Andrea Stefani
Nëse kërkon në “Google” të dhëna për një person me emrin, Angelo Prudentino, i pari informacion që të shfaqet në ekran është një artikull i së përditshmes italiane “Corriere Della Sera” me titull “Prudentino në telefon: Takova Provenzanon, afera shkoi në rregull”. Dhe artikulli në fjalë shpjegon se bëhet fjalë për një bisedë telefonike mes bosit të organizatës mafioze Sacra Corona Unita, Albino Prudentino dhe të birit, Angelo Prudentino, lidhur me kontrabandën e cigareve në bashkëpunim me mafien siciliane të kryesuar nga Bernardo Provenzano, i konsideruar kapoja i kapove të mafies.
Artikulli mban datën 20 nëntor 2001 pra, ka rreth 10 vjet që është publikuar. E megjithatë, duket se Majlinda Bregu, ministre e Integrimit në qeverinë Berisha, nuk ka pasur fare kohë sa për një klikim të thjeshtë për të mësuar se kush është dhe ç’përfaqëson Angelo Prudentino, edhe pse pjesëtarë të familjes së saj, e motra dhe kunati, do integroheshin me Angelon në një kompani bastesh të pagëzuar “Betting System Albania”.
Shkurt, ministrja e Integrimit s’ka ditur gjë për Angelon. Por as edhe për Albinon, të atin e njohur si bos të Sacra Corona Unitas që jetonte prej kohësh si biznesmen në Shqipëri. Mafioz në Itali dhe biznesmen i nderuar në Shqipëri që arrin të sigurojë deri edhe një licencë tepër të privilegjuar kazinoje? Ky është një skandal më vete për qeverinë “Berisha” që mburret se e ka bërë Shqipërinë vend të sigurt. Të sigurt për kë, për mafien? Dhe megjithëse injoranca nuk përbën argument të shëndoshë mbrojtjeje, nuk mund të mos pyesësh: vërtet nuk e ka ditur Bregu atë që e di thuajse e gjithë bota?
Po thënia e vjetër shqipe “bëmë baba të të ngjaj” i ka mësuar gjë? Ndërkaq, Kryeministri Berisha hesht për këtë skandal të rëndë në kabinetin e tij ndonëse, nuk pushon së ngjiruri për “tolerancë zero” ndaj krimit të organizuar. Në fakt, edhe ky skandal (sikundër edhe Gërdeci) nuk ka kaluar pa e prekur edhe atë vetë, “kalorësin e antikorrupsionit”. Sepse bashkëpunëtore e Prudentinove në një nga bizneset e tyre, figuron edhe një prej mbesave të Kryeministrit. Është edhe vetë Berisha që në vend se të kundërsulmojë me tymëse për korrupsionin e supozuar të opozitës, duhet të japë ca shpjegime për publikun.
* * *
Pas përhapjes në media të lajmit se motra dhe kunati i ministres Bregu ishin përfshirë në një aferë biznesi me të birin e bosit të Sakra Corona Unitas, opozita kërkoi menjëherë dorëheqjen e ministres Bregu. Dhe do të ishte e habitshme, për të mos thënë një fajësi, po të mos e bënte. Ndërkaq, aspak për çudi, ministrja Bregu u shfaq në ekran duke kërcënuar se do të hidhte në gjyq kreun e opozitës, Edi Rama. Po përse? Sepse, sipas Bregut, motra dhe kunati i saj nuk janë ngatërruar me mafien ngaqë paskan qenë ortakë në një kompani jo me të ndaluarin Albino Prudentino, por me të birin, Angelon.
Ky i fundit, sipas ministres Bregu, në momentin e themelimit të kompanisë, paska paraqitur një certifikatë, lëshuar nga Ministria italiane e Drejtësisë, ku figuron pa precedentë penalë. Po sipas Bregut, kjo ka qenë “një arsye e mjaftueshme për të bindur cilindo që kërkonte të hynte në marrëdhënie biznesi me të”. Në të vërtetë, në pikëpamjen tonë, një “arsye” e dyshimtë edhe për një qytetar të rëndomtë dhe prandaj, kurrsesi një justifikim për një ministre të qeverisjes “me duar të pastra” që është betuar se do të luftojë me “tolerancë zero” si korrupsionin ashtu edhe krimin e organizuar.
