitar, do të fatkeqësojë prore atë që mban në gji?!

Deshpërimi terron, si nata pa hënë, kur vërej, madje, se nga tokat ballkanëse refugjojnë kryesisht romë e shqiptarë…Ndërsa për mua që shoh prekshëm një mikrokozmos gjuhësh, fesh e ngjyrash, ngjajnë të huaja paragjykimet e këtij soji – megjithatë nuk arrij të frenoj inercien e një pyetjeje që shoqëron ofshamën e thellë: a mund të imagjinohet një fyerje kaq tragjike për shqiptarë sesa të jenë pjesë e kalvarit të arixhinjëve të pavotër?

3.
Bota, si më ka rastisur të lexoj diku, ndahet në ata që besojnë dhe në të tjerë që arsyetojnë. Athua në ç’grupndarje aderojnë shqiptarët? Veçanërisht ata të Republikës veriore që mezimbahet patericash: qytetarë dhe elektorë?

Përgjigjen, pa nëvojën që të ndiqen udhë të holla hulumtimesh: teorike, anketuese, barometrike – e ofron vetë realiteti lehtësisht i vërejtshëm e profan. Ata janë të papunë, ata janë të mashtruar, ata janë të vjedhur, ata janë të vrarë, ata janë të gënjyer, ata janë të braktisur, ata janë të poshtëruar nga arroganca e një pushteti të tëhuajsur e plutokrat dhe, të tillë, t’pashpresë, shpërngulen rrugëve të botës…Por, për çudi, gjithnjë besojnë. I besojnë pritjes, Orës së mirë, qiellit…E, rrjedhimisht, relatorët e huaj i shpallin ndër më të lumturit e botës!

4.
Fillimi i besimit, pohonte Gëte, është fundi i dijes, e pra i arsyetimit si fill dyshimi që hap portën e së vërtetës. Veçse, ndër ta, mësimnxënja e racionalizmit reflektues nuk sython dot. Ndoshta, ende përhihen tallazesh të mendësisë orientale, nga vjen dhe kjo urti ruse (a nuk janë rusët aziatë?) se mëshira qenkësh rojtëse e barazisë!

Por, si mësojnë jeta e lektyrat – jo mëshira, por drejtësia e fituar me çdo çmim, i jep fund njëj lumnie ku zhganëria verbtane i thërret vetëpërbuzjes!..

Nda dhe, përseri e përseri Kancelari i vranët vjenez dhe mënirja e tij e vonë trishtojnë mbylljen e shkrimit!…