Vetë ministrja nuk po kupton se ka rënë në një pozitë mjerane kur përpiqet të mbrohet, në fakt, me kamuflazhin e përdorur nga mafiozi Albino Prudentino për bizneset e tij. Është e kuptueshme se ky i fundit e ka gjetur më të përshtatshme t’i regjistrojë disa biznese në emër personash relativisht më pak të ekspozuar, në këtë rast, i biri, por dhe e shoqja. Albino ka preferuar të fshihet pas Angelos. Zakon ky i njohur i mafiozëve për të maskuar bizneset. Por një gjë të tillë po bën pikërisht edhe ministrja e Integrimit, Bregu, kur justifikohet duke deklaruar se familjarët e saj nuk i kanë pasur bizneset me Albinon, por me Angelon. Ministrja Bregu kërkon ta përdorë Angelon si një engjëll mbrojtës. Por a është Angelo një engjëll?
* * *
Sipas informacioneve të publikuara edhe në median italiane këto ditë, bosët Prudentino kërkonin që të riciklonin paratë në një kazino në qytetin e Vlorës. Dhe është thuajse evidente që ortakëria me njerëz të afërt të ministres Bregu ka qenë një avantazh i madh për ta në krijimin e rrjetit mafioz të larjes së parave. Familja e ministres është bërë praktikisht një maskë, thuajse një lavatriçe për bizneset e “familjes” Prudentino. Nëse familjarët e ministres kanë bashkëpunuar me dije apo pa dije me një mafioz, kjo është punë e prokurorisë që ta vërtetojë. Por është fakt se as ministrja as familjarët e saj nuk janë treguar prudentë me prudentinot.
Padije apo verbim lakmitar për fitime të paligjshme nga biznese që dihet se përgjithësisht rrotullojnë para të dyshimta? Afera shfaqet mjaft e errët. Dhe është mjaft komprometues për ministren Bregu, fakti që prej vitesh ekzistonin sheshit informacione që dëshmonin për një rol aktiv të Angelo Prudentinos në aksione mafioze të kontrabandës së cigareve. Ushtarakët e Guardia di Finanza të Barit nuk kanë dilema, nënvizohet në artikullin e sipërpërmendur të “Corriere della Sera”: “Angelo Prudentino, shkruajnë, ka shkuar në Sicili për t’iu drejtuar familjeve (mafieve) të Palermos ose direkt Bernardo Provenzanos për të siguruar autorizimin për shkarkimin e cigareve në bregdetin sicilian”.
Pikërisht këtë person të trazuar në tratativa dhe kontrabandë mafioze, ministrja Bregu e paraqet si një qytetar të panjollë. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” e komentoi si një mashtrim përpjekjen e ministres Bregu për të justifikuar veten dhe njerëzit e saj me një dëshmi penaliteti të Angelo Prudentinos. Sipas kësaj të përditshmeje, në Itali qarkullon një tjetër dokument që provon se “ndaj Angelos ka pasur një proces në gjykim për organizmin mafioz”. Po i njëjti “engjëll”, shpëtimtar i ministres Bregu rezulton se është arrestuar së bashku me të atin në 11 janar 2001 në Greqi për kontrabandë cigaresh. Në thelb, ministrja Bregu kërkon të mbrohet duke thënë se nuk i dinte fare të gjitha këto.
Ajo i thotë publikut se nuk e dinte që familjarë të saj, dhe ajo vetë nëpërmjet tyre, ishin bërë vegël (më e pakta, qorre) e një rrjeti mafioz që ishte shtrirë në Shqipëri me qëllim riciklimin e parave të përgjakura të mafies italiane. Dikur, në vitin 1996, Berisha ka shpalosur të njëjtën padituri, duke deklaruar se paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë. Një “padituri” nga a cila vuan edhe sot ai dhe qeverisja e tij. Po a është “padija”, a mund të jetë injoranca (dhe ky është interpretimi më i favorshëm për ministren Bregu), një argument që ajo të vazhdojë të mbajë postin e nderuar të ministres? Pyetje që nuk mund të mos shkojë edhe për Kryeministrin Berisha